Hapësirat rreth e rrotull shkollave “Gustav Mayer” dhe “Naim Frashëri”, por edhe çerdhes Nr.17 dhe kopshtit Nr.26 në Tiranë, janë më të sigurta për fëmijët pas ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës për rehabilitimin e infrastrukturës dhe krijimin e mjediseve rekreative. Kjo nismë e realizuar “Asphalt Art Initiative” nga “Bloomberg Philanthropies”, partnerë të qytetit të Tiranës në zbatimin e kësaj vepre masive arti, ka shndërruar afro 1500 metra katrorë hapësirë të keqpërdorur, apo të mbingarkuar me automjete të rastit, në një mjedis që inkurajon lëvizjen aktive, pa pengesa e ndërprerje, të këmbësoreve në këtë zonë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se përmes kësaj nisme synohet që Tirana të ketë rrugë dhe hapësira më të sigurta, sidomos për fëmijët gjatë aksesit të tyre në shkolla e kopshte. “Ka shumë njerëz që thonë, ‘sot është ditë me shi, le të marrim makinën’! Por, makina nuk është çadër. Nëse distanca është vetëm 100-200 metra, është më mirë të marrim çadrën, jo makinën. Fakti që ky komunitet, më shumë se transformimi i asfaltit dhe rrugës, ka transformuar mentalitetin, është një histori e jashtëzakonshme suksesi. Çfarë është më e rëndësishme: “Fëmija apo makina? Një makinë nuk mërzitet nëse e parkon në bllokun tjetër, ama një fëmijë, i cili humbet orën e parë të mësimit, po”, u shpreh Veliaj. Ai tha se me këtë ndërhyrje shkon në 10 numri i shkollave, që kanë rrugë më të sigurta, por kjo do të vijojë edhe me një buqetë tjetër shkollash. “Kur funksionon në një komunitet si ky, që është zhvilluar me ndërtesa moderne, me institucione shtetërore, me disa të tjera informale, që kanë dalë mbi trotuar, kur funksionon në një vend që është pasqyra tipike e tranzicionit të këtyre viteve, do të thotë se njerëzit janë mendërisht gati ta pranojnë ndryshimin shumë më shpejt se disa vite më parë. Besoj se për paketën e 10 shkollave të tjera do të jetë pak më kollaj. Kur shikoj si përqafohet një ndryshim gjithmonë e më shpejt, gjithmonë e më kollaj, kur bashkëpunon edhe komunitetin, më bën shpresëplot që do e kemi më thjeshtë. Në shkollat e reja është paramenduar që në fillim brezi i sigurisë,” deklaroi më tej ai. Sipas tij, kjo u jep më shumë siguri edhe prindërve, për atë që konsiderohet perimetri i sigurisë në shkollat publike. “Unë besoj se me një perimetër të institucioneve mbrojmë shkollën, hapësirat janë më të sigurta, dhe kështu kemi krijuar një shtresë sigurie, ku fëmijët janë pjesë e një ekosistemi që në momentin që hyjnë në një territor më të sigurt”. Këto 4 institucione i bashkohen 6 të tjerave që janë realizuar vitin e shkuar dhe paraprijnë të paktën 20 shkolla që do të transformohen në vitin në vijim.