Besart Xhaferri: ‘Smart City’ një tjetër aferë korruptive, qeveria po e përdor sigurinë publike si justifikim për korrupsion

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë duke e akuzuar se po qeveris me arrogancë, pa transparencë dhe në dëm të interesit publik.

Xhaferri deklaroi se mazhoranca ka miratuar ligje të rëndësishme, si ai për zonat e mbrojtura, ligji për investimet strategjike dhe paketa e maleve, pa debat dhe pa transparencë, ndërsa shtoi se opozita do të vijojë të ngrejë shqetësimet e qytetarëve dhe të mbështesë protestat si formë presioni ndaj qeverisë.

NOA

Deputeti demokrat ngriti gjithashtu shqetësime për sigurinë e të dhënave personale, duke pretenduar se ato janë keqpërdorur edhe më parë dhe duke shprehur mosbesim ndaj administrimit të tyre nga Policia e Shtetit, për shkak të rasteve të bashkëpunimit të zyrtarëve të policisë me grupe kriminale të hetuara nga SPAK.

Sa i përket projektit për sistemin inteligjent të kamerave, Xhaferri e cilësoi atë si një projekt që, sipas tij, rrezikon të shndërrohet në një tjetër aferë korruptive. Ai argumentoi se Shqipëria nuk ka mungesë teknologjie për të luftuar krimin, por mungesë vullneti politik për të goditur trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe krimin e organizuar.

Më tej, Xhaferri akuzoi qeverinë se po dëmton marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe se po përdor fondet publike në mënyrë jo transparente, ndërsa theksoi se presioni qytetar mbetet, sipas tij, mënyra kryesore për të kërkuar llogaridhënie nga mazhoranca.

Se normalisht bota e lirë nuk pranon një vend në mes të Evropës me narko-ekonomi, me narko-vizion edhe me narko-qeveri. Pra unë nuk mendoj se kjo ka përcjellë siguri publike më të madhe për Shqipërinë, por do të sjelli korrupsion akoma dhe më të madh në emrin e sigurisë publike. Dhe për këtë arsye mendoj dhe shpresoj që kjo të dështojë, dhe ka mundësi të dështojë, në rast se patjetër presioni i qytetarëve do vazhdojë, do rritet. Megjithëse gjasat dhe sinjalet duken jo inkurajuese, sepse ndërkohë që ne bëjmë protesta kaq të mëdhaja nga shoqëria civile, kryeministri shkon dhe jep 4 milionë euro për një këngëtar, apo tani do vazhdojë me të gjitha çmenduritë që kur ai vë në kokë do t’i vazhdojë dhe në mënyrë arrogante, jo transparente, që të tregojë se është akoma ai që qeveris. Por maska i ka rënë, mediat ndërkombëtare po ja çjerrin atë maskë. Në opinionin publik i cili ishte manipuluar me shumë para dhe me shumë dhunë dhe me shumë intimidim, po çlirohet dhe imazhi i Edi Ramës si një autokrat që keqpërdor taksat tona po del dhe po bëhet akoma dhe më i kristaltë në mendjet e qytetarëve.