3216 invalidë në Elbasan akuzojnë Ministrin e Shëndetësisë

538
Sigal

Gazeta Telegraf/


“Po marrim ilaçe me para, jo me rimbursim 100 për qind”


Maksim TUFA

Elbasani është qyteti ku numri i invalidëve rritet nga viti në vit si pasojë e rritjes së varfërisë, kushteve të këqija të jetesës, punës së rëndë, pasojave gjenetike, dhe pasojave nga ish-uzinat e Kombinatit Metalurgjik. Në Elbasan ka sot tre shoqata invalidësh, ku secila prej tyre jep numrin e saktë të anëtarëve dhe shkallën e varfërisë për secilin prej tyre. Deri sot 3216 invalidët e Elbasanit, të përfshirë në tre kategori, marrin nga shteti 9800 lekë të reja në muaj, të cilat nuk u mjaftojnë atyre për të larë faturat e kripura të OSHEE, Ujësjellësit, dhe nevojave ekonomike për tu ushqyer. Por ditët e fundit invalidët e Elbasanit, po përballen edhe me një problem tjetër, atë të blerjes së ilaçeve të cilat i kanë të përmuajshme, ashtu si edhe pensionistët. Ata janë shokuar fare kur kanë vajtur në farmacitë që operojnë me kontratë shtetërore dhe janë përballur me refuzimin e farmacisteve duke u deklaruar atyre se “kemi urdhër nga Ministria e Shëndetësisë, ilaçet do ti blini me çmimin real, dhe jo me rimbursim”. Kaq ka mjaftuar që plot 3216 invalidë në Elbasan të gjenden përballë situatave të rënda shëndetësore, pasi ilaçet e çdo muaji atyre u lehtësojnë sëmundjet që kanë prej vitesh. Elmaz Maçi një invalid, banor i lagjes Shënkoll i tha dje “Telegraf” se “po na masakrojnë, po na lënë pa bukë, po na vdesin me pahir, sepse duke na thënë shkoni merrni ilaçet me para, ne jemi përballë katastrofës, unë edhe gruan e kam të paralizuar prej 1 viti, dhe paratë që na jep kjo qeveri nuk na dalin as për bukën thatë, ndaj kërkojmë nga zoti Beqja të ndryshojë urgjentisht urdhrin dhe të mos luajë me jetën e 3216 invalidëve, numri i të cilëve sa vjen dhe rritet në qytetin e mbuluar dhe kërrusur nga hallet dhe varfëria”.

Invalidët i blejnë vetë ilaçet

Prej afro 10 ditësh invalidët e Elbasanit, kanë rënë në hall, pasi u duhet që përveç mundimeve fizike, tani të mbajnë edhe hallin e blerjes së ilaçeve pa rimbursim nga shteti. Një tjetër invalide Fatimeja 66 vjeçe u shpreh se “kam mbi 12 vjet që trajtohem si invalidë me statusin e “PAK”, kam marrë atë njëqindmijë lekësh të vjetër nga ky shtet, por ama i kemi patur ilaçet të rimbursueshme nga shteti, madje sipas një VKM të datës 11.05.2012, ne përfitonim edhe lehtësira të tjera shtesë, të cilat qeveria e Rilindjes sapo erdhi i fshiu nga faqja e dheut, dhe po na vendos përballë dilemës, të jetojmë ose të mos jetojmë, ndërkohë që pothuajse të gjithë ne që jemi invalidë, kemi halle dhe probleme të shumta familjare dhe shëndetësore”. Vetëm dje shoqatat e invalidëve janë shkundur dhe kanë kërkuar përmes një letre urgjente, përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe kreu i saj Ilir Beqja, lidhur me urdhrin skandaloz për të bllokuar dhënien me rimbursim të ilaçeve për këtë shtresë e cila vuan veç fatkeqësive fizike edhe mungesën e kujdesit nga shteti. Invalidët e Elbasanit kërkojnë edhe nga  kryeministri Rama të mos heshtë, por të mbajë premtimin që ka dhënë në takimin që ka patur me shtresën e tyre për “ndihmë më të madhe institucionale dhe financiare ndaj PAK, pasi ata duhet të ndjehen të barabartë por edhe të privilegjuar, sepse është detyra jonë dhe e çdo qytetari të kujdeset për ata”.