Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Sazan Goliku, prozatori që me pak fjalë, thotë aq shumë

408
Sigal

Pandeli Koçi, i njohur më së shumti me emrin letrar Sazan Goliku, ka nisur të botojë aty nga fillimi i viteve shtatëdhjetë. Qysh atëherë, u pa se brenda atij trupit të tij të vogël, qëndronte një talent i madh si në poezi, ashtu edhe në prozë. Por më shumë se kaq, tek ai njeri do gjeje një shpirt të madh, falë të cilit ai jo vetëm u bë shpejt mik i shumëkujt, por edhe hyri ashtu si pa kuptuar në radhët e intelektualëve të spikatur dhe të respektuar të kryeqytetit. Por në këtë shkrim do rrekem të përsias rreth tregimeve të tij, përmbledhur te “Trekëndëshi i qiellit të zi”, botim i “KORBI” në vitin 2006 dhe në vazhdim, te “Pas heshtjes”, botim i “EMAL” në vitin 2019. Ajo që bije në sy menjëherë është fakti se në pastë ndonjë shkrimtar shqiptar që i ka tregimet më të shkurtra, ky është Sazan Goliku. Në pastë ndonjë shkrimtar shqiptar që tregimet i krijon nga mendja e tij, ky është Sazan Goliku. Në pastë ndonjë shkrimtar shqiptar që e ndërton tregimin e tij mbi një fabul fare të thjeshtë, ky është Sazan Goliku. Dhe në pastë ndonjë shkrimtar shqiptar, te tregimet e të cilit, gjithkush ndesh ato që ka përjetuar vetë, ky përsëri është Sazan Goliku. Kuptohet që këto karakteristika të prozës së tij nuk janë pak. Vetëm njëra prej tyre do t`i bënte nder çdo shkrimtari. Tregimi nga ana e tij, duke qenë një nga llojet e letërsisë epike narrative, e ka në natyrën e saj shkurtësinë. Ai, duke u marrë vetëm me ndonjë episod të shkurtër të jetës së njeriut nuk merret me disa ndodhi apo shumë personazhe. Pikërisht këtu qëndron edhe sekreti i suksesit të tij; pra me fare pak fjalë, shkrimtari duhet të thotë shumë. Dhe Sazani duke pasur kulturën e duhur, por edhe përvojën e punës si redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” etj. ja ka dalë më së miri ta kënaqë lexuesin pa e lodhur fare atë. Talentin e tij për shkurtësi ai e ka vënë në funksion të temës që ka zgjedhur, pra ka ditur me zgjuarsi t`i kombinojë mrekullisht ato. Kështu, le të ndalemi te disa prej tyre. “Rikthim në terr” na jep ringjalljen e Udhëheqësit të Madh O, pra një temë universale dhe e gjithkohëshme, për të cilën mund të shkruajmë e të shkruajmë dhe fundin të  mos ja gjejmë. Janë rrekur të besojnë te përjetësia dhe lavdia e tyre mbretër, perandorë e faraonë të lashtësisë e deri udhëheqës të kohëve moderne që bëjnë sikur janë të thjeshtë dhe mbrojnë vetëm interesat e popullit. Pavarësisht kohës kur jetuan, dhe besimit se janë të dërguarit e Zotit në Tokë, pra, se pa praninë e tyre, këtu do e merrte ferra uratën, ata, në etjen për pushtet e pavdekësi kanë qenë të gjithë njësoj. Kanë kërkuar t`u ngrihen statuja, muzeume, piramida dhe emri, e mundësisht edhe trupi i tyre të zinte vendin kryesor në Panteonin e një kombi. Dhe çfarë zhgënjimi provojnë, ata që nuk i kanë merituar këto ndere, si ky Udhëheqësi ynë O, kur shkrimtari i nxjerr nga varri, që të shohin se si i ka katandisur gjyqi i të vërtetës historike. Se ai edhe i vdekur “Ecte pa hije dhe krrokatja e skeletit të tij drithëronte e trembte ajrin e hijet e drurëve përreth”. Ai, edhe tani që s`është tjetër veçse një grusht kockash, kërkon të hipë në piedestalin pesëdhjetë metra të lartë. Por ç`e do; vendin ja ka zënë simboli i Lirisë, ku ai përplas e thyen kokën e cila i shkërmoqet mbi mermerin e bardhë, për ta mbledhur pastrueset në një kuti ambalazhi e për ta shpënë diku andej nga cepi i varrezave te parcela pa emër. Në këtë jetë edhe dikush si Bato B që ëndërronte të ecë përpara me drejtësi e djersën e vet për t`u bërë Ai që do të shëronte plagët e lëngimet e trupit e të shpirtit të njerëzve, nga mospasja, jo vetëm që nuk arrin të shkollohet, por në luftën për mbijetesë del nga një kthinë e metrosë ku punon dhe ku e kanë strehuar, jo me këmbët e tij, por brenda një arkivoli të zi, ndërsa librat ku shpresonte të bëhej i vlefshëm për shoqërinë, ia kishin ngrënë minjtë. (Zgafella e një jete). E dimë që nuk ndodh, por në fantazinë e shkrimtarit çfarë nuk bën vaki; një çift diku në një planet vret mendjen për të zbuluar misteret e makro dhe mikro kozmosit, me bindje se kështu do zbulojnë atë që i mundon; misteret e vetë trurit, edhe pse gruaja i kujton të shoqit se atëherë do të jetë fundi i botës tonë. Të shtrirë në një varkë, ata flenë një milion vjet dhe kur zgjohen asgjë nuk kishte ndryshuar, veçse pozicionet nga kishin vënë kokën. Flenë sërish dhe zgjohen në planetin Tokë, ku njerëzit gjithashtu i mundonin po ato pyetje që nuk do t`ua gjenin kurrë përgjigjen (Çast i përtejmë). Nuk do t`ua gjenin edhe pse këtu flitej për mendje të ndritura si Bill Gejtsi dhe përhapjen masive të kompjuterave dhe pushtimin nga robotët të cilët i quajnë pleqtë e gjorë atavizma dhe ku çdo lëvizje kontrollohet (Roboti). Se njeriu me të vërtetë ka mbetur atavist, gjersa një mushkonjë e vetme, me një të pickuar derdh tek ai helmin e xhelozisë edhe mes të porsa martuarve, çka shpije në tragjedi (Mushkonja). Dhe ku problemet politike mes fqinjëve nuk zhduken asnjëherë, pasi naçallnikut i pjell mendja djallëzi të pa besueshme, aq sa nga inati se te fqinji i tij shqiptar kanë zgjedhur të ngrenë folenë lejlekët, i merr vezët e tyre dhe i zien që të mos çelin më zogj (Dredhia). Apo, kur armiku kthehet në një monstër si rezervisti i mbiquajtur “I ziu” që bën krime të padëgjuara, duke vrarë mizorisht edhe fëmijët e vegjël (Përbindëshi). Ama, le të jemi deri në fund të ndershëm; edhe ne vetë kemi gjynahet tona. Për një fjalë goje, atje në bilardo, Dulja vret Azemin dhe hakmarrja vazhdon aq gjatë sa krijohet një parcelë e tërë dhe ku ullinjtë lëshojnë sipër pllakave të varreve, kokrra si pika loti (Ullinjtë – kokrra loti). Mjaft bukur është thurur mikrotregimi për zakonin që la plaku Lekë Kolë Haku, i cili çdo ditë te dega e lisit mbi rrugën këmbësore Dukagjin – mal për Gjakovë, mu te burimi, varte torbën me bukë e djathë për udhëtarët e uritur, paçka se dikush futi atje një herë një nepërkë (Buka e shtegtarit). Gjesti i plakut të urtë, tani i ka kaluar legjendës, se shpesh ashtu ngjet me atë që bën diçka të lavdërueshme, pasi është ashtu sikurse thotë autori te tregimi “Miza e zezë”, se “Shpesh hiri i përditshmërisë mbulon pa mëshirë vezullimet e nderimit e të mirësisë. Dhe njeriu i shkretë shpesh harron edhe veten, pa le të tjerët”. Normalisht që ka dhe shumë njerëz të arsyeshëm që dinë të ruajnë dinjitetitin e tyre, si regjisori te “Nga ditari i një regjisori”, skulptori Afrim Stoli që nuk pranon favore në shkëmbim të nderit te “Nafora” apo gruaja që s`pranon të bëhet bashkëfajtore në prishjen e familjes të tjetrit “Në dhomën 55”. Theksova më sipër se ky autor operon me imagjinatë, ç`ka është aftësi e tij që meriton të përshëndetet. Kjo veti e tij vjen mesa kuptohet nga besimi që ai ka, sikurse shprehet te tregimi “Profesori dhe atentati”, se “E vërteta, mesa duket , do të dalë vetëm në letërsinë artistike, domethënë nga imagjinata”. Dhe në të njëjtën linjë dhe me po atë besim, shkrimtari Sazan Goliku, na i paraqet tregimet e tij edhe pas pesëmbëdhjetë vjetësh te përmbledhja “Pas heshtjes”, ku dallon me një herë edhe ngritja e nivelit artistik në strukturën e tregimeve. Këtu, problemet janë më të prekshme, konfliktet më të dukshme dhe shpesh shkrimtari i zgjat brenda arsyes disa nga tregimet si fjala vjen “Pas heshtjes”, “Vesa mbi shark”, “Hija e verbër”, “Piktorja”, “Tinguj të trishtë dashurie” etj. Kjo është një thyerje e pritshme pas botimit të disa librave në prozë, ku nuk ka sesi të kalojë pa u vënë re kujdesi që ai tregon në futjen dhe ndërthurjen qartësisht të erudicionit të tij me ato që përshkruan. Është vendi të evidentojmë për ilustrim tregimin e shkëlqyer “Pas derës së bibliotekës”, ku të diturit e botës, pasi kanë dalë nga faqet e librave të tyre, kanë nisur të grinden me njëri – tjetri, aqsa i ngrenë nga gjumi të zotët e shtëpisë. Platoni me Aristotelin kërkonin t`i prisnin zgjatushin Sigmund Frojdit (dhe mirë do bënin se e meritonte), ndërsa Epikuri, Lukreci e Kajami, argëtoheshin. Aty pranë Fromi po i mësonte Hamletit monologun “Të kesh a të mos kesh”, Sokrati kishte futur mes këmbëve gjykatësin dhe i derdhte në gojë kupën e helmit, disa të rinj mbanin Shopenhauerin të mos vetvarej, ndërsa Niçja ishte kthyer në njeri prej hekuri mbi kalin e Zarathustrës, ndërsa Marksi e mbante Hegelin kokëposhtë duke e shkundur, që t`i binin monedhat e arit nga xhepat etj. etj. Në këtë përmbledhje të botuar së fundmi, duket edhe shqetësimi i këtij autori për çështje konkrete, deri diku edhe me tendenca politike e sociale. Ja pse të dhimbset plaku Cen Kushi, babai i dy djemve, Bilalit dhe Balilit që duan t`ja lënë njëri – tjetrit përgjegjësinë e mbajtjes të të atit, i cili gjendet i vdekur pranë fshatit të lindjes me 175 lekë dhe librezën e pensionit në xhepin e vogël të xhaketës, por edhe me një letër të palosur, ku me bojë të kuqe kishte shkruar “U ktheva në Shegas për të mos mbetur i vetëm në varr”. Duhej thënë; për të mos mbetur i vetëm edhe në varr. Dhe këto halle të hirta siç i quan poetikisht ky shkrimtar te tregimi “Vetmi”, vijojnë edhe te mos ushqyerja e maces apo te humbja e fjalëve krenar, krenari, krenohem, nga “Fjalori i Gjuhës Shqipe”. Duke lënë pas nëntekstet, Sazan Goliku, gati i revoltuar ndaj realitetit të trishtuar, ku jeta e njeriut është shvleftësuar, shkruan te “Pamflet politik”: “Demokratët” e “komunistët”, ku asnjëra palë nuk ishin të tillë, përplasnin egërsisht shpatat e fjalëve çdo orë, çdo ditë, çdo vit në kuvende, në faqe gazetash, në ekranet hipokrite të TV – ve”. Bukur edhe kështu! Ky është dhe qëllimi i përbotshëm i prozës, që duke ardhur nga latinishtja (prosa), ka kuptimin: fjalë e thënë direkt. Direkt, Sazan Goliku, u thotë politikanëve: “Shteti, si shtet që është, me mjetet përkatëse dhe me mënyrat e tij të frytshme ka për detyrë t`i kërkojë, t`i gjejë dhe të na i sjellë këto fjalë të trashëguara brez pas brezi (pra, ato tre fjalët e humbura), përndryshe hemoragjia e fjalëve do të jetë e pashmangshme…” Kaq mund të bëjë artistikisht një shkrimtar. Ai foli dhe çliroi shpirtin!