Teatri Kombëtar, Albin Kurti krahason aktin e Ramës me pushtuesit serbë

300
Sigal

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar ashpër aktin e shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Lideri i Vetëvendosjes e ka krahasuar zhdukjen e objekteve kulturore me aktet e Serbisë kundër kulturës shqiptare. Kurti thotë se shqiptarët duhet të jenë mbrojtësit e kulturës kombëtare, ndërsa shton se, “kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli”.

“Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional. Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.  Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave”,- u shpreh Albin Kurti.

Ai shtoi se “i përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë”.