Suplementi Pena Shqiptare/ Zija Çela: Dialog për dashurinë dhe dreqin në bark

268
Sigal

 

 

Mirela PAPUÇIU

Sa mbushem prej asaj që del nga dora, zemra e mendja jote, Mjeshtër!

Aq sa mendoj që, po të kishte një pyetje se prej ç’ lënde është i përbërë Zija Çela, përgjigja do të qe: “Prej letërsie.”

Edhe elementet reale të jetës tënde duket sikur i janë dorëzuar konvertimit të plotë. Ndaj, edhe pse njerëzor, ka diçka krejt të pakapshme tek ti… Është ajo, aureola.

PERGJIGJE: Nuk mundem, sado me drojë ndaj lexuesit, nuk mundem pa i thënë dy fjalë, Mirela.

Çfarë poezie më ke blatuar!… Këtu nuk ka as strofa me rima, as vargje të lira, por ka frymë arti. Ka liri excelente në marrëdhënien letrare mes brezash. Poezi, poezi e mendjes së hapur, e zemrës së emancipuar dhe e kërkimeve të ndergjegjshme krijuese.

E kur vjen? Po rihyjmë në kohën pandemike të mutacioneve, në stinën kur dita ngjan shpesh si natë, vetë nata bëhet e gjatë, andaj të vjen të thuash: Kush gjen letërsinë, ndoshta zëvendëson farmacinë.

Të dëshiroj mbarësi, mbarësi e krijimtari, e dashtuna Poete. Si zakonisht, patjetër të përqafoj për sot e për nesër. Por kësaj here edhe me një urim. Uroj që njerëzit e Letrave, tëmthi i të cilëve vlon nga acidet përvëluese, si gjatë ditës me dritë, ashtu dhe gjatë ëndrrave në gjumë, të urrehen më pak dhe të duhen më shumë. Motive egoiste janë ato që bëhen shkak për të jetuar me dreqin në bark.

Sa për atë që më blaton, atë “krejt të pakapshmen”… Oh, sa mirë, sa mirë që nuk e ke çuar deri në fund! Sepse i plotë ky kuptim ndoshta vetëm mund të jetohet, i formuluar teorikisht nuk gjendet askund.

Tashti vjen “aureola”, të cilën, ta dish, e bëj zap menjëherë. Aureolë nuk ka, nuk ka aureolë, për vdekatarët ka vetëm sublimim njerëzor.