Si dështoi aksioni për të arrestuar “bosin” e inceneratorëve

Afera 430 mln.  që rrezikon të përfundojë në arbitrazh do vijojë të gllabërojë paratë e taksapaguesve deri sa kontrata dhe hetimi administrativ i vetë institucioneve kontraktore të përfundojë. Figura publike në rrjetën e të pandehurve pasi shpëtuan paq nga arrestimi oligarkët

 

Duke qenë në kushtet e monopolit të dyshimtë, në Sharrë vijojnë të hidhen të gjitha llojet e mbetjeve që më pas groposen me kosto financiare dhe mjedisore të bashkive, përveç pagesës për inceneratorin. Qeveria duhet të shpallë situatën e jashtëzakonshme për trajtimin e plehrave.

NOA

Skandali i inceneratorëve konsiderohet si afera më e madhe korruptive e dekadave të fundit. Miliarda lekë të taksave të shqiptarëve janë dhënë për inceneratorin e Klodian Zotos në Fier, por ky impiant ende nuk ka filluar punën.  Gazetari investigativ Artan Hoxha ka zbuluar se një aksion policor për arrestimin e Klodian Zotos, apo siç njihet ndryshe si “bosi” i inceneratorëve, i cili është shpallur në kërkim, ka dështuar së fundmi. Gazetari Hoxha është shprehur se policia ka pasur informacione që Klodian Zoto ka qenë në Shqipëri dhe jo jashtë vendit siç mendohej. Duke marrë informacione policia ka përgatitur edhe një aksion për arrestimin e tij, megjithatë nuk është realizuar me sukses. Ndërkohë për Stela Gugalljan, e cila po ashtu është në kërkim, sipas gazetarit Hoxha rezulton se fshihet jashtë Shqipërisë. “Policia ka bërë tentativë për të arrestuar Klodian Zoton, brenda Shqipërisë. Stela Gugallja ndodhet jashtë Shqipërisë. Tentativat e  policisë vijnë se ka pasur informacion që ka qenë brenda territorit. Është tentuar që ta kapin brenda. Ka pasur informacion por nuk është bërë e mundur ndalimi i tyre. Kemi pjesën e funksionarëve public, por jo biznesmenët. Është në gjysmë historia.”- tha Hoxha.

Sakaq, gazetari u shpreh gjithashtu se nga burime të tij brenda SPAK, mësohet se Prokuroria e Posaçme ka nën hetim edhe personazhe të njohur publikë për aferën e inceneratorëve.

“Është një çështje në hetim. Nuk do të mbyllet kaq shpejt. Interes ka se çfarë po bëhet me këtë hetim dhe a do të shtrihet më tej. Deri tani ky hetim ka pasur dy faza. Jemi në pritje të fazës së tretë. Janë shtrirë kryesisht me të Elbasanit dhe Fierit. E treta është më i kushtuari, ky është 128 milion euro dhe nuk ekziston. Të dy të parët kemi një objekt, në Tiranë kemi vetëm një landfill.

Jemi në pritje të Tiranës se çfarë do të bëhet. Edhe kjo që është bërë deri tani është sukses. Prokuroria ka boll elementë, e ka shpërbërë skemën. Por ndodhet para faktit, që a do të ketë vullnet të shkojë më lart. Ka disa personazhe të zgjedhur publik që duket sikur janë toleruar nga prokuroria. Më është thënë që i kemi nën hetim. Nuk e përjashtojnë mundësinë, që mund të merren nën cilësinë e të pandehur.

Për Tiranën janë akoma duke hetuar. Presioni për Tiranën është jashtëzakonisht i madh. Prokuroria ka një element të rëndësishëm të ndaluar si Alqi Bllako. Ka firmosur shumë shkresa që kanë lëvizur nga ministria e tij në drejtim të Kryeministrisë dhe bashkive. Ka një mundësi që të ulë ngarkesën e vet dhe t’i bëjë një shërbim publikut. Presioni për hetimin e Tiranës është shumë i madh. U bëj apel të mos tërhiqen”, u shpreh ai.

 

Aktorë të tregut veçojnë se kompanitë e incenerimit janë në evazion fiskal, për shkak të rimbursimit të TVSh-së fiktivisht, ndërkohë që nuk kanë operuar në treg. Sipas tyre, kjo është arsyeja kryesore për t’u bërë ndërprerja e pagesave nga buxheti i shtetit dhe mosrrezikimin e arbitrazhit.

Inceneratorët vijojnë të gllabërojnë para

Buxheti i shtetit vijon pagesat për inceneratorin e Tiranës. Pagesat nga Thesari për inceneratorin e Fierit u bënë para vendosjes së masës së sekuestros.Aigest Milo, partner ekzekutiv në kompaninë ligjore “KALO & ASSOCIATES”, tha “Monitor” se ndërprerja e pagesave te këto projekte lidhet ngushtë me plotësimin e detyrimeve kontraktore të koncesionarit, që duhet të dalë fillimisht nga hetimi administrativ nga Ministria e Mjedisit dhe Financave dhe vendimi i gjykatës për të konfirmuar hetimet e nisura.

“Në mënyrë që të arrijmë te ndërprerja e pagesave, duhet që vetë kontratat të përfundohen. Por, që kjo të realizohet, duhet pikësëpari të kemi një hetim administrativ të vetë institucioneve kontraktore, në mënyrë që të evidentohen të gjitha shkeljet kontraktore të koncesionarit. Kjo do t’i shërbente jo vetëm transparencës ndaj kësaj çështjeje, por mbi të gjitha do të shmangte një rrezik potencial nga ndonjë vendim jo në favor të gjykatave (të arbitrazhit dhe/ose vendase).

Sigurisht, çdo zhvillim i shpejtë i hetimeve të SPAK që mund të shoqërohet me një vendim konfirmues të një gjykate, do të justifikonte nga pikëpamja ligjore përfundimin e kontratave dhe ndërprerjen e pagesave”, pohon ai. Z. Milo thekson se nëse kontratat ndërpriten pa u mbështetur në parashikimet kontraktore dhe legjislacionin në fuqi dhe pa pasur qoftë edhe një vendim konfirmues ndaj hetimeve të SPAK, çështja rrezikon të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit.

“Për këtë shkak është e një rëndësie themelore që institucionet publike të bëjnë auditimin e këtyre kontratave, me qëllim faktimin e shkeljeve të koncesionarit. Vetëm në këtë mënyrë, përfundimi i kontratave do të ishte i ligjëruar dhe Shqipëria nuk do të rrezikonte të dënohej nga gjykatat e arbitrazhit”.

Aktorë të tregut veçojnë se kompanitë e incenerimit janë në evazion fiskal, për shkak të rimbursimit të TVSh-së fiktivisht, ndërkohë që nuk kanë operuar në treg. Sipas tyre, kjo është arsyeja kryesore për ndërprerjen e pagesave nga buxheti i shtetit dhe mosrrezikimin e arbitrazhit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, pagesat progresive për 3 kontratat koncesionare të inceneratorëve në fund të vitit 2021 arritën në 10.6 miliardë lekë, ose 86 milionë euro.

Pagesat u dhanë gjatë viteve 2015 -2021 që kur nisi zbatimi i kontratës së parë koncesionare në Bashkinë e Elbasanit. Inceneratori i Elbasanit, i cili tashmë është në sekuestro, ka marrë financime nga buxheti i shtetit në vlerën e 3 miliardë lekëve, rreth 24 milionë euro. Kjo shumë u dha gjatë viteve 2015-2021.

Pagesat progresive për inceneratorin e Fierit arritën deri në fund të vitit 2021 në mbi 3,1 miliardë lekë, ose 25.2 milionë euro, ku vetëm për vitin e kaluar janë paguar 690 milionë lekë, ose 5,6 milionë euro.

Edhe pse investitorët në të tre inceneratorët janë të njëjtët dhe skema e abuzimit me fondet ishte e ngjashme, sekuestro mbi inceneratorin e Fierit u bë në momentin që pagesat nga buxheti janë kryer. Financimet më të mëdha i mori inceneratori i Tiranës. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se, deri në fund të vitit 2021 janë paguar rreth 4,5 miliardë lekë, ose 36 milionë euro.

Të forcohet roli rregullator i shtetit në marrëdhëniet me kontraktorët

Për të korrigjuar problematikat e krijuara në marrëdhëniet juridike me kontraktorët e menaxhimit të mbetjeve, juristi Aigest Milo tha se shteti duhet të luajë rolin e rregullatorit dhe jo të favorizimit të subjekteve.“Duhet theksuar që në Shqipëri ekzistojnë kuadri ligjor dhe mekanizmat që mundësojnë parandalimin e këtyre rasteve. Por, siç të gjithë e dimë, kuadri ligjor duhet zbatuar si duhet, në mënyrë që të jetë efektiv. Kjo mund të bëhet e mundur vetëm nëse institucionet përkatëse kanë kapacitetet e duhura dhe mbi të gjitha janë të pavarura.

Për fakt të keq, në këtë çështje, nëpërmjet dokumentacionit që është publikuar, është parë që institucionet shtetërore, në rastin më të mirë, nuk e kanë kryer rolin e tyre kontrollues, por përkundrazi, janë vendosur në funksion të interesave private.

Menaxhimi i mbetjeve është një çështje problematike jo vetëm në vende si Shqipëria, por edhe në vende të Bashkimit Europian (Italia për shembull) dhe si e tillë nuk është e mundur të lihet komplet në dorë tregut të lirë. Nga ana tjetër, shteti duhet të luajë rol rregullator dhe jo të favorizojë subjekte të caktuara duke përshtatur procedurat dhe kushtet konkurruese në funksion të interesave private dhe në dëm të atyre publike”, pohon ai.

Landifilli i Sharrës në emergjenca mjedisore

Sipërmarrësi i riciklimit të mbetjeve dhe anëtari i Shoqatës të Ricikluesve, z.Iljaz Mehmeti, pohoi se duke qenë në kushtet e monopolit të dyshimtë, situata mjedisore në vend-depozitimin e mbetjeve të Sharrës mbart rrezik të lartë. Në Sharrë depozitohen edhe mbetjet e qytetit të Durrësit. Për këtë arsye, qeveria duhet të shpallë situatën e jashtëzakonshme për trajtimin e plehrave.

“Në vend-depozitimin e Sharrës në Tiranë pritet të ketë keqmenaxhim, korrupsion dhe ineficiencë, e cila do të rëndojë situatën mjedisore në vend. Nëse nuk ndërhyhet nga institucionet shtetërore, do të arrihet deri në atë pikë sa ti do të hedhësh plehrat në derën time dhe unë do t’i hedh në derën tënde. Nga institucionet qeverisëse duhet të shpallet situatë e jashtëzakonshme. Subjekti në zonën e Sharrës të vihet nën administrim, si dhe të hartohet një ligj special bipartizan, i rëndë dakord me opozitën”, pohon z. Mehmeti. Në vend-depozitimin e Sharrës vijojnë të hidhen të gjitha llojet e mbetjeve që më pas groposen me kosto financiare dhe mjedisore të bashkive, përveç pagesës për inceneratorin.