Mjeshtri i Madh Sadik Mema – Delfinisti kampion në pishinë dhe në trajningun e notit shqiptar

16

PROFIL/ Mjeshtri i Madh Sadik Mema, vjen në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Telegraf”, nga starti i karrierës sportive dhe deri te trajningu si passion, pavarsisht moshës

Sigal

Agron KAJA

Sporti i Notit nuk ka qënë shumë tërheqës në shekullin e kaluar, ju si e thyet këtë barrierë?

Për të hyrë në sportin e notit në kohën kur unë nisa ta ushtroja këtë sport, mua më nxitën dy shokët e mi: Fatos Bengu dhe Nesti Dhevto. Noti në atë kohë ka qënë shumë tërheqës për moshat e reja, ishte i mirëorganizuar por me një infrastrukturë të dobët.

Përse ju thërrasin “Pupi” në ambinetet shoqërore dhe sportive?

“Pupi” më ka mbetur që nga fëminia, ku hallat e mia më thirrën të parat. Kam qënë një fëmijë pak sa i lëvizshëm dhe i shëndetshëm, dhe mëq pas u trashëgua në shoqëri dhe në sport. Aq sa mua më njohin si Pupi, jo si Sadik Mema.

Si i lindi dëshira Sadik Memës për tu ushtruar në not dhe kur keni nisur të notoni për garim?

Për dëshirën, u spjegova më sipër, ndërkohë që si notar garues zyrtar e kam nisur në vitin 1969 në Kampionatin Kombëtar për të Rinj që u zhvillua në Sarandë. Rezultatet e fillimit i kam patur modeste, një vit më pas nisën rekordet. Pas meje ka garuar edhe si kampion, por edhe  si rekordmen, vëllai im Edmond Mema.

Po infrastruktura në sportin e notit, si ka qënë gjatë periudhës që ju e ushtruat këtë sport?

Garat e notit atëhere zhvilloheshin kryesisht në det, në Sarandë dhe në Durrës. Pishina e parë ishte ajo në qytetin e Lushnjës, në vitin 1974 u ndërtua në Durrës dhe në vitin 1979 në Elbasan. Qytetet më të preferuara ishin Durrësi e Saranda.

Po në Tiranë, kur u përqëndrua zhvillimi i garave të notit?

Kryesisht pas vitit 1988. Sepse atëhere u çel Qëndra Sportive “Tirana” (sot Akuadromi). Gradualisht, vit pas viti u hapën pishinat në shkollën “Nobel” në vitin 2006 dhe pishina në Resortin “Te Stela” këtu në Tiranë.

Në kujtesën tuaj, cila ka qënë gara e parë që ju keni zhvilluar dhe në cilën pishinë?

Gara ime e parë zyrtare me të Rriturit ishte në Spartakiadën Kombëtare të vitit 1969 në Tiranë.Garova në 100 dhe 200 m delfin, por nuk hyra në finale. Ndoshta kjo u bë si një nxitje për mua, për të synuar rezultatet e larta që kam arritur.

Po në arenën ndërkombëtare, cila ka qënë gara juaj e parë dhe e fundit?

Në kohën që unë kam ushtruar zyrtarisht sportin e notit, pjesëmarrja në garat ndërkombëtare ishte shumë e vështirë. Pjesëmarrja ime e para ndërkombëtare dhe e vetme, ishte në vitin 1972 në Kinë me ekipn kombëtar të notit.

Në foto: Sadik Mema në thyerjen e rekordit kombëtar, viti 1971

Trajneri dhe skuadra juaj e parë, ishte një nga tre të kryeqytetit?

Si notar i Dinamos, për mua trajneri i parë dhe i vetëm ishte Mjeshtri Emin Gripshi, trajner cilësor e korrekt. Ndërsa në ekipin kombëtar të notit, trajner ka qënë Petrit Caslli, një figurë e lartë e sportit shqiptar.

Në garat që keni zhvilluar, cili ishte stili juaj më i preferuar dhe më rezultativ?

Si individ, unë kam garuar vetëm në stilin Delfin, ndërkohë që gjatë karrierës kam marrë pjesë në të gjitha stafetat ekipore, madje kam garuar edhe në stilin e Lirë. Edhe këtu kam qënë pjesë e rezultateve të larta dhe e rekordeve kombëtare.

Rivali juaj në garat që keni zhvilluar (kombëtare dhe ndërkombëtare) cilët kanë qënë?

Kam qënë rival me Kujtim Dautin e Durrësit, me Shyqyri Kërpaçin e Besëlidhjes dhe me Shpëtim Koten e Butrintit, me të cilët ruaj shoqëri edhe sot. Madje, Shpëtimi më pas i kryesoi garat e delfinit, por më duhet ta kujtoj këtu edhe Berti Çakallin e Butrintit që nuk jeton më.

Si e kujtoni rekordin e parë kombëtar që keni thyer?

Rekordin e parë Kombëtar e kam thyer në vitin 1971, në fazën e parë të Kampionatit Kombëtar në 200 m delfin. Këtë garë e përmirësova dy herë, në eliminatore dhe në finale. Koha ishte 2.44.60 unë e çova në 2.42.60.

Cilët ndani si momentet më të mira në karrierën tuaj si notar rekordmen, dhe nëse keni edhe moment jo të mira, si i përshkruani?

Të gjithë karrierën time unë e quaj të mbushur vetëm me moment të mira, por veçoj vitin 1971. Sepse për herë të parë një notar nga Tirana arriti të thyente rekord kombëtar përballë notarëve me ekipe të traditës, nga Durrësi, Saranda e Vlora.

Këto ishin moment pozitive, por më i dobëti na duhet dimë?

E kuptoj! Nëse mund të quhet e tillë, unë e kam quajtur atë të vitit 1971 kur personalisht thyeva dy rekorde kombëtare në 100 dhe 200 m stil delfin, dhe ato i thyeu menjëherë notary Shpëtim Kote i Butrintit.

Nga sporti i notit, keni dalë kampion edhe në gjimnastikën aerobike, edhe këtu e kishit pasion?

Gjimnastikën Aerobike e kam dashuruar dhe ushtruar me pasion pas vitit 1990. E fillova si sport për shëndetin dhe mirëqënien fizike, por pasioni më çoi deri në konkurrimin në veprimtaritë kombëtare. Në vitet 1992 dhe 1997 kam dalë kampion kombëtar në ekzekutimin në çift.

Keni një karrierë të gjatë si trajner i notit, edhe trajningu është pasion për ju, apo ka ardhur si një detyrim i rrugëtimit sportive?

Unë e kam lidhur jetën me sportin dhe kur më pyesin sa gjatë, u them se ndjek pasionin. Ky pasion më mban ende në aktivitet, pavarsisht moshës. Me ekipn që drejtoj AN Te Stela, jemi kryesues në rezultatet kombëtare vit pas viti.

Si kryetrajner te AN “Te Stela” tat hemi realisht se po bëni epokë, çfarë ndryshime dalloni te kjo akademi në dhjetëvjeçarin e fundit?

E kam thënë shpesh se, mundësitë që më janë krijuar në Akademinë e Notit “Te Stela”, janë më të mirat në Shqipëri. Kjo reflektohet në të gjitha veprimtaritë e Notit në Shqipëri, në pjesëmarrje dhe në cilësinë e garimit.

Në vitin 2017 ishit organizator dhe fitues i Kampionatit të parë Mbarëkombëtar të Notit, si nisi e vazhdon kjo garë?

Ky kampion u quajt “Teuta Cup” dhe nisi në vitin 2017 me pjesëmarrje edhe të notarëve nga Kosova e diaspora shqiptare. Nga viti 2018 e deri në vitin 2022, kampionatin e ka fituar AN “Te Stela”, ndërsa ka dy vite që nuk është zhvilluar.

Në gjithë karrierën tuaj si notar e trajner, si ka evoluar sporti i notit, nisur para vitit 1990 dhe deri në vitin 2024?

Natyrisht që ka evoluim, por jo në ato përmasa për t’ju përgjigjur kohës. Sepse ende nuk ka pishina dimërore qytetet me traditë, si Saranda, Vlora, Durrësi, Shkodra, dhe pse jo edhe Lezha. Kjo e ka kufizuar pjesëmarjen në Tiranë e Durrës.

Nisur nga mosha juaj e “re”, mendoni se do qëndroni gjatë në pishinë?

Për sa kohë do jem i aftë fizikisht, unë do merrem me trajningun e notit, kryesisht me moshat e reja. Mendoj se kjo jetëgjatësi në aktivitet sportivë është pjesë e pasionit që unë kam për sportin.

Keni rreth 10 vite që drejtoni Shoqatën Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri (SHKVN), cili është aktiviteti i saj?

Shoqata u krijuan me dashamirësinë e disa figurave të shquara të notit shqiptar dhe në mënyrë vullnetare. Gjatë kësaj periudhe kemi organizuar gara në disa veprimtari, në të cilat kemi patur mbështetjen edhe të FSHN-së dhe Resortit “Te Stela”.

Ju shkruani edhe libra me tematikë sportive, e keni hobi, apo dashuria për profesioni?

Ndoshta këtu më janë bashkuar hobi me profesionin. Gjithë kjo periudhë relativisht e gjatë, nga notar në drejtues e trajner, mendoj se e kanë akumuluar përvojën dhe më kanë nxitur dëshirën që këto ti hedh edhe në rreshta të librave.

Në foto: Trajneri Emin Gripshi dhe rekordmeni Sadik Mema, viti 1972

 

 

Unë e kam lidhur jetën me sportin, dhe kur më pyesin sa gjatë, u them se ndjek pasionin. Ky pasion më mban ende në aktivitet, pavarsisht moshës. Me ekipn që drejtoj AN Te Stela, jemi kryesues në rezultatet kombëtare vit pas viti

 

Në foto: Sadik Mema, në një seancë stërvitore AN “Te Stela”

 

12 vite

Kjo është peiudha që Sadik Mema (Pupi) ka garuar si notar e rekordmen te Dinamo dhe ekipi Kombëtar, kryesisht në stilin delfin

35 vite

Kjo është peiudha që Sadik Mema (Pupi) ka punuar e punon si trajner, nisur nga Dinamo e tashmë te Akademia e Notit “Te Stela”, Tiranë

 

 

Mjeshtri i Madh, Emin Lishi “skanon” Pupin: Notar dhe trajner absolut

Në foto: Mjeshtri i Madh, Emin Lishi

 

Notari veteran Emin Lishi, dikur rekordmen në sportin e notit, sot Mjeshtër i Madh, në vlerësimin e tij për Sadik Memën tregon se ai ka qënë absolut si notar e trajner. “Pupin e njoh që në nisjen e tij si notar i ri, me trajnerin e madh Emin Grupshi. Për mua, Sadik Mema mbetet një nga notarët më të mirë të të gjitha kohrave në notin shqiptar, në stilin delfin. Unë e klasifikoj në 10 notarët më të mirë në Shqipëri. Si trajner është i padiskutueshëm, ku talentin e kulturën e tij si notar e ka transmetuar edhe si trajner. Ai po stëvit breza me rezultate të larta, dhe mbetet trajner absolut”.

CV sportive

SADIK MEMA

Datëlindja: 21.06.1954/ Vendlindja: Tiranë/ Vendbanimi: Tiranë

Arsimi: Të lartën, ILKF “Vojo Kushi”, sot Universiteti i Sporteve

Profesioni: Mësues i Edukimit Fizik/ Sporti që ka ushtruar: Not

Karriera si sportist: 1968-1980 KS Dinamo, 1970-1972 Kampion kombëtar dhe rekordmen për të Rinj dhe të Rritur në garat 100m dhe 200m, stil delfin; 1972-1974 Antar i ekipit kombëtar, pjesëmarrës në veprimtaritë ndërkombëtare (Kinë); 1992-1997 Kampion Kombëtar në Sport-Aerobik, ekzekutimi në çift.

Karriera si trajner: 1980-1984, Trajner i të Rinjve, KS Dinamo; 1984-1992 Trajner i të Rriturve, KS Tirana; 1990-1992 Trajner i ekipit kombëtar të Notit; 1984-2000 Antar i kryesisë në FSHN; 1990-2012 Instruktori i gjimnastikës aerobike; 1990-2012 Ushtruar si masazhist  estetik, kurativ, anticelulit; 1992-2020 Udhëheq ekipet e notit në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare (Mesdhetare, Europiane, olimpiada e kampionate botërore të notit, në mitingje e maratona ndërkombëtare, si dhe në kongrese e konferenca të organizuara nga LEN, COMEN e FINA); 2016- Kryetar i Shoqatës Kombëtare të veteranëve të Notit, Shqipëri; 2012-          Kryetrajner në Akademinë e Notit “Te Stela”, Tiranë.

Kualifikime e formime: 1984 Trajner Kategoria e Parë; 1990 Provim pasuniversitar në “Kulturën e përgjithshme fizike, Specialitet i gjërë” (Diplomë); 1992 Kurs kualifikimi 4 mujor “Masazhi sportiv” (Diplomë); 1993 Kurs kualifikimi “Diving coaches”, në Olympia, Greqi (Diplomë); 1998 Kurs për trajner Noti “International coaching course”, në Universitetin e Edukimit Fizik në Budapest (Diplomë); 1999 Kurs specializimi 6 mujor “Fizio-Kinezio-Masazhio-Terapi” në Universitetin e Sporteve, Tiranë (Diplomë); nga 2011 organizator i  kupave: “Stefan Pinguli”, “Pavarsia”, “Perspektiva”, “Notojmë dhe festojmë”, “Sprinter Day”, Kupa për veteranët e Notit në Shqipëri.

Detyra në drejtimin e institucioneve sportive: 1992-2000 Sekretar i Përgjithshëm në FSHN; 1997-2000 President i Shoqatës Shqiptare të Gjimnastikës Aerobike; nga viti 2016, President i Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit.

Tituj personalë në sport: Medalja “Naim Frashëri”, Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Madh

Botime sportive: 1998 Bashkautor i tekstit mësimor të Notit për shkollat 8-vjeçare dhe të mesme; 2000 Botimi i librit “Gjimnastika Aerobike për të Gjithë”.

 

VLERËSIME PËR SADIK MEMËN SI NOTAR E TRAJNER

AGIM ÇIRAKU, PRESIDENT I FEDERATËS SHQIPTARE TË NOTIT

Figura e Pupit, nga emblemat kryesore të Notit shqiptar

Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, tregon për gazetën “Telegraf” se Sadik Memën, ose Pupin, e njeh si një nga notarët shëmbullorë në kohën e tij, por edhe e vlerëson si një nga emblemat e notit shqiptar ndër vite. “Pupin e kujtoj dhe e vlerësoj si një nga notarët më shëmbullorë të notit shqiptar, edhe sa i takon rezultateve që ai ka arritur ri rekordmen dhe kampion, por edhe si një  sportist dhe një dajlë i kulturruar, i edukuar dhe me talent, gjë të cilën e kanë patur edhe si edukatë familjare. Kujtoj edhe vëllain e tij notar Edmond Mema, e së bashku mbetën shëmbull tek notarët e asaj periudhe. Kjo mënyrë sjelljeje dhe stërvitshëmria vazhdon edhe në këto vite, kua ai nga notar e sportist, vazhdon si trajner i suksesshëm. Nga duart e tij kanë dalë me dhjetra kampionë e rekordmenë të notit në Shqipëri. Edhe tek këta sportistë ai ka ditur të gërshetojë stërvitjen me edukatën, ku sportistët e tij, veç rekordeve e titujve kampionë, tregohen edhe notarë me sjellje shëmbullore në pishinë. Kjo na e ka lehtësuar shumë punën në zhvillimin e të gjitha veprimtarive. Sot mendoj se figura e Pupit mbetet nga emblemat kryesore të Notit shqiptar, dhe të trajnerëve që FSHN-ja ka aktualisht”.

 

Si trajner në AN “Te Stela” nga viti 2011, kemi thyer rreth 700 Rekorde Kombëtare për të tre grupmoshat, Meshkuj e Femra. Ndërkohë që mbajmë 200 rekorde kombëtare në tabelën e rekordeve të FSHsë. Gjatë kësaj periudhe kemi fituar 140 kupa të veprimtaritë kombëtare të Notit, kemi fituar kupën katër herë në Mintingjet Ndërkombëtare në Shkup dhe në Herzegnovi

 

STEFAN PINGULI, ADMINISTRATOR I RESORTIT “TE STELA”

Sadiku drejton jo thjesht si trajner, por si një pedagog

Mbetet i veçantë vlerësimi që i bën figurës së Sadik Memës, Administratori i Resortit “Te Stela”, Stefan Pinguli, ai që ka ndërtuar pishina në këtë resort dhe administron ekipet e notit me këtë emër. “Sadik Mema është i njohuri im prej 60 vjetësh, dhe si miq nuk u ndamë në asnjë rast. Sot që jemi bashkëpunëtorë, kemi miqësonë tonë, miqësinë e sportit. Me Pupin kemi qënë së bashku në një ekip noti, ku do thoja se ai që në rini ishte me pasion e dëshirë, ndaj edhe u bë rekordmen në stilin delfin. Më e rëndësishme është se njohja jonë bëri që ta ftoja te Akademia e Notit “Te Stela”, dhe ai e organizioi me kulturë e vizion, duke e bërë shkollë të notit në Shqipëri. Sot Pupi e drejton me seriozitet dhe e them me bindje se 80-90 % të rekordeve kombëtare të notarëve të akademisë sonë i dedikohen edhe punës së tij. Sepse ka krijuar një ekip drejtues me rreth 100 studentë që përgatisin notarë të suksesshëm. Madje Pupi angazhohet edhe me veteranët, duke e respektuar historinë e notit shqiptar. Do shtoja se ai është edhe intelektual në shkrimet dhe me librat e tij. Ai drejton si një pedagog i kulturuar, jo thjesht si një trajner. E kam për nder që Pupin e kam drejtues të Akademisë së Notit”.