Elbasan – Drejtori i dehur rrëfen milionat

379
Sigal


Gazeta Telegraf/

“Këtë mandat bëra vilë me pishinë, mandatin tjetër, hotel me pishinë”

Nga Maksim TUFA

 Populli thotë me të drejtë se “atë që nuk e thotë barku, e nxjerr bardhaku”. Kjo ka ndodhur edhe me një drejtor të Rilindjes në Elbasan, i cili pasi e ka trashur gjuhën nga pija e tepruar gjatë festimeve të datëlindjes së tij mes miqsh, ka deklaruar me mburrje se “këtë mandat sapo mbarova vilën me pishinë, kurse mandatin e dytë do të ndërtoj hotelin me pishinë”. Ky drejtor që nuk ka fundjavë që të mos presë dhe përcjellë shefat e tij nga Tirana, madje edhe ndonjë ministër që ka nisur së fundi edhe biznes në qarkun e Elbasanit, mburret mes miqsh se “ka vjedhur aq shumë sa ka arritur të bëjë me paratë e zhvatura vilën tre katëshe me pishinë në zonën më piktoreske të këtij qyteti, plus milionave që ka futur në banka”. Ky drejtor njihet edhe si “njeriu që ujdis punët e tenderëve dhe investimeve tek ministrat, madje ujdis edhe problemet e tjera deri tek Rama”, sepse  sipas miqve të tij  “ai është shumë i shkathët”. Pra, të vjedhësh paratë e tenderëve, të zhvasësh paratë e investimeve dhe të bësh pazare me punësimet duke përdorur sekserë familjarët, qenke i shkathët, të zaptosh tokën e ish-pronarit dhe të ndërtosh vilën me pishinë që e pakta ka kushtuar 310 mijë euro qenke i shkathët, t’i shpëtosh penalizimeve dhe hetimeve, duke mbyllur të paktën dy herë dosjen, qenke i shkathët, ti premtosh vetes tënde dhe miqve gjatë një darke festive se “mandatin e dytë si drejtor do të ndërtoj hotelin me pishinë” për tu bërë edhe biznesmen sërish qenke i shkathët. Kjo ndodh vetëm në këtë vend, ku shteti dhe ligji kanë rënë në duart e të korruptuarve, në duart e zyrtarëve të lidhur kokë e këmbë me rrjetet më të rrezikshme, që po e shkatërrojnë nga themelet këtë vend, duke mbushur tokat me vila dhe hotelet e paligjshme, e duke mbushur bankat me milionat e pista. Vetëm kjo deklaratë dhe kjo mburrje e cila i shkon për shtat një adoleshenti të vonuar,  dhe jo një zyrtari do të mjaftonte që Prokuroria të niste gjurmimin dhe hetimin ndaj këtij drejtori që ka afro 4 vjet, që po zhvat si i tërbuar gjithçka që i bie në dorë, para, troje, prona, dhe po shkel me këmbë ligjet e shtetit dhe cilindo që përballet me të. Pas gjyqtarëve dhe prokurorëve, “Vetingu” duhet të zbatohet imtësisht edhe për drejtorët, ata që në pamjen e parë duken “si të padukshëm” por që në fakt janë bërë si lubi, të pangopur me para dhe të mira materiale të zhvatura, dhe jo të fituara me djersë. Mësohet gjithashtu se, vila me pishinë është hipotekuar në ditët e fundit të gushtit 2016, ndërkohë që ky drejtor është në tratativat e fundit të bisedimeve për të blerë nga një ish-pronar elbasanas, një truall tjetër me sipërfaqe afro 1550 metra katrore, tek e cila pritet të hedhë themelet e hotelit me pishinë në periferi të Elbasanit.  E ndërsa në qarqet politike të vendit bëhet zhurmë e madhe lidhur me implikimin e zyrtarëve të shtetit në afera korruptive, e ndërsa në media shfaqen shpesh foto dhe video të cilat  tregojnë me zë dhe figurë marrjen e parave në këmbim të favoreve nga zyrtarë dhe sekserë, duket se ka ende prej tyre që vegjetojnë dhe sfidojnë hapur ligjin. Vjedhin, abuzojnë, ndërtojnë, drejtojnë, hipotekojnë, trashëgojnë pasuri të paligjshme, dhe askush nuk i penalizon, askush nuk i gjykon dhe dënon, sepse ata kanë blerë edhe drejtësinë.