Suplementi Pena Shqiptare/ Ismail Kadare: Motive me diell

158
Sigal

 

Motive me diell

Mbi liqenjtë e Lurës po bie mbrëmja.
Muzgu rrjedh nga majat e pishave nëpër trungjet e kalbur.
Grumbullohet në pellgje të vegjël:
kullon pastaj nëpër furçën tënde të dridhshme.

Shpejto!
U bë vonë!

Kap ç’të kapësh nga ngjyrat që dridhen
e fërgëllojnë,
duke ikur plot alarm nga mbrëmja që i ndjek.

Kap motive me diell…
Nëpër furçën tënde kurrë nata mos kulloftë.

FEMINIA

Fëminia ime gishtat lyer me mellan.
Në mëngjes kambanat,
myezini në muzg.
Koleksione paqetash e pullash të vjetra.
Shkëmbimi i një “Ceyloni”
me dy “Luksemburg”.

Kështu iku ajo,
kohë e fëminisë:
Vrapoi duke ngritur pluhur e britma pas
një top lecke.

Një top lecke,
nga leckat e thinjura të Shqipërisë.