Skandali në Shëndetësi, banorët marrin ilaçe në farmacitë e kafshëve

626
Rreth 25 mijë banorët e njësive administrative të Mollasit dhe Shtërmenit, (dikur komuna), i kanë nisur një letër të gjatë kreut të Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Beqja, duke renditur problemet e tyre shëndetësore, mungesën e mjekëve, infermiereve dhe veçanërisht të ilaçeve, që prej 1 viti i blejnë në farmacitë bujqësore. Sipas Bashkim Murrashit 66 vjeç, një prej firmëtarëve të letrës drejtuar ministrit Beqja, banor i Mollasit, i cili shprehet “situata tek ne është më keq se në Siri. 

Banorët ankesë Beqajt: Qëndrat shëndetësore janë kthyer në vende ku bëhet urina e kalimtarëve

Qendrat shëndetësore janë kthyer në vende ku bëhet urina e kalimtarëve, pa mjekë, infermiere, ilaçe, një dhomë e modifikuar për injeksione, pa xhama, pa shtrat për vizitat, dhe më skandalozja është se ne kemi 1 vit që blejmë ilaçet tek farmacitë bujqësore, pasi nuk na tepron leku për t’i blerë në Elbasan ose Cërrik”. Banorët e Mollasit dhe Shtërmenit edhe letrën e kanë postuar në Filialin e Postës së Elbasanit, pasi sipas tyre “edhe shërbimi postar atje vjen një herë në muaj”. Banorët ankohen se, ka shumë persona të sëmurë, me sëmundje zemre, sëmundje kronike, që kanë nevojë për vizita për familjarët e tyre, gratë dhe fëmijët, por prej 1 viti qendrat shëndetësore nuk marrin as investime, as furnizime, nuk kanë mjekë dhe as infermiere, dhe shpesh injeksionet i bëjnë tek një infermier që vjen nga Cërriku, duke i paguar atij gjithçka. 

Zoti ministër Beqaj, na trajtoni si kavie

Në letrën e tyre, banorët e Mollasit dhe Shtërmenit, tradicionalisht votues të majtë, i kujtojnë ministrit Beqja, se, “veç detyrimit për premtimet e pambajtura të fushatave, ju duhet të ktheni sytë nga ne, pasi po trajtohemi si kavie, sikur jemi në Sirinë e largët dhe jo në qendër të Shqipërisë, po marrim rrugët ditën dhe në mesin e natës për të bërë vizita apo mjekime dhe injeksione”. Banorët i shpjegojnë ministrit Beqja edhe faktin se, “lopët po trajtohen më mirë se njerëzit në Mollas dhe Shtërmen, pasi ato kanë sot veterinerin e tyre, kurse ne nuk kemi mjekun, ilaçet, investimet, ndërkohë që deklaroni se kemi investuar dhe rritur investimet për shërbimin shëndetësor në zonat rurale dhe malore”. Të revoltuar nga mungesa e shërbimeve mjekësore, banorët dhe veçanërisht pensionistët thonë se, “para 25 vitesh, dhe pikërisht në kohën e Enverit, kishim 4 mjekë, qendra shëndetësore, 2 mami, 4-5 infermiere, të cilat të vinin edhe në shtëpi për të bërë injeksionet, kishim spital me 10-12 shtretër, kurse sot sikur ka rënë bomba dhe ka rrafshuar gjithçka”. Fakti është se, qendrat shëndetësore në Mollas dhe Shtërmen, por edhe në gjithë zonat e tjera të Cërrikut dhe Belëshit, janë ndërtuar qysh në vitin 1977, janë rikonstruktuar në 1996, dhe veç ndonjë furnizimi me ilaçe dhe pranisë së ndonjë mjeku në fushata elektorale, atje asgjë nuk është bërë. Banorët shprehen se, “po heqim të zitë e ullirit, pasi shpesh rastet urgjente nuk dimë ku ti dërgojmë, në Cerrik është si kapanon azilantësh, në Belësh më keq, dhe detyrohemi të shkojmë duke rrezikuar jetën tonë në Elbasan, duke paguar 3-fishin e parave me transportin, lekët që u japim mjekëve për vizitat, shtrimet dhe ilaçet”. Ankesat dhe kërkesat e tyre, banorët e atyre zonave i kanë bërë prezent edhe gjatë fushatës elektorale tek deputetët, të cilët u kanë premtuar trokitjet e forta tek ministri Beqja, dhe e vetmja përgjigje e këtij të fundit ka qenë “do të investojmë për 2016, do të ngremë një spital dhe sjellim mjekë në Mollas dhe Shtërmen”. Tallja dhe përbuzja me banorët e urtë dhe punëtorë të atyre zonave vazhdon, ndërkohë që jeta e tyre varet në fijen e perit, kur u duhet vizita mjekësore, apo marrja e ilaçeve për prindërit apo fëmijët. Letra e tyre është “topi në derën e ministrit”, ndaj i takon atij si detyrim ligjor dhe institucional, tu japë përgjigje, jo me premtime e mashtrime, por me veprime konkrete për të zgjidhur hallin e madh që ata kanë. 
Sigal