Ervin Mete: Shqipëri në trendet fiskale

13
Sigal

Të enjten në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, ministri i Financave, Ervin Mete, tha gjatë fjalës së tij se ekonomia shqiptare po vijon të mbajë një trend rritjeje dhe se rritja e mëtejshme e pagave që pritet të ndodhë së shpejti i përgjigjet synimit për një rritje ekonomike sa më gjithpërfshirëse. Ministri solli në vëmendje rritjen e vlerësimit të Shqipërisë nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard&Poor’s, vlerësim që sipas tij, certifikon momentin e mirë ekonomik të vendit. Ministra tha se ky vlerësim ndikon në reputacionin dhe aksesin në tregjet ndërkombëtare, në koston kreditimit dhe aksesin në financë, si edhe në tregun e brendshëm sa i përket kreditimit. “Është certifikim i një trendi dhe ecurie afatgjatë që, duke parë tani edhe shifrat e fundit të investimeve të huaja, që praktikisht janë shifra rekord, kombinuar edhe me shifrat pozitive dhe në rritje të turizmit, japin besimin që ky trend pozitiv dhe ky konsolidim i financave publike, më tej qëndrueshmëria e këtij trendi, do të vazhdojë”, u shpreh ministri. Sipas ministrit, është e rëndësishme momenti i mirë ekonomik që po kalon vendi të përkthehet në mbështetje të shtuar për sektorët e ekonomisë dhe për shtresa të caktuara, për një rritje ekonomike sa më gjithpërfshirëse.