Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Dashuria e Lasgushit dhe Përjetësimi i saj nga Ismail Kadare

427
Sigal

Nga Shpendi Topollaj

(Rreth romanit “Ikja e shtërgut”)

Para gati dhjetë vjetësh, Ismail Kadareja më dhuroi librin e tij “Përballë pasqyrës së një gruaje”, në të cilin qëndrojnë bashkë tre romane të shkurtër, ku veç atij të titullit, dhe “ Kalorësi me skifter”, është përfshirë dhe një tjetër me titullin “Ikja e shtërgut” që i kushtohej dashurisë poetike të Lasgush Poradecit me bukuroshen Ana G. I gjithë ai libër, si e gjithë krijimtaria e tij, më kishte lënë një shije të paharruar, ndaj një mbasdite e nxora nga biblioteka ime dhe zura ta rilexoj. Duke u kalamendur mes rreshtave, m`u kujtua ajo shprehja e M. Nekse se “Ngjeshja e skajshme e materialit.. . ja çfarë ka rëndësi për krijimin e veprës letrare”. Në pak faqe, gjeniu ka thënë aq shumë. Dhe pa të lodhur e sforcuar fare. Përkundrazi, ndihesh i çlodhur, i lehtësuar dhe i ripërtërirë shpirtërisht në këto ditë deprimimi. Sidomos me shtjellimin mjeshtëror të asaj historisë olimpike të poetit tonë magjik, Lasgush Poradeci, ku dhe do të ndalem gjatë këtij shkrimi. Kam folur gjatë e gjerë si për Kadarenë dhe veprën e mrekullueshme të tij, ashtu dhe për simbolin e dashurisë së pastër njerëzore, idhullin e tij, zemërzjarrin Lasgush Poradeci. Por, të dy ata janë universe më vete, ku vlerat e mëdha artistike e estetike, temat që kanë zgjedhur, trajtesat që u bëjnë atyre, mesazhet që japin, risitë letrare që sjellin, emocionet që përftohen nga dashuria që ata kanë për atdheun, njeriun, lirinë, të mirën e të bukurën dhe sidomos urrejtja për padrejtësinë dhe diktaturat, janë të pafundme. Të dy ishin sfidantë; Kadareja me penën e tij të guximshme e mjaft të rrafinuar, kurse Lasgushi me sjelljen e tij, me krahët e kthyer, me heshtjen mospajtuese me regjimin. Dhe vetiu, për këtë flet mëse qartë, si shkruarja e këtij romani për dashuri “të pamoralshme” e të pangjara më parë, në vitin 1986!, roman që shkrimtari ynë e mbyll me thirrjen: “Ku do të nisesh, shtërg i madh, dhe ku do të na lësh ne, të gjorëve?”, ashtu dhe teka prej plakut Goethe e Lasgushit, që vepronte lirshëm, sikur të qe në oborrin e dukës së Vajmarit, dhe pa drojë dashuronte tetëmbëdhjetëvjeçaren Ulrika fon Livencovin shqiptare, e jo nën vëzhgimin ziliqar të një monstre si Enver Hoxha.

Fjodor Dostojevskij në një nga librat e tij ka shtruar pyetjen se “Çfarë është Ferri?” dhe po vetë është përgjigjur: “Unë mendoj se është vuajtja e të qenit i pa aftë për të dashuruar”. Lasgushit i mungonin shumë gjëra: nderimi, mundësia e botimit për ato që shkruante sipas formimit të tij intelektual, jeta publike, liria e shprehjes, gruaja, mundësia e lëvizjes nëpër botë, shkuarja në Kosovë te miqtë e tij, gjezdisjet nëpër Shqipëri si pasojë e ngushticës ekonomike. Ishte gjetur mënyra më e poshtër për t`ja mbyllur gojën: ajo e shpërfilljes, e lënies në harresë, gjersa njerëzit të mendonin se kishte kohë që kishte vdekur. Pra, siç thotë në libër Kadareja: “Prej vitesh ishte dhe s`ishte. E kishin mënjanuar, mungonte në të gjitha ceremonitë. Dhe ndoshta pikërisht midis ceremonisë, prarimit të festës, niste qortimi për të.” Dhe më tej: “Ishte braktisur diçka që s`duhej braktisur. Ishte shkelur me këmbë ëndrra. Nga sallat tona të mbledhjeve, të ndriçuara brutalisht, dukej sikur ai, munguesi i madh, kishte marrë prarimin e përkorë të llampadarëve të vjetër, për të stolisur me të sarkofagun e vet”. Dhe si për ironi të fatit, në këtë kohë harrimi, dashamirësit të tij të madh, Ismailit i jep një lajm gati të pabesueshëm, i mërzitshmi dhe i padurueshmi R.P. :“Lasgush Poradeci ka pasur këtë verë një histori dashurie”. Po ku kishte lajm më të bukur se ky? Poeti qenka gjallë. Zemra e tij paska mbetur e pacënuar. Oh! Ç`lumturi! Ai tani po i kushtohej emocionalisht asaj që asnjë tiran apo paragjykim nuk mund t`ja ndalonte. Dhe pa u menduar gjatë, i hipën autobusit dhe merr rrugën për tek ai. Duhet mendja e ndritur e Kadaresë, vëmendja e tij, të cilës nuk i shpëton asgjë, dhe ajo vellua gogoliane e sarkazmës së tij që ta shijosh atë udhëtim. Dhe jo vetëm ta shijosh, por edhe të qeshësh me një pafundësi gomarllëqesh që na kanë ndjekur kur na duhej të shkonim atje ku pushonte ai, i madhi fare. Kontrolle, pas kontrollesh.

Njëri polic a sigurims më injorant dhe dyshues se tjetri. Ndofta të tillë i bënte detyra, por ajo që e çuditi më shumë nuk ishte pyetja “Përse shkoni në Pogradec”, sesa “E njihni Ana G.?” Pra, R.P. paskej qënë jo vetëm i mërzitshëm dhe i padurueshëm, por edhe provokator; ai e paska shpënë fjalën tek ata. Se ndofta Ana G. kishte ndonjë plan kundër udhëheqësit, që vinte atje. Por edhe nëse jo, ajo donte t`i bënte karshillëk me poetin atij. E kam parë Ana G. dhe më kanë folur njerëzit e sime shoqe për zgjuarsinë dhe kulturën e saj kur ishte mësuese letërsie në Pogradec. E kam dëgjuar një mbrëmje në shëtitje, teksa fliste me një grup të rinjsh. Portreti i saj nuk do t`u shpëtonte lehtë piktorëve të mesjetës fiorentinase. Me një shkodranishte të ëmbël, e sigurt në ato që thosh, kuptohej menjëherë se ishte një grua intelektuale që kishte ecur shumë para kohës, aq sa më kollaj mund të besoje se kishte dalë nga faqet e librave të Mopasanit, Çehovit a Cvajgut, sesa nga apartamentet gri e të ngushta të një qyteti të humbur shqiptar, ku syri të zinte “Nën dritën e pamëshirëshme të diellit, vitrinat e dyqaneve (që) ngjanin edhe më të varfëra. Në qelqe, si kudo, kishte prapë parrulla, madje më tepër se dy vjet më parë, kur kisha qenë këtu me pushime. Pantallona burrash, kinkaleri. Edukim, vigjilencë, shampo…Vapë dhe qytet i vogël provincial. Klubi i gjuetarëve. Berberhane. Qendër edukimi e lagjes Nr. 6.” Pra, mërzi. Ana G. mes atyre ndërtesave të shëmtuara, natyrisht që autorit të romanit, i është dukur me të drejtë e huaj dhe skandaloze. Por edhe si dhuratë nga Lasgushi, në pamundësi për t`i shndërruar arkitekturën. Dhe e gjithë kjo, me një mjet të pabesueshëm: me dashurinë e tij fisnike që ai vetë ishte munduar ta mbante të pazbuluar: “Se s`dashuroja as unë as ti, / Por dashuronte dashuria, / Një dashuri plot fshehtësi, / M`e fshehtë se fshehtësia.” Por si mund të mos merrej vesh kjo dashuri e çuditshme, ku edhe ajo midis dy të rinjve gjimnazistë, bëhej objekt theshethemesh të pafund? Maksim Gorki duke folur për përditshmërinë e shkrimtarit, pra për qënien e tij njeri, ka thënë se “Shkrimtari nuk duhet të jetë Robinson… duhet të jetojë jetën, të thërrasë, të qeshë, të shajë, të zihet, të dashurojë”.

Mendoni pastaj, Lasgushin, me zemrën e tij sa bota. Veç duhet pranuar se atë së pari e pa dhe e kuptoi, për të mos thënë, e përligji, një tjetër mendje superiore, ajo e Ismail Kadaresë. Marsel Prusti për stilin e shkrimtarit, ka thënë se ashtu si dhe për piktorin, nuk është çështje teknike, por është çështje e botëvështrimit. Dhe botëvështrimi nga ana e saj është e shkallëzuar, nga e zakonshmja deri te gjenialja. Dikush mund të dyshojë dhe të thotë se çfarë do t`i pëlqente Ana G. plakut Lasgush me atë pallton e vjetër, kapelen e zezë republikë strehëmadhe dhe shkopin ku mbahej. Por përtej kësaj, ai vazhdonte të ishte një shpirt. Një shpirt i pashoq, i bukur, plot jetë, që ngazëllehej njësoj si nga vala e liqerit, si nga kërcitja e një lopate të varkës që voziste tek kthehej pas peshkimit, si nga ajo shqiponja që po arratisej tutje ndë Mal të Thatë, ashtu dhe nga bukuria e një gruaje, gati si Ana Kern. Po pse, a nuk e dimë se kudo do gjesh femra që vazhdojnë të dashurojnë Danten, Pushkinin, Lermontovin, Bërnsin, Eseninin, deri dhe A. Bllokun (atij që skruante: “Dhe para korit plaku si trim, / Këmbën përplas: / Më digj të tërin me zë, me shikim, / Ksjusha, ti gaz!” dhe që qe shkruar edhe një novelë për një vajzë sovjetike të dashuruar me të pas vdekjes), e plot të tjerë, edhe pse ata fizikisht nuk janë mes nesh. A nuk do të dëshironte secila nga ato të ishte e dashura e  ndonjërit prej tyre dhe a nuk do të ndjehej e privilegjuar e fatlume sikur pena e tyre ta përjetësonte atë në jetë të jetëve. Dhe a nuk kemi gjithë të drejtën tonë të mendojmë se edhe Ana G. e tillë mbeti, falë atij platonizmit të saj për magmën e të dashuruarit, të atij që i ngriti himne ndjenjës më sublime që njeriu ka. Dhe që me veprimin e saj, tërhoqi vëmendjen e Kadaresë, atij që me talentin e tij të papërsëritshëm, i bën nder gjithë Shqipërisë dhe shkoq kaq mjeshtërisht fuqinë ripërtëritëse të dashurisë, “sidomos në muzg të jetës”. Të një dashurie, për të cilën pasi i ra në dorë shkrimi i vetë Lasgushit “Vizita e zonjushës Ana G. në kullën time” nuk kishte më asnjë fije dyshimi. Për më tepër, ju rrit nderimi për atë zonjushë, derisa duke hyrë brenda asaj “kulle”, kujdesej të mos e vriste hijen që ajo kishte lënë duke ngjitur ato shkallë. Por ngjarjet marrin një kthesë krejt të papritur: kur Ismaili takon Lasgushin, i cili “kishte po atë buzëqeshje si vitin që shkoi”, ky i fundit u kthye te ai karakteri rebel i tij, gjë që i prishi të gjitha planet e vizitorit. Qysh në fillim i tha: “Kombin e bëjnë poetët”. Ata, atje lart kujtohen për ta, vetëm kur u a kanë nevojën. Dhe pastaj vijon pyetja befasuese: “Me që ra fjala, ç`bën ai (Enveri), gjallë është apo ka vdekur?”. Dhe e gjithë kjo, ndërsa ai përbindëshi, me grua, fëmijë, dhëndurë dhe nuset, shihte darkave gjyqin e familjes të Kryeministrit të shpallur poliagjent edhe pse me të i kalonin pushimet së bashku. Ka diçka shekspiriane këtu, për të mos thënë se do mjaftonte një truk i vogël dhe kushdo do ta besonte se ishte vepër e fantazisë së tragjikut të madh anglez nga Strasfordi. Kulmi arrin kur mes dilemës se kush kishte ndikuar më shumë për emrin Poradec; liqeni, qyteti apo vetë poeti, autorin e romanit, duke hedhur vështrimin tutje në errësirën e qiellit dhe ndriçimin e yjeve, e mundon vargu “Fluturoi dhe shtërg i fundit madhështor me shpirt të gjorë”. Por lexuesi duhet ta nxjerrë vetë arsyen pse poeti, plaku – djalë po shkon zemërthyer: nga heshtja zyrtare dhe harrimi që e ndoqi pas, apo nga humbja e dashurisë së tij për bukuroshen e mençur Ana G. Ama një gjë është e qartë; ajo që Dyame ka thënë se “Qëllimi epror i romancierit është të na bëjë të ndjeshëm për shpirtin njerëzor, të na bëjë ta njohim e ta duam në madhështinë dhe në mjerimin e tij, në fitoret dhe dëshirat e tij”. Nuk ka lexues që të mos e kuptojë forcën e shpirtit njerëzor në këtë roman që karakterizohet nga porosia tolstojane, për thjeshtësinë, lakonizmin dhe qartësinë, duke arritur kështu përsosmërinë e formës së artit, gjë që e bën vetëm një shkrimtar me prirje dhe punë të madhe si Ismail Kadareja ynë.