27 ligjet e paketës së
re që plotëson reformën në drejtësi nuk janë njësoj të rëndësishme si 7 ligjet
e para. Por një prej tyre është një përpjekje për luftën kundër korrupsionit në
nivele të larta, duke pasur në shënjestër pasurinë e paligjshme.
Ndryshimi i ligjit për
deklarimin dhe kontrollin e pasurive është një bashkëpunim me amerikanët dhe me
5 pikat e tij kryesore duket se është konceptuar si një vetting për pasuritë e
politikanëve dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë.
Ligji i ri redukton
numrin e atyre që kanë detyrimin të deklarojnë pasurinë, me qëllim që, duke
hequr nga lista nëpunësit e ulët, inspektoriati të fokusohet tek kontrolli i
njerëzve me pushtet dhe që administrojnë fonde e pasuri publike.
Me kërkesën e
ekspertëve amerikanë të OPDAT-it, ligji detyron zyrtarët e lartë të deklarojnë
edhe pasuritë e luajtshme në përdorim, me argumentin se kjo shmang fshehjen e
pasurive që zyrtarët nuk i kanë në pronësi, por i përdorin ato.
Ligji ndryshon
formularin e deklarimit duke detyruar subjektet të deklarojnë jo vetëm
pakësimin apo shtimin e pasurisë gjatë një viti, por deklarimin e përvitshëm të
të gjithë pasurisë.
Kjo duhet të shoqërohet
edhe me burimin e kësaj pasurie, një kërkesë që ngjan shumë me vettingun e
pasurisë për gjyqtarët dhe prokurorët.
Ligji u jep
inspektorëve atributet gjyqësore në rast të mosdeklarimit apo fshehjes së
pasurisë nga subjektet, në mënyrë që dokumentet e mbledhura gjatë hetimit të
kenë vlerën e provës në një proces penal.
Ligji synon të fuqizojë
kryeinspektorin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe ta bëjë atë sa më
të pavarur nga politika. Përveç zgjedhjes dhe shkakrimit me shumicë të cilësuar
në Parlament, kohëzgjatja e mandatit të tij propozohet të rritet në 7 vjet nga
5 që e ka aktualisht dhe pa të drejtë rikandidimi.
Por kjo nuk do të thotë
se do të ketë një kryeinspektor të ri. Zgjatja e mandatit të Shkelqim Ganit
deri në plotësimin e 7 viteve është sanksionuar në pikën e fundit të ligjit dhe se ky është një propozim i amerikanëve.
Një propozim i tillë
vjen në kulmin e konfliktit mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Inspektoriatit,
prej të cilit organi i akuzës kërkon të marrë të dhënat e serverit të
deklarimit të pasurive.
Një betejë që është
aktualisht në Gjykatën e Lartë dhe që lidhet drejtëpërsëdrejt me vettingun e
pasurisë së njerëzve të drejtësisë dhe politikës.