Ministria e Shëndetësisë hap thesin për sekserët e shëndetësisë dhe “rrjepin” qytetarët

190
Sigal

 

Depot farmaceutike ankohen se tenderat e medikameteve rreth 112 milionë euro, hidhen për dy ditë te klientët e qeverisë

Shëndetësia ndodhet në kolaps, teksa miliona hidhen për oligakët e shëndetësisë, për shërbime shqiptarët paguajnë dhe nuk përfitojnë. Depot farmaceutike ankohen se tenderat e medikameteve rreth 112 milionë euro, hidhen për dy ditë te klientët e qeverisë. Ilaçet për trajtimin jetëshpëtues të kancerit për fëmijët, që nuk gjenden as në farmaci mungojnë prej 2 vitesh ,e megjithatë Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nuk ka një përgjigje për këtë situatë, e aq më tepër për personat përgjegjës

Raportet financiare tregojnë se shqiptarët kanë vështirësi të mëdha edhe për të marrë shërbimin shëndetësor. Shumë prej qytetarëve hasin probleme për t’u kuruar për shkak të mungesës së parave. Ata shprehen se në spitalet shtetërore nuk merr shërbim nëse nuk paguan para. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, koncesioni i Check-up dhe hemodializës ‘gllabëron’ 10.5 mln euro për shërbime që qytetarët nuk kanë përfituar. Ndërkohë ‘shëndetësia falas’ është një nga sloganet më të përdorur nga qeveria, por kjo shëndetësi falas kushton shumë tek xhepat e shqiptarëve. Qytetarët u shprehën se shëndetësia është shumë e shtrenjtë, duke e cilësuar si të dështuar dhe korruptive, madje edhe se i çon në prag të humbjes së jetës nga e ilaçeve. Madje ish-këshilltari holandez i Etilda Gjonajt i shkruan letër qeverisë se përjetoi dramë në Spitalin e Traumës, pasi këtu njerëzit mund të vdesin kot. Ai evidentoi realitetin fatkeq që përballën ato që u bie halli në dyert e spitalit si mungesa e fashove në spital, që duhen blerë vetë, mungesa e letrës higjienike për pacientët, si dhe ujë i pijshëm dhe në banjë nuk kishte ujë në rezervuarin e VC-së.

 Mungesa e ilaçeve për fëmijet me leuçemi

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nuk ka një përgjigje për mungesën dyvjeçare të medikamenteve për fëmijët që vuajnë nga leuçemia. Megjithëse ilaçet u siguruan vetëm pas denoncimeve në media, ministrja nuk dha asnjë shpjegim as  për procedurat si u siguruan këto ilaçe. Reparti i Onko-Hematologjisë në QSUNT, dy vitet e fundit kishte mungesa në disa medikamente jetëshpëtuese për fëmijët që vuajnë nga tumoret, leuçemia, medikamente që nuk gjenden as në farmaci. U desh një denoncim dhe investigim dy vjeçar për të siguruar medikamentet për fëmijët, që vuajnë nga leuçemia dhe trajtohen në shërbimin e onkohematologjisë. Ndërsa javën e shkuar, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, lau duart duke thënë se fondi për këto medikamente është siguruar, ministrja nuk dha një përgjigje se përse këto medikamente munguan për dy vjet dhe u siguruan vetëm pas publikimit të investigimit në media. Manastirliu nuk shpjegoi as procedurën se si u siguruan këto ilaçe. Deklaratat e ministres u bënë pas mbledhjes së përjavshme të qeverisë, ku u miratua projektligji për shërbimin spitalor, që synon autonominë spitalore. Por mungesat e ilaçeve në QSUNT janë një problem i përsëritur në vite dhe nuk bëhet fjalë për dështimin e një prokurimi të rastësishëm.

Depot farmaceutike “mbysin” me ankesa Ministrinë

Dy ditët e fundit Komisioni i Prokurimit Publik është përballur me një numër të lartë ankesash nga depot farmaceutike kundër Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për një sërë procedurash prokurimi të hapura nga kjo e fundit. Në vetëm dy ditë në KPP janë regjistruar 11 ankesa për llogari të kësaj ministrie nga kompani të ndryshme farmaceutike kryesisht për disa procedura të hapura pak ditë më parë për medikamente, që përdoren në spitale. Referuar ankimimeve ato që bien në sy janë ankesat për mënyrën sesi janë hartuar dokumentet e tenderit dhe specifikisht të lidhura grafikun e lëvrimit ku pavarësisht kushteve të vendosura duket se spitalet sipas kompanive nuk kanë respektuar këto afate. Ankesat në seri ndaj Ministrisë duket se vijnë si rezultat i marrëveshjes kuadër që kjo e fundit ka me operatorët, të cilët kanë parë të arsyeshme të ankimojnë disa procedura të veçanta të lidhura me medikamentet. Sipas kuadrit ligjor KPP tashmë do të duhet të analizojë ankesat dhe të marrë vendim ku nëse operatorët kanë të drejtë të kërkojë rishikim dhe korrigjim të dokumenteve të tenderit dhe kushteve të përfshira në to dhe nëse gjykohet se ministria ka të drejtë të autorizojë vijimin e procedurës në kushtet që është. KPP raportoi se në vitin për vitin 2021 nga 5079 procedura të publikuara në Sistemin e Prokurimeve Elektronike gjatë, për 566 prej këtyre procedurave me vlerë prej 13,716,561,152 lekë (rreth 112 milionë euro), janë paraqitur ankesa pranë Komisionit të Prokurimit Publik.“Në total pranë Komisionit të Prokurimit Publik, janë paraqitur ankesa për 9.2 % të buxhetit të prokuruar në rang kombëtar. Për vitin 2021, janë paraqitur pranë Komisionit të Prokurimit Publik 768 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë) ankesa në total, nga të cilat: 762 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e dy) janë ankesa në lidhje me procedura të prokurimit publik, 3 (tre) ankesa për procedura ankandi, 1 (një) ankesë lidhur me lejet minerare dhe 2 (dy) ankesa në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë” -thuhej në raport.