Sami Alimema: Shkolla e re prej dy vjetësh që pret nxënës

156
Sigal

 

A është në dijeni Ministria e Arsimit që në Sarandë është ndërtuar një shkollë e re, e cila ka kushtuar miliona Euro dhe ka rreth dy vjet që pret nxënës?

 

Si kudo, edhe në qytetin e Sarandës filloi viti shkollor si në mbarë vendin. Urime dhe suksese mësuesve dhe nxënësve! Të gjithë: prindër, nxënës dhe mbarë komuniteti i qytetit të Sarandës prisnin që me fillimin e vitit të ri shkollor, përveç ceremonive tradicionale  të kishte cermoni përurimi për godinën e re, të mrekullueshme, të gumëzhinin zërat e fëmijëve të klasave të para deri tek e nënta, e cila do të ngelej gjatë në kujtesën e tyre që do të fillonin vitin e ri shkollor në ndërtesën e re, sidomos për fëmijët e klasave të para. Kjo nuk ndodh që prej dy vjetësh. Mos vallë Kryeministri dhe Ministrja e Arsimit nuk gjejnë kohë për ta përuruar këtë shkollë të re apo në këtë ndërtësë do të dëgjojmë këngën e zogjve apo qyqeve , në vend të zërave të ëmbël të fëmijëve dhe zërat shpjegues të mësuesve të mrekullueshëm të Sarandës, të cilët dallohen për përkushtim në punë. Natyrshëm , si qytetar , ish mësues , ish drejtues na lind pyetja :- Përse kjo indeferencë e organeve të pushtetit qëndror dhe local? A është në dijeni Ministria e Arsimit që në Sarandë është ndërtuar një shkollë e re, e cila ka kushtuar miliona Euro dhe ka rreth dy vjet që pret nxënës , në të njejtën kohë që prej disa vitesh , në të dy shkollat nëntë vjeçare të qytetit të Sarandës mësimi zhvillohet me turne ?( fillon në orën 13.30 dhe mbaron në orën 17.45). Mirë në muajt me ditët më të gjata, po në periudhën e dimrit që prindërit gjejnë fëmijët e tyre me kode të cilët kanë vendosur me njeri-tjetrin. Shkolla pret të pajiset më mjetet e nevojshme shkollore si  tavolina, karrike dhe mjetet mësimore për t’u ulur nxënësit. Mendoj se duhet të ketë një reagim të menjëhershëm si nga organet lokale, Zyra Arsimore, bashkia deri tek Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Nxënësit presin të fillojnë tek shkolla e re, të mos bëjnë mësimin me turne, edhe pse kjo shkollë nuk e zgjidh përfundimisht mësimin me turne, por 70 % të tyre. Nga ana tjetër edhe shumë mësues që presin pas dyerve për punësim, si ata që kanë mbaruar universitetet ashtu edhe ata që dalin në reformë si rezultat i mbylljes së shkollave nga mospasja e numrit të duhur të nxënësve. Nuk besoj se kjo shkollë u ndërtua për elektorat apo për interesa të tjera, t’i jepet statusi për të cilën është ndërtuar. Nuk besoj se mbrapa kësaj indifference të fshihen interesa të tjera. Duke vlerësuar investimet në ndërtimin e shkollave, sidomos në bashkinë e Tiranës, ftoj që ky investim i rëndësishëm në bashkinë e Sarandës t’i shërbejë komunitetit, i cili e ka pritur prej vitesh .