Sulmi ndaj Berishës, VATRA: Akt burracak e i papranueshëm në një shoqëri të lirë

104
Sigal

Federata Pan-shqiptare Vatra ka reaguar për sulmin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha ditën e djeshme në protestë. Me anë të një postimi në Facebook,Vatra shkruan se goditja ndaj Berishës ishte akt i turpshëm dhe skandaloz. Po ashtu në postim thuhet se ky lloj akti burracak do të jetë gjithmonë i ndaluar në një shoqëri të lirë e demokratike. Postimi i Plotë:Federata Pan-shqiptare e Amerikës Vatra dënon ashpër sulmin e rëndë ndaj liderit të opozitës shqiptare Prof. Dr. Sali Berisha. Goditja ndaj Doktor Berishës është një akt i turpshëm dhe skandaloz. Është një veprim i papranueshëm në një shoqëri të lirë dhe demokratike. Është një akt i tmerrshëm që meriton ndëshkimin më të rëndë të forcës së ligjit dhe institucioneve”, shprehet Vatra në mesazhin e saj. Ky akt burracak dhe i neveritshëm do jetë gjithmonë i refuzuar prej njerëzve e shoqërive të lira si veprim që bie ndesh me parimet e demokracisë, liritë e të drejtat e njeriut, shtetin ligjor, parimet kushtetuese në një shtet demokratik. Vatra u bën thirrje autoriteteve ligjzbatuese dhe organeve të drejtësisë që të veprojnë sa më shpejt në zbardhjen e plotë të ngjarjes së dhunshme e skandaloze. Goditja e Doktor Berishës jo vetëm si lider i opozitës, por edhe si ish-President dhe ish-Kryeministër i Republikës së Shqipërisë përbën një ditë të zezë edhe për vetë shtetin shqiptar. Vatra i uron shërim të shpejtë Doktor Berishës dhe shpreh mbështetjen e plotë ndaj tij dhe të gjithë opozitarëve shqiptarë që kërkojnë një Shqipëri të lirë, të zhvilluar dhe demokratike. Në emër të Federatës Pan-shqiptare të Amerikës Vatra, Kryetari Elmi BERISHA