Luan Rama: Të rikonstruktohen varrezat e dëshmorëve dhe monumentet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare

518
Sigal

Lëvizja Socialiste për Integrim i propozoi dje kryeministrit Edi Rama që të krijojë një komision të posaçëm gjithëpërfshirës për festimet e 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga okupatori nazifashist. Në një deklaratë për media Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Luan Rama u shpreh se Viti 2014 është 70-vjetori i Çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Më poshtë mund të lexoni deklaratën e tij të plotë:- “Jam sot në këtë konferencë për shtyp për të sjellë në vëmendjen tuaj, në vëmendjen e opinionit publik dhe në mënyrë të veçantë, në vëmendjen qeverisë së Republikës së Shqipërisë faktin që viti 2014 është viti i 70-vjetorit të çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas. Kjo ngjarje e madhe, padyshim çlirim i atdheut bashkë me shpalljen e pavarësisë janë dy ngjarjet më të mëdha të historisë sonë kombëtare, meriton vëmendje të posaçme, meriton respekt të veçantë, meriton nderim të madh nga e gjithë shoqëria shqiptare dhe nga i gjithë kombi shqiptar. Por, është detyrë e qeverisë dhe unë në emër të LSI-së i propozoj Kryeministrit të krijojë një komision të posaçëm shtetëror gjithëpërfshirës, gjithëpërfshirës në dimensionet e vlerave që mbart dhe sjell 70-vjetori çlirimit të atdheut, me qëllim që programimi i çdo detaji dhe festimi i 70-vjetorit të jetë i denjë për këtë ngjare të madhe, të jetë i denjë për të nderuar sakrificën sublime, gjakun e dëshmorëve, heroizmin e luftës partizane, e cila ishte dhe mbetet lufta më e madhe patriotike që ka zhvilluar populli shqiptar dhe në fund të fundit nderimi i 70-vjetorit të çlirimit të atdheut është padyshim një meritë për Shqipërinë europiane, sepse në themel të Evropës së Bashkuar qëndrojnë vlerat e Luftës së Dytë Botërore. Natyrisht që mbetet në vlerësimin e Kryeministrit dhe qeverisë për të formuar këtë komision të posaçëm, por në emër të LSI-së unë propozoj që një çështje e veçantë që duhet të meritojë vëmendjen e qeverisë qendrore dhe autoriteteve lokale të komunave dhe të bashkive, duhet të jetë rikonstruktimi i Varrezave të Dëshmorëve në të gjitha rrethet e vendit dhe gjithashtu rikonstruktimi i monumenteve të luftës antifashiste nacionalçlirimtare. I theksoj këto momente sepse për një shoqëri të emancipuar, për një popull qytetar dhe evropian është e pafalshme të anashkalohen ngjarje të tilla të mëdha. Ngjarje që kanë shënuar dhe kanë bërë epokë aq më tepër po të kemi parasysh që Lufta Nacionalçlirimtare e renditi Shqipërinë në krahun e koalicionit të madh antifashist botëror. Shqipëria europiane, Shqipëria e sotme është padyshim ëndrra e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, por që kjo ëndërr të jetë e realizuar në tërë dimensionin e saj qytetar dhe evropian duhet që këtë vit, pra vitin 2014, ta shndërrojmë në vitin e 70-vjetorit të çlirimit të atdheut, duke përmbushur të gjitha detyrimet që kemi ndaj qytetarëve shqiptarë. Natyrisht ky është nderimi më i madh, ky është vlerësimi më i madh dhe ngjarje të tilla nuk kanë vend për të përjashtuar askënd, por kanë vend për të bërë cilindo kontributor dhe bashkautorë në realizimin edhe të festimeve të 70-vjetorit të çlirimit të atdheut në dimensionet dhe në cilësinë që meriton edhe heroizmi i popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, heroizmi partizan, gjaku dhe sakrifica e bërë për Shqipërinë e lirë për Shqipërinë evropiane”.