Sigal

Kriza politike mund të zgjidhet vetëm në rast zhbërjeje të këtyre zgjedhjeve ogurzeza, të paarsyeshme dhe në kundërshtim me ligjin kushtetues të Presidentit! Shfuqizimi i këtyre zgjedhjeve do ishte në nderin dhe dinjitetin tonë kombëtar gjithashtu!

Agim Hushi, Tenori shqiptar me famë botërore në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” flet për 30 qershorin. Artisti Agim Hushi e quan 30 qershorin si dita e rikthimit në Diktaturë, ndërkohë që populli tregoi vetëpërmbajtje e kulturë, kryeministri me kostum qesharak. Artisti Hushi shpreh bindjen se kryeministri nuk ndryshon, nuk do të rikthejnë normalitetin demokratik, por do të fuqizojë pushtetin. Artisti Hushi thotë se kriza politike zgjidhet vetëm me zhbërjen e këtyre votimeve ogurzeza.

Zoti Agim Hushi shpërthen edhe ndaj ndërkombëtarëve që mbështetin neodiktaturën në Shqipëri dhe bën thirrje që “Besoj se ka ardhur koha që të respektohet realisht pavarësia kombëtare dhe t’u tregohet vendi që u takon të huajve!”

– Zoti Hushi, çfarë ju bëri përshtypje në votimin e 30 qershorit?

-30 Qershori do mbetet në Historinë e shqiptarëve si dita më e errët për demokracinë shqiptare, dita e rikthimit në Diktaturë! Kjo datë do të mbetet në kujtesën tonë si humbja e arsyes qytetare, e një tragjedia sociale dhe egos së sëmure së një marrëzie të paparë shtetërore në kufijtë e një sëmundje psiko-patologjike! Kjo datë shënoi puçin institucional nga qeveria ndaj një ligji presidencial që me vendosmërinë e një diktature të instaluar plotësisht bojkotoi të drejtën e një populli për t’i thënë jo monizmit, instalimit të një pushteti qesharak dhe tragjik një ngjyrësh! Kjo datë do të mbetet në kujtesën tonë si rikthim në diktaturë dhe kur kutitë e votimit prodhuan më shumë fletë votimi se ç’kishim votues! Kjo ditë në mënyrën më të turpshme do na kujtojë se kjo diktaturë përfaqësohet nga populli me vetëm 10% e votuar!

-Ju si e lexoni sjelljen e Elektoratit shqiptar ( edhe të atyre që votuan, edhe të atyre që e bojkotuan) në 30 qershor?

-Kjo ditë në sajë të vetëpërmbajtjes, kulturës dhe ndërgjegjes popullore ishte një ditë e heshtur si çdo ditë zije kombëtare! Pa incidente, pa akte dhune dhe me sfond kostumin qesharak të një njeriu që po e çonte Shqipërinë në një kohë të shkuar, si në një dramë futuriste, 30 vjet pas!

-A mund të pretendohet nga Kryeministri Rama që, siç deklaroi në mbrëmjen e 30 Qershorit, se nuk do ikte (nuk dorëhiqet) sepse ka mandat qeverisës 4 vite, ndërkohë që PS -në tani e votoi vetëm 13 % e elektoratit?

-Ka shenja të qarta se Kryeministri nuk jep dorëheqjen dhe është naivë të besosh të kundërtën! Marrëdhënia e tij me pushtetin tashmë është provuar se është simbiotike! Asgjë nuk funksionon në arsyen e tij të errësuar nga pushteti! Nuk i bëjnë përshtypje as skandalet e përgjimeve që në Austri sollën stuhi ndryshimesh dhe përmbysën qeverinë! Dhe në vend të reflektimit të thellë, serioz e me përgjegjshmëri kemi aktin e papërgjeshmërisë së një padije ndaj gazetarit të prestigjiozes “Build” në bashkëpunim me një nga avokatët më të shtrenjtë të Evropës që merret me çështje sheikësh! Kur në Hong Kong protestuesit pushtuan parlamentin në emër të demokracisë, në Shqipëri opozita fyhet, denigrohet, bëhet fajtore për protestën e saj të ligjshme. Ndërsa opozitarët rrihen, burgosen, dhunohen, përndiqen si në çdo diktaturë! Më vjen sinqerisht keq që një burrë fisnik si Zoti Lleshi është bërë sot grushti i diktaturës. Çdo zë kundër qeverisë përndiqet, intimidohet! Jemi i vetmi vend në botë, ku kryeministri ka krijuar një armatë të paligjshme dhunuesish nga bedenat e fshehura të kryeministrisë për të intimiduar, fyer dhe persekutuar me profile të rreme njerëz të fjalës së lirë, nëpër rrjetet sociale!

Duke njohur Edi Ramën, a mendoni se është i sinqertë kur deklaroi dje se tani është i gatshëm të dialogojë pa kushte me Opozitën?

– Nuk i besoj Edi Ramës ! Për çfarë do bisedojë dhe bashkëpunojë ai me opozitën? A mund t’i anullojë këto zgjedhje dhe ta futë Shqipërinë në normalitet? Jo, nuk e besoj!

-Ju çfarë besoni: Cila do të ishte zgjidhja e Krizës Politike?

– Kriza politike mund të zgjidhet vetëm në rast zhbërje të këtyre zgjedhjeve ogurzeza, të paarsyeshme dhe në kundërshtim me ligjin kushtetues të Presidentit! Shfuqizimi i këtyre zgjedhjeve do ishte në nderin dhe dinjitetin tonë kombëtar gjithashtu!

-Zoti Hushi, shumë shqiptarë mendojnë se ata që do të vendosin për zgjidhjen e Krizës Politike dhe madje edhe për Fatin e Demokracisë në Shqipëri janë partnerët politikë ndërkombëtarë si SHBA dhe Bashkimi Evropian. Ju çfarë gjykoni?

– Vartësia politike nga të huajt besoj se është pasoja më e keqe që po përjetojnë shqiptarët! Besoj se ka ardhur koha që të respektohet realisht pavarësia kombëtare dhe t’u tregohet vendi që u takon të huajve! Sjellja me disa standarde për shqiptarët, kur në Francë jelekverdhët bëjnë ç’të duan në atdheun e tyre kurse shqiptarët duhet të respektojnë rregullat e kafazit, kur austriakët ndërrojnë qeveritë për skandale përgjimesh, shqiptarët duhet të dëgjojnë opinionet e burokratëve të huaj! E kemi shitur shumë lirë mbështetjen tonë ndaj amerikanëve dhe evropianëve! Nuk jemi vasalë të tyre, por njerëz të lirë në një atdhe të lirë! S’jetojmë me bukën e tyre, por me djersën tonë! Vendosja e standardeve të reja në marrëdhëniet me ta do të na bëjë më të fortë, me dinjitozë, më të respektuar! Amerikanët na lanë pas Rajersonin dhe Berishën, tani po na këshillojnë monizmin dhe puçin presidencial!

– Çfarë mendojnë të Huajt për Shqipërinë sot?

– Ajo që është dramatike është fakti se me gjithë nënshtrimin tonë total të huajt po e shohin Shqipërinë si delen e zezë! Bashkimi Evropian po bëhet gjithnjë e më e largët për shqiptarët! Propozimi i disa vendeve Evropiane për anulimin e vizave për shqiptarët është një akt i paprecedent albanofobisë! Por është tragjike që në këto kohë të vështira të marrëdhënieve diplomatike ne përfaqësohemi nga një kalama qesharak si Ministri Caka!

– A ka bërë progres Shqipëria në 6 vitet e qeverisjes së Rilindjes Socialiste?

– Mendoj se Shqipëria ka bërë progres në administrim dhe menaxhim, por ka humbur atë më të madhen dhe më kryesoren: Shpresën se Atdheu do të bëhet, njerëzit që po arratisen masivisht nga atdheu i tyre! Por ajo që më trishton është se pas 30 qershorit zyrtarisht jemi në diktature! Po e mbyll këtë intervistë me një fakt! Si çdo diktaturë dhe kjo i ka sazexhinjtë e saj që i thurin lavde dhe e brohorasin! Le ta lëmë një shkëndijë demokracie e t’i japim të drejtë të gëzojnë dhe shijojnë këtë sistem sazexhinjtë e Rilindjes!

– Faleminderit!

Gazeta “Telegraf”