Prof. Dr. Alqi Naqellari: A e braktisi Enver Hoxha Kongresin e Përmetit?

585
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kongresi Përmetit i zhvilloi punimet nga data 24 maj deri në datën 28 Maj 1944. Në këtë Kongres u morën shumë Vendime me rëndësi historike për kohën. Pavarësisht si interpretohen këto vendime, për mendimin tim aty u mor një Vendim historik që ishte i lidhur me të ardhmen e popullit e të shtetit shqiptar. Aty u vendos:

–  Të ndërtohet Shqipëria e re demokratike e popullore sipas vullnetit të popullit, që sot e shpreh solemnisht në Këshillin e Përgjithshëm Antifashist NAÇL

– Të vazhdohet më me ashpërsi lufta kundër pushtuesve gjermanë dhe tradhtarëve shqiptarë, deri në shkatërrimin e tyre të plotë dhe vendosjen e pushtetit demokratik-popullor në të gjithë vendin.

Në këtë Kongres, me këtë Vendim, u përcaktua forma e regjimit që do zbatonte Shqipëria pas çlirimit të vendit. Aty u mor Vendimi për ndërtimin e një Shqipërie me Pushtet Demokratik e Popullor.

Forma e Pushtetit që u vendos në Kongresin e Përmetit shprehte aspiratat e rinisë dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, i cili u ngrit në luftë për çlirimin e vendit por edhe për vendosjen e një pushteti që ti takonte pupullit, për një pushtet popullor e demokratik. Kjo dëshirë dhe ëndër e tij u realizua në Kongresin Historik të Përmetit duke u pasqyruar në Ligjin Themelor të Shtetit, në Kushtetutën e 1946. Qoftë edhe ky vendim i vetëm, pavarësisht nga vendimet e tjera do mjaftonte që ky Kongres të përkujtohet sot e mot me nderim dhe me respekt të veçantë. Kongresi Përmetit vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më të diskutueshme të periudhës së luftës Na-Çl.

Ata njerëz që udhëhoqën popullin në luftën Na-Çl abuzuan me besimin që u dha rinia dhe populli shqiptar duke e kthyer formën e Regjimit nga një Republikë Popullore Demokratike ku Pushteti buronte nga populli dhe i takonte popullit, në një Republikë Popullore Socialiste ku u sanksionua me ligj se forma e regjimit do ishte Pushtet i Diktaturës së Proletariatit. Forca e vetme udhëheqëse e kësaj diktature do ishte Partia e Punës. Braktisja e Vendimit të Kongresit të Përmetit e sanksionuar në Kushtetutën e 1946 dhe e mishëruar në Kushtetutën e Partisë-Shtet të  1976 bëri që Shqipëria të binte nën dhunën më të egër të diktaturës së proletariatit në të gjithë lindjen socialiste.

Më poshtë do vendosim përballë Kushtetutën e 1946 që reflekton Vendimin e Kongresit të Përmetit me Kushtetutën e 1976 që reflekton Ideologjinë e Partisë Shtet të Diktaturës së Proletariatit.

STATUTI(KUSHTETUTA) E VITIT 1946. Në 1946: “Shqipëria emërohet Republikë Popullore me emrin Republika Popullore e Shqipërisë”.

ART. 1. Shqipëria është një republikë popullore, ku i gjithë pushteti buron nga populli dhe i takon popullit.

ART. 2. Në Republikën Popullore të Shqipërisë populli realizon pushtetin e tij me anë t’organeve përfaqësonjëse të pushtetit shtetëror që janë këshillat popullore, të cilat lindën në Luftën Nacional çlirimtare kundër fashizmit e reakcionit edhe përfaqësojnë fitoren më të madhe të masave kryesore të popullit shqiptar. Këto organe zgjidhen lirisht prej popullit që nga këshillat e lokaliteteve e gjer në Kuvendin Popullor.

ART. 5. Në Republikën Popullore të Shqipërisë mjetet e prodhimit përbëhen prej pasurisë së përbashkët të popullit që gjëndet në duart e shtetit, prej pasurisë së organizatave kooperative popullore dhe prej pasurisë së personave private, fizike ose morale. …..

ART. 9. Garantohen pronësia private dhe iniciativa private në ekonomi. Garantohet e drejta e trashëgimit të pasurisë private. Ndalohen monopolet, trustet, kartelet, etj., të krijuara me qëllim që të diktojnë çmimet, të monopolizojnë tregjet në dëm t’ekonomisë nacionale.

ART.10 … Shteti mpron personat që pajtohen për punë duke i u siguruar të drejtat e organizimit, duke kufizuar orët e punës dhe duke caktuar minimumin e mëditjevet. Ay i përkrah me anë të sigurimevet shoqërore dhe me mprojtjen e së drejtës së tyre për një pushim të përvitshëm që u paguhet nga ana e punëdhënësvet.  Shteti mpron veçanërisht të rinjtë që nuk janë në moshë madhore për sa i takon marrjes së tyre në punë.

ART. 15. Gruaja është njësoj me burrin në çdo fushë të jetës private, politike dhe shoqërore. Gruaja ka të drejtë të shpërblehet njësoj me burrin për një punë të barabartë. Ajo ka po atë të drejtë dhe në sigurimet shoqërore…

ART. 16. Të gjithë shtetasve u garantohet liria e ndërgjegjës dhe e besimit. Kisha është e ndarë nga shteti. …. Ndalohet që Kisha dhe Feja të shpërdoren për qëllime politike…. Gjithashtu ndalohen organizatat politike me bazë fetare. Shteti munt të ndihmojë materialisht komunitetet fetare.

ART. 18. Të gjithë shtetasve u garantohet liria e fjalës, e shtypit, e organizimit, e mbledhjes, e grumbullimit dhe e manifestimit publik.

ART. 22. Në Republikën Popullore të Shqipërisë puna është një nder dhe një detyrë. Çdo shtetas ka të drejtë të shpërblehet sipas punës dhe aftësisë dhe të marrë nga shoqëria aq sa i jep ai vetë shoqërisë.

ART. 33. Të gjithë shtetasit janë të detyruar të paguajnë taksë në proporcion me mundësitë ekonomike të tyre. Taksat e shtetit dhe përjashtimi nga të paguarit e taksave caktohen me ligjë…

ART. 58. Qeveria vepëron në bazë të Statutit dhe të ligjëve.

ART. 63. Anëtarët e qeverisë janë përgjegjës penalisht për shkeljen e Statutit dhe të ligjëve në lidhje me ushtrimin e funkcioneve të tyre. Ata janë përgjegjës edhe për dëmet që mund t’i shkaktojnë shtetit me veprimtarinë e tyre të kundraligjshme. Me ligjë të veçantë do të vihen me hollësi normat mi përgjegjësinë e anëtarëvet të qeverisë…

Çfarë të veçantë ka ky STATUT(KUSHTETUTË)?

Kushtetuta e 1946 ishte një Kushtetutë e marrë nga vendet e Lindjes për një sistem ekonomik miks. Ajo asnjëherë nuk u zbatua plotësisht. Vijoj deri në 1976 kur u miratua Kushtetuta e re, me anën e së cilës u sanksionuan në ligj gjith veprimtaria e Partisë komuniste (Partisë Punës).

Nëse do ishte zbatuar Kushtetuta e vitit 1946 modeli socializmit shqiptar nuk do kishte falimentuar si falimentoi, por do kishte realizuar një kalim të butë në sistemin e ekonomisë së tregut. Ajo u devijua sipas interesave ideologjike të Partisë Komuniste(Punës) shqiptare duke u shndëruar në një statut të shtetit të diktaturës së proletariatit, duke shkelur me këmbë Vendimin e Kongresit të Përmetit “për një pushtet demokratik e popullor”.

Në 1946 Shqipëria ishte demokraci popullore ku pushteti buronte nga populli dhe i takonte popullit. Nuk kishte asnjë nen ku të përcaktohej roli udhëheqës i Partisë Komuniste si forcë e vetme udhëheqëse e Shtetit siç u përcaktua në Kushtetutën e 1976.

Në 96 Artikuj që ka Kushtetuta e 1946 nuk ka asnjë ku të përmendet fjala Parti, aq më pak Parti Komuniste.

KUSHTETUTA E VITIT 1976

Në vitin 1976 u hartua dhe u miratua kushtetuta e re e cila kishte ndryshime thelbësore në krahasim me Kushtetutën e 1946 dhe me çdo Kushtetutë të një vendi demokratik sepse sanksiononte diktaturën. Enver Hoxha në Kongresin e VII të Partisë së Punës deklaroj: “Kushtetuta e re përshkohet tërësisht nga ideologjia e nga parimet themelore të marksizëm-leninizmit, mishëron mësimet dhe përvojën revolucionare të Partisë sonë të Punës dhe mban vulën e mendimit krijues të masave të gjera të popullit tonë…

Kushtetuta e re nuk e fsheh karakterin e saj klasor. Ajo e shpall dhe e sanksionon natyrën e shtetit tonë si diktaturë e proletariatit në fuqi, e shpall dhe e sanksionon rolin e pandashëm e udhëheqës të Partisë në shtet dhe në gjithë shoqërinë, e shpall dhe e sanksionon luftën e klasave si forcë kryesore lëvizëse të gjithë shoqërisë sonë. … në Projektkushtetutë thuhet hapur se shteti ynë socialist, në tërë veprimtarinë e tij, i përmbahet parimit të madh marksist-leninist të luftës klasore, e cila përbën forcën e madhe lëvizëse për të çuar përpara revolucionin socialist.  …përcaktimi në Kushtetutë se në shtetin tonë socialist «ideologjia sunduese është marksizëm-leninizmi», se «në bazë të parimeve të tij zhvillohet gjithë rendi shoqëror socialist… ndërtimin e socializmit Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë i përmbahet parimit të mbështetjes në forcat e veta.

Me Kushtetutë u shpall shteti-diktaturë, partia-shtet, lufta e klasave forcë lëvizëse, ideologjia sunduese marksizëm leninizmi, përvoja e Partisë Punës dhe Enver Hoxhës, popull i armatosur, mbështetja në forcat e veta,…  etj.

Në dy nenet e para shprehen dy nga ndryshimet themelore të saj, ajo ndryshon emrin nga Republikë Popullore kthehet në Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe kjo mbështetet nga neni 2 duke u kthyer në diktaturë të proletariatit, shkurt do thotë Shtet Socialist i Diktaturës së Proletariatit. Ky tog fjalësh përbën thelbin e sistemit Socialist Shqiptar. Në Nenin 1. Shqipëria është Republikë Popullore Socialiste. Neni 2. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë është shtet i diktaturës së proletariatit, që shpreh dhe mbron interesat e të gjithë punonjësve.

Nëse në vitin 1946 Shqipëria kaloj nga Monarkia në Republikë Popullore,  në 1976 u sanksionua “shteti i diktaturës së proletariatit”.

Roli i Partisë së Punës përcaktohej në në nenin 3 të Kushtetutës së 1976 ku thuhej “Partia e punës e Shqipërisë, pararojë e klasës punëtore, është forca e vetme politike udhëheqëse e shtetit dhe shoqërisë shqiptare”.

Ky nen vuloste gjithçka, kjo do të thoshte se Partia ishte mbi të gjitha, para shtetit, para qeverisë e çdo organizate tjetër të krijuar. E theksoj “organizatë tjetër” sepse në atë periudhë funksiononin disa organizata. Të gjitha këto ishin leva të Partisë në realizimin e objektivave e detyrave të saj.

Në këtë mënyrë ne kemi punuar nën udhëheqjen e Partisë, pa inisiativë private sepse nuk kishte pronë private, të kufizuar nga ideologjia materialiste ku interesi përgjithëshëm vendosej mbi atë privat.

Në periudhën 1976-1990 ideologjia sunduese ishte marksizëm-leninizmi, ashtu si e kuptonte atë Enver Hoxha. Mësimet dhe citatet e Enver Hoxhës u shndruan në Nene të Kushtetutës. “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë (RPSSH) zhvillon pandërprerë revolucionin duke ju përmbajtur luftës së klasave dhe ka për qëllim të sigurojë fitoren përfundimtare të rrugës socialiste mbi rrugën kapitaliste, të arrijë ndërtimin e plotë të socializmit dhe të komunizmit”(Neni 4). Pra shoqëria shqiptare në themel të zhvillimit të saj do kishte luftën e klasave.

Ky nen ishte tërësisht antidemokratik pasi u privoj të drejtën njerëzve të mos mernin pjesë aktive në jetën shoqërore dhe ekonomike. Atyre u kufizohej e drejta e arsimit të lartë dhe një sërë të drejtash të tjera shoqërore dhe ekonomike. Kjo ndarje bëri që shoqëria të luftonte brenda vetes së saj me një kundërshtar që e kishte krijuar vetë sistemi “i socializmit shqiptar” si imitim i keq i socializmit lindor.

Kushtetuta dhe Sistemi i 1976 nuk kishte më asnjë lidhje me Kongresin e Përmetit.

CILAT JANë DISA NGA NDRYSHIMET MIDIS KUSHTETUTËS SË 1946 DHE ASAJ TË 1976?

Përgjigje. Kushtetuta e vitit 1976 ishte një shpikje e Enver Hoxhës për të përjetësuar sundimin e tij si diktator i kuq.

Për ta parë këtë ndryshim lexojmë disa nene të saj, ashtu si vepruam edhe me Kushtetutën e 1946.

Ekonomia e Republikës së Popullore Socialiste të Shqipërisë është ekonomi socialiste që mbështetet në ekonominë socialiste mbi mjetet e prodhimit… janë zhdukur dhe ndalohen prona private dhe shfrytëzimi i njeriut  prej njeriut(Neni16). Shikoni se si konceptohet prona private. Prona private konceptohet si burim i skllavërimit të masave punonjëse, si bazë e shfrytëzimit të njeriut nga njeriu, pra prona private nuk shikohet së bazë e zhvillimit të ekonomisë, e nxitjes së iniciativës private. Prona socialiste shihej si prona e paprekëshme e sistemit socialist, burimi i mirëqënies së popullit dhe i fuqisë së atdheut. Kjo pronë përbëhet nga prona shtetërore dhe prona kooperativiste në bujqësi.

Prona shtetërore i përket të gjithë popullit dhe është forma më e lartë e pronës socialiste.

Prona kooperativiste i përket grupit të punonjësve të fshatit, të bashkuar vullnetarisht në kooperativën bujqësore për rritjen e prodhimit e të mirëqënies, për ndërtimin e socializmit në fshat dhe në gjithë vendin.(Neni 21). Kjo thënja të bashkuar “vullnetarisht” është një gënjeshtër sepse shumica e tyre nuk kanë qënë dakort për të dorëzuar mjetet e tyre të punës dhe tokën. Kooperatvia nuk vendoste dot gjë vetë. Ajo drejtohej nga Byroja e Partisë së Kooperativës e cila kontrollonte gjithë organizatat bazë të partisë në të gjitha brigatat dhe sektorët e kooperativës.

Prona vetjake. Konsiderohen si pronë vetjake të ardhurat nga puna dhe nga burime të tjera të ligjëshme, shtëpitë e banimit dhe sende të tjera që shërbejnë për plotësimin e nevojave materiale e kulturore vetjake të familjare(Neni 23).

Jeta ekonomike e shoqërore organizohet nga shteti. Këtë e realizon “me plan unik e të përgjithëshëm, me qëllim që të plotësohen nevojat materiale kulturore gjithnjë në rritje të shoqërisë, të forcohet pavarsia dhe mbrojtja e vendit, duke rritur e përsosur pa reshtur prodhimin socialist mbi bazën e teknikës së përparuar”(Neni 25). Përcaktimi i fundit është edhe Ligji Themelor i Socializmit.

Në këtë mënyrë shteti merrte përsipër organizimin jo vetëm të jetës ekonomike por edhe të asaj shoqërore. Kështu duhej të mendoje dhe të krijoje në shoqëri në shërbim të interesit të përgjithëshëm dhe jo të interesit vetjak. Interesi vetjak ishte në plan të dytë, sepse ndryshe etiketoheshe si “egoist”, “materialist” që vë interesin personal mbi atë të përgjithshëm.

Një nga parimet kryesore të zhvillimit të ekonomisë ishte parimi i mbështetjes në forcat e veta “…. mbështetet kryesisht në forcat e veta si dhe në ndihmën internacionaliste të vendeve të tjera socialiste”… Në Shqipëri “… ndalohet dhënja e koncensioneve, krijimi i shoqërive dhe institucioneve të tjera ekonomiko financiare të huaja ose të përbashkëta me monopolet dhe shtetet kapitaliste, borgjeze e revizioniste si dhe marrja e kredive prej tyre”(Neni26).

“Çmimet e shitjes së produkteve të ndërmarrjeve shtetërore si dhe çmimet e blerjes së produkteve bujqësore nga shteti caktohen prej tij”(Neni28).

Puna përbën burimnin kryesor për sigurimin e mjeteve të jetesës së çdo shtetasi”(Neni 29). Shteti synon ngushtimin e dallimeve midis punës mendore e fizike, të punës në bujqësi e industri, mer masa për kualifikimin e punonjësve, për mbrojtjen e  në punë etj. Në RPSSH zbatohet parimi socialist “ nga secili sipas aftësive dhe secilit sipas punës”. Për punë të barabartë pagë të barabartë.(Neni 30).

Interesi përgjithshëm vendosej mbi interesin personal, kjo ishte sanksionuar në nenin 38. E habitshme por e vërtetë sepse në këtë Kushtetutë thuhet në nenin 39 se “Të gjithë shtetasit janë të barabartë para ligjit”. Po a ishin në fakt të gjithë të barabartë para Ligjit?

Projektplanet e zhvillimit të ekonomisë hartoheshin nga Këshilli i Ministrave. KM “… harton projektplanin e zhvillimit ekonomik dhe kulturor të vendit, projekt buxhetin e shtetit, organizon e kontrollon zbatimin e tyre, drejton dhe organizon sistemin monetar e financiar të shtetit;..”(Neni84). Ky nen hidhte poshtë dhe injoronte realisht parimin e demokracisë dhe atë të vijës së masave, duke treguar se ato ishin thjeshtë një propagandë ideologjike e Partisë së Punës. Neni 84 i kthente kooperativat në organizata bujkrobërish, që ishin të detyruara të mbillnin dhe të dorëzonin çfarë diktonte shteti dhe me çmimin që do përcaktonte ai. Vetëm teorikisht kooperativat kishin tokën e tyre sepse realisht ishte e shtetit sundonjës. Ato nuk kishin asnjë të drejtë mbi të, ata e kishin humbur të drejtën e shitblerjes.

Nga krahasimi që u bëmë dy Kushtetutave dallohen qartë ndryshimet midis tyre.

Kushtetuta e vitit 1946 nuk sanksiononte rolin udhëheqës të Partisë Komuniste si forcë e vetme udhëheqëse e shtetit. Shteti ishte i ndarë nga Partia, forma e shtetit nuk ishte diktaturë e proletariatit, njihej e drejta e organizimit, e tubimit dhe e fjalës, lejohej dhe mbrohej prona private, puna ishte nder dhe detyrë, etj. Forma e regjimit ishte e sanksionuar në Kongresin e Përmeitit, “pushtet demokratik popullor” Gjithçka ndryshoj në Kushtetutën e vitit 1976.

Kongresi Përmetit përbën një ngjarje historike për popullin tonë. Ishte e para herë që në historinë e tij përcaktohej një pushtet popullor demokratik, pavarësisht se ajo aspiratë u braktis nga ata që premtuan liri, barazi e mirëqënie por që sollën shkatërimin e pronës, pabarazi, pranga, skllavëri e varfëri për një popull të tërë.