Damian Gjiknuri bashkëbisedim me të rinjtë: Popullojeni Partinë Socialiste, vizatoni vetë të ardhmen tuaj

165
Sigal

Partia Socialiste do të miratojë një axhendë për rigjallërimin e strukturave të rinisë në të gjitha nivelet e organizimit të saj. Kështu deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri gjatë një bashkëbisedimi me të rinj dhe të reja, në kuadër të aktivitetit “Zgjedh të jem aktivist”, që synon përgatitjen dhe shtimin e radhëve të FRES. Gjiknuri ftoi të rinjtë që të bëhen pjesë e PS, si një mënyrë për të kontribuar dhe për të qenë vendimmarrës. “Kjo që bëni ju është aktivizëm në mënyrë të organizuar. Ju mblidheni për të diskutuar për tema politike dhe angazhimet që mund të ndjejë gjithsecili se duhen ndërmarrë. Unë besoj shumë te aktivizmi.

Edhe në Kongresin e PS disa pasazhe të fjalës sime ia kisha dedikuar të rinjve. Madje thashë një shprehje: popullojeni sa më shumë Partinë Socialiste. Nuk e them kot këtë. Të rinjtë nga natyra e kanë shumë të vështirë të bëjnë kompromise sepse kanë energji dhe ide të reja dhe nuk pajtohen me aktualen. Unë kam qenë i ri vetë kur ndryshoi sistemi politik në vitin 90′ dhe mendoja se i riu përgjithësisht del kundër rrymës. Kjo është merita e shumë të rinjve që kanë guxim. Ardhja e sa më shumë të rinjve afër Partisë Socialiste do bëjë të mundur edhe ndryshimin në njëfarë mënyre të kësaj partie, por edhe ndryshimin e gjërave që nuk shkojnë mirë. Duke qenë ju shumë, duke marrë në dorë fatet e shumë politikave në Partinë Socialiste, jam i bindur se do të keni mundësinë të ndryshoni rregullat e lojës për t’ju përshtatur interesave të gjeneratës së re”, tha ai.Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri theksoi se përmes aktivizimit në politikë, të rinjtë dhe të rejat kanë mundësi që të vizatojnë vetë të ardhmen e tyre. “Teksa nënvizoi rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme vendore, Damian Gjiknuri u shpreh se PS do të krijojë të gjitha mundësitë për përfshirjen e sa më shumë të rinjve. Me ftesën për të populluar PS, Sekretari i Përgjithshëm Damina Gjiknuri deklaroi se një parti politike duke qenë afër njerëzve, mund t’i transformojë idetë në politika publike.Popullojeni Partinë Socialiste, bëhuni sa më shumë. Pak nga pak do kuptoni që keni influencë”, deklaroi Gjiknuri.