Skandali /Inceneratorëve do tu kushtojnë shqiptarëve 1.2 miliard euro. Vetëm 3 të dënuar që do lirohen pas 8 muajësh

34
Sigal

BIRN: Tri inceneratorët i kanë kushtuar taksapaguesve deri tani 150 mln euro

Ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka u dënua me 6.8 vite burg nën akuzat për korrupsion e pastrim parash në një gjykim ky 12 nga të pesëmbëdhjetë të akuzuarit u shpallën fajtor dhe u dënuan në total me mbi 40 vjet burg. Shumica dolën të lirë pasi vendimet e dënimit u pezulluan. Gjykata hoqi sekuestron preventive mbi shumicën e pronave të Kokës si dhe të një apartamenti të Bllakos. Dymbëdhjetë nga pesëmbëdhjetë të akuzuarit për skemën korruptive të koncesionit të incineratorit dhe fushës së plehrave të Fierit u shpallën fajtorë të hënën nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në një nga tre procedimet penale të lidhura me të ashtuquajturën “aferë e inceneratorëve”. Pas shpalljes së vendimit nga gjykata, shumica e të akuzuarve të shpallur fajtorë lanë qelitë pasi gjykata konvertoi dënimet e tyre me shërbim prove, ndërsa në burg duket se mbetën vetëm Koka, ish-deputeti Alqi Bllako dhe Loran Duzha, ish-administrator i koncesionit të Fierit. Ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka, i cili gjendet në paraburgim që nga dhjetori i vitit 2021, u dënua me 6 vite e tetë muaj burg. Ai përfitoi nga gjykimi i shkurtuar ndërsa është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave. Nëse vendimi do të mbetet në fuqi, Koka pritet të përfitojë edhe nga llogaritja me 1.5 ditë e periudhës së paraburgimit nga dhjetori i vitit 2021 dhe për rrjedhojë, mund të dalë nga burgu pas rreth katër vitesh. Ai është zyrtari më i lartë politik i dënuar pas ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili u dënua më 1993 në atë që gjerësisht shihet si gjyq politik. Koka po gjykohet veçmas për inceneratorin e Elbasanit. Biznesmeni Klodian Zoto, i cili gjendet në arrati që kur u shpall në kërkim në dhjetor të vitit 2021, mori dënimin më të lartë me 8 vite burg. Zoto u shpall fajtor për korrupsion aktiv dhe u dënua me dy vite burg, për mashtrim me pasoja të rënda dhe u dënua me 7 vite burg si dhe për krijimin e skemave mashtruese për TVSH dhe u dënua me gjashtë vite burg. Ai u dënua gjithashtu me tetë vite burg për pastrim parash. Ish-deputeti Alqi Bllako u dënua për shpërdorim detyre me 2.8 vite burg në rastin e inceneratorit të Fierit. Ai qe akuzuar për korrupsion nga SPAK, e cila pretendoi se ka përfituar 15 milionë lekë nga kompania e incineratorit të Fierit. Por në dispozitivin e vendimit të gjykatës, Bllako u dënua vetëm për shpërdorim detyre. Disa zyrtarë, të cilët ishin pjesë e grupit të punës që miratoi kontratën e koncesionit, u dënuan me nga dy vjet burg për abuzim me detyrën. Po kështu edhe biznesmenët që besohet se shërbyen si hallka për tranferimin e parave. Të gjithë u dënuan me vendim të pezulluar, duke lënë në burg. Inceneratori i Fierit ishte kontrata e dytë koncesionare që qeveria e kryeministrit Edi Rama i dha një grupi biznesmenësh të ndërlidhur, nën supozimin se vendi kishte nevojë për impiante të eliminimit të mbetjeve me djegie. Në vitin 2020, Partia Demokratike në opozitë kreu një kallëzim penal që çoi në hapjen e hetimit për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa në vitin 2021, Lëvizja Socialiste për Integrim, forca politike në emër të së cilës Koka pati shërbyer si Ministër i Mjedisit, e akuzoi atë publikisht për korrupsion duke zbuluar një skemë të transferimit të parave nga kompanitë e inceneratorëve për te kompani apo persona të lidhur me të. LSI bëri denoncim në prokurori ndërkohë që Koka garoi në zgjedhjet e vitit 2021 për Partinë Socialiste duke fituar një numër të lartë votash. Koka dha dorëheqjen pak pas zgjedhjes si deputet dhe u arrestua disa muaj më vonë. Vendimi për Elbasanin pritet të jepet me 5 tetor. SPAK po heton veçmas incineratorin e Fierit në bazë të kallëzimit nga Partia Demokratike. Një hetim i tretë është në vijim, për skemën e incineratorit të Tiranës. Të trija skemat i kanë kushtuar taksapaguesve deri tani së paku 150 milionë euro./BIRN

Skandali i inceneratorëve, Zëri i Amerikës: Dosja e inceneratorit të Tiranës vazhdon të jetë e hapur

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme dha sot vendimin për 21 të pandehurit e përfshirë në rastin e inceneratorit të Fierit. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ish ministri i Mjedisit Lefter Koka u dënua përfundimisht me 6 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa ish deputeti socialist Alqi Bllako me 2 vjet e 8 muaj. Dënimi më i rëndë, me 8 vjet burgim, u dha për sipërmarrësin Klodian Zoto, ndaj të cilit rëndonin të paktën 6 akuza. Vendimi i sotëm i gjykatës, është i pari për rastin e inceneratorëve, ku ka tre hetime të veçanta për secilin nga projektet e vëna në jetë në tre qytete të ndryshme të vednit. Ndërsa për Elbasanin vendimi pritet pas dy javësh, sot ish ministri i Mjedisit Lefter Koka u gjet fajtor për tre akuzat e ngritura ndaj tij për rastin e Fierit, nga “Shpërdorimi i detyrës”, te “Korrupsioni” apo dhe “Pastrimi i parave. Ashtu sic ishte kërkuar nga Prokuroria, Gjykata e Posaçme e dënoi atë me 10 vite burg, të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar, i zbatuar për të gjithë të pandehurit, reduktohen në 6 vjet e 8 muaj burgim. Ish deputeti socialist Alqi Bllako, i akuzuar për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Korrupsion”, në dy raste, përfitoi jo vetëm nga ulja me një të tretën, por dhe për shkak të rikualifikimit të akuzës, ku ai nuk konsiderohet funksionar i lartë publik, por nëpunës publik. Përfundimisht dënimi me 4 vjet u konvertua në 2 vjet e 8 muaj burgim. Me 6 akuza mbi shpinë, nga korrupsioni në disa raste dhe forma, të mashtrimi, pastrimi i parave apo krjimi i skemave mashtruese sipërmarrësi Klodian Zoto, i përfshirë dhe në rastin e Elbasanit, u dënua me 8 vjet burgim, pasi ju zbritën 4 vite dënim për shkak të gjykimit të shkurtuar. Dënime të larta u dhanë dhe për Loran Dushën, administrator i inceneratorit të Fierit dhe Arbër Denizin, administrator i kompanisë private PIVOT-04, i përfshirë në pastrim parashë, sipas hetimit. Për të dy vendimi është për 4 vjet e 8 muaj burgim. Do të vuajnë dënimin me 2 vjet burg, 3 anëtarë të komisionit të dhënies së koncensionit, ndërsa 4 të pandehurve të tjerë, dënimi me burg iu konvertua në shërbim prove. Gjykata i dha ndërkohë pafajësinë Arben Dervishajt, mbikëqyrës i punimeve të inceneratorit, Arjola Kodrës, ish administratore e inceneratorit të Tiranës, dhe po ashtu administratorit të një kompanie private. Afera e inceneratori konsiderohet si një ndër rastet më të mëdha korruptive të zbuluara deri më tani, me përfshirjen e një numri të lartë zyrtarësh dhe ish zyrtarëve të nivele të ndryshme. Hetimet nxorrën në dritë dhe fije që çuan deri te ish zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, i cili është në arrati që prej muajit korrik. Ndërkohë që për rastin e Tiranës, i vendosur pak kohë më parë në sekuestro, dosja vijon të jetë ende e hapur.