Proçedurat e Falimentimit/ Pas pandemisë kaosi ekonomik shton në gjykata mbi 169 çështje gjyqësore për falimentimin e bizneseve

19
Sigal

U shtuan pas pandemisë, në gjykata janë 169 çështje gjyqësore për procedurat e falimentimit.

Me ligjin e falimentimit, që nisi zbatimin nga viti 2017, mbi çdo debitor qoftë biznes apo individ që nuk arrihet t’i ristrukturohen detyrimet procedura e falimentimit realizohet nga Gjykata e Falimentimit.

Nga Gjykata, hapja e procedurave të falimentimit mund të bëhet pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim të depozituar nga debitori ose çdo kreditor.

Ligji parashikon se debitori bën kërkesë për hapjen e procedurës së falimentimit për shkak të paaftësisë paguese ekzistuese ose paaftësinë paguese në një të ardhme të afërt të tij.

Kreditori duhet të depozitojë një kërkesë me shkrim në Gjykatën e Falimentimit, ku duhet të provojë ekzistencën e një detyrimi të maturuar dhe të papaguar nga ana e debitorit ndaj tij.

Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Falimentimit nga viti 2019 deri në muajin Qershor 2023 numri i çështjeve gjyqësore për shqyrtimin e procedurave të falimentimit nga gjykatat ishte 169 dosje. Në këto vite, 120 çështje rezultojnë të mbartura, çështje të reja janë 46, ndërsa 3 çështje janë të kthyera për gjykim.

Për periudhën janar-qershor 2023, totali i çështjeve është 21 (20 prej tyre janë të mbartura dhe 1 çështje është depozituar e re). Numri i dosjeve në Gjykatën e Tiranës është 16. Pjesa tjetër e çështjeve gjyqësore është e shpërndarë, si: 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 2 çështje në Dibër.

Për vitin 2022 sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Falimentimit janë 44 çështje gjyqësore për shqyrtimin e procedurave të falimentimit nga gjykatat e rretheve.

Referuar të dhënave të publikuara nga agjencia 29 çështje rezultojnë të mbartura, 14 janë regjistrime të reja dhe 1 çështje është e rikthyer për gjykim. Gjykata e Tiranës kryeson me një total prej 27 çështjesh për shqyrtim të procedurave të falimentit. Dosjet e tjera janë të shpërndara 2 në gjykatën e Durrësit, 4 në Shkodër, 2 çështje në Fier, 2 në Korçë, 4 në Vlorë dhe nga 1 çështje secila në Lushnjë, Dibër dhe Krujë.

Pas pandemisë së Covid-19 ka pasur një shtim të rasteve të falimentimit. Në vitin 2019 numri i çështjeve gjyqësore për procedurat e falimentimit arriti në 24 dosje, ku 21 prej tyre ishin të mbartura dhe 13 të reja. Për 2020 totali i dosjeve gjyqësore për shqyrtimin e procedurave të falimentimit arriti në 27, ku 22 prej tyre ishin çështje të mbartura dhe 5 të reja.

Për periudhën janar -dhjetor 2021 totali i çështjeve gjyqësore arriti në 43 dosje, ku 28 prej tyre ishin të mbartura, 14 çështje ishin të reja dhe 1 çështje e rikthyer për gjykim.

Përpara nisjes së procedurës së falimentimit nga gjykata, ligji i ri mundëson realizimin e shlyerjes kolektive të debitorëve nëpërmjet:) Likuidimit; b) Riorganizimit; c) Ristrukturimit të borxhit për individët; ose d) Ristrukturimit të borxhit për subjektet tregtare përmes marrëveshjeve jashtgjyqësore, të miratuara nga gjykata e falimentimit.

Ligji për falimentimin parashikon edhe emërimin e një administratori të përkohshëm falimentimi ose një administrator të përkohshëm mbikqyrje, i cili ngarkohet nga gjykata e falimentimit. Si administratorë të falimentimit të licencuar nga Ministria e Drejtësisë, për 2022 në listën e publikuar nga agjencia Kombëtare e falimentimit rezultojnë 7 administratorë.

Pas emërimit, administratori i përkohshëm i falimentimit do të ngarkohet me sigurimin dhe ruajtjen e pasurive të debitorit, si dhe me administrimin e punëve të përditshme të debitorit. Me emërimin e një administratori të përkohshëm të falimentimit, e drejta për të disponuar pasuritë e veta zakonisht i hiqet debitorit.