Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi S.Qazimi: Tre ujqër dhe një dele …

18
Sigal

Muaji zgjedhor i prillit të ardhshëm po na çudit çdo ditë e më tepër. Puthjet e kërcënimet kanë filluar që në shkurt. Buzëqeshje e thika pas shpine në ditët e pasmesmarsit. Fjalë të fundfjalorit dhe butafori groteske çdo ditë e më tepër. Duket se do të bjerë zjarr në pyll. Del zhapiku me lëkurën tërë thalpra të llustruara me ngjyrë më jeshile si vet gjethja e kanabisit dhe gjithë tangërllëk kërcënon minjtë, hardhucat, merimangat, milingonat: “Sapo kam ardhur nga strofka e gjarpërit dhe ai më porositi që askush të mos kalojë këndej, sepse këtu sundoj unë!” E vërteta është, se gjarpëri as që çau kokën për zhapikun kur në një cep lëndine, ditë më parë, u panë, por ai shpërfilltas ktheu kurrizin për të mos u ngjatjetuar. Mburret edhe kaposhi emërbardhë e gushëzi, hipur mbi një tog plehu e duke përplasur krahët: “Unë jam më i forti këtu dhe këndon deri në ekstazë”kikirikiuuu” duke iu thënë pulave, se këngën e tij e dëgjoi dhe e respekton gjithësia! Madje edhe dhelpra ‘e sinqertë’ bishtfshesë. Një sorkadhe e shkujdesur bën me kokë e me brirë që të duket trime, por fëshfëritjet e gjetheve nga lëvizjet e leopardit e trembin aq sa nuk di ku të fshihet. Çakalli, i pispillosur e i ngrehosur, ka kohë që ulërimën e tij e trumbeton si këngë dhe premton se do sjellë qetësi e begati në gjithë pyllin! Pa po guxon edhe lepuri veshgri,të krekoset mbiudhë e nënudhë, duke dredhur buzët e mustaqet tërë salltanete:” Isha te dhelpra dhe më tha që të bëjmë kujdes që këtej nuk duhet të lejojmë kurrë që të kalojë ariu…” Ariu kish ‘deklaruar’, se do të shkonte me pushime për të shijuar mjaltë jashtë territorit të tij, por e ktheu mendjen se një sëmundje të rëndë sollën salmonët e këtij viti dhe shumë kafshë po helmohen. Ai në një konferecë shtypi gërhiti rëndë: “Askush nuk më konkurron dot mua në demokracinë e këtij pylli!”Në këto ditë plot trubullira e prapaskena të luftës për pushtet në pyll, gjithë mburrje, premtime, krekosje e kërcënime po më shumë llafe boshe, se sa të vërteta, vetëm qentë, ruajnë gjakftohtësinë. Presin “ditën e dasmës” që të ngopin barkun me kocka e ndonjë thelë të pakruajtur mirë. Delet e varfëra, si gjithnjë, duan shumë pak! Të kullosin të qeta në livadhin e tyre me çoban të mençëm.Vetëm delja plakë e di se ‘demokracia’ është ajo që tregoi këto ditë Jorgua, miku i kryeçobanit, Safetit:”Ishin ulur në një tavolinë tre ujqër e një dele laramane.Ujku plak, kur po vinte vakti i të ngrënit tha: “Mirë, drekën e hëngrëm një dhi, po për darkë kë do hamë?”