Vasillaq Zëri, “magjistari” i topit të futbollit

1019
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Moisi Dalipi  

Shpesh në biseda, kur duam të kujtojmë ata që e kthyen  futbollin në një  art më vete, pa as më të voglin dyshim,do të bëjmë të pranishëm dhe Vasillaq Zërin. Që ish futbollist i “Shkëndisë”-“Tiranës”, “Dinamos” dhe ekipit tonë kombëtar  në vitet 1970 -1984, që  me “vallëzimet” elegante që bënte me topin në fushën e lojës, është vlerësuar tani së fundi nga specialistët, si “Mesi” shqiptar  i viteve ‘70. Këtij  futbollisti virtuoz të ndarë nga jeta në moshën 66- vjeçare  më 25 janar të vitit 2019, që ka lënë tek çdo tifoz magjinë e të qenurit futbollist klasi, mund  të bësh çdo lloj krahasimi dhe ti vendosësh çdo epitet, por në fund të fundit, mbetet, siç thoshte  dhe shumë herë vetë: “Jam thjesht, Vasillaq Zëri, që luajta 15 vjet futboll”. Dhe në kujtimet që ka lënë pas për fillimet e tij me lojën e futbollit ai shkruan: “Unë luaja futboll si  fëmijë në klasën e katërt fillore tek ‘Shallvaret’,te fusha e zezë, diku  tek shkolla “20- vjetori”. Luaja me të mëdhenjtë që ishin 10 vjet më të mëdhenj se unë, të cilët më kërkonin të luaja, por duroja edhe goditjet e tyre të rënda. Nga ‘Shallvaret’ ika tek lagjia “Alqi Kondi” pranë ish-ekspozitës “Shqipëria Sot” dhe atje luaja me Tit Dibrën,(Petrit Dibra, ish-futbollist, sulmues i shquar i  Tiranës). Luaja edhe te një fushë tjetër e zezë që ishte atje dhe një ditë erdhi specialisti Aurel Verria e nga afër më tha: “Ke qef të futesh në ekip?” –“Po”,- i thashë. –“Hajde e merr materialet”, – m’u kthye menjëherë dhe unë të nesërmen mora tuta të reja e fillova stërvitjen me paratërinjtë, ndonëse isha në klasën e gjashtë.

Por babai sa i pa tutat më “urdhëroi” që t’i ktheja materialet nga kishin ardhur, sepse ai “vdiste” për “Dinamon” dhe unë u largova nga “Tirana”. Më pas e spikat trajneri i të rinjve të “Dinamos” në ato vite Leonidha Dashi, i cili e dërgon tek trajneri i të paratërinjve të këtij klubi, Gole Sheshi. Pëlqehet jashtë mase nga veprimet  e tij prej prestigjatori me topin dhe në një spartakiadë të pionierëve në Durrës, ai shënon shumë gola. Futet për pak kohë tek gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, por Zëri e le për t’u futur në shkollën e ”Rezervave të punës”. Ai në vijim të  kujtimeve të tij të  atyre viteve  ka saktësuar: “Lexova në gazetën “Sporti shqiptar” në vitin 1967, se do të hapet një shkollë futbolli dhe unë mendova të konkuroj. Zyber Konçi ishte trajner dhe në komision të pranimit ishin Loro Boriçi, Skënder Jareci, Zihni Gjinali e vetë Zyberi. Dhashë normat e specialistët thanë se unë isha i talentuar, por isha i shkurtër. Skënderi me intuitën e tij i gënjeu dhe u tha se ky djalë, babain e ka të gjatë, ndaj do të zgjatet. Por kur erdhi njëherë babai në shkollë dhe Zyberi e pa se ishte më i shkurtër se unë, u befasua, ndërkohë që unë e kisha marrë bekimin e vazhdimësisë time nga teknika që zotëroja”. Në vitin e dytë të shkollës së mjeshtrisë së futbollit lojtari i formacionit tregon vlera dhe si ekip shpallet kampion i vendit duke luajtur në pozicionin e mesfushorit. Viti i katërt i shkollës e gjen atë në formacionin e të rriturve në Kategorinë e Dytë dhe shpallen kampion i vendit në këtë kategori. “Atë vit “Shkëndia” e Tiranës, ose “Ajaksi” shqiptar siç është vlerësuar, ngjitet në   Kategorinë e Parë dhe i ka marrë përpara me radhë të gjitha ekipet e mëdha, ku rrahëm “Partizanin” 2-1 me Panon, Berishën, Jankun, Ziun, Shllakun, Muratin e të tjerë lojtarë të mëdhenj; “Labinotin”, “Vllazninë”, “Dinamon” e të tjerë. Kur luanin  këta djem të përgatitur aq  bukur nga trajnerët Zyber Konci dhe Shyqyri Rreli, stadiumet mbusheshin plot e përplot me spektatorë. Ajo skuadër ka qenë një ansambël  i jashtëzankoshëm me futbollistë të tillë si Arjan Hoxha, Vladmir Ajazi, Leonidha Curri, Milto Gurma, Petrit Gjoni, Barjam Hushi, Agim Bulku, Vasillaq Zëri, Mustafa Fagu, Agron Sulo  e të tjerë,  që dhanë  futbollit  shqiptar një dimesion të ri. Dhe për fat të mire, e gjithë kjo plejadë u bë pjesë e ekipeve kombëtare dhe më vonë trajnerë të sukseshëm.

Pas përfundimit të IKF “Vojo Kushi” në vitin 1973, mesfushori “dashuruar pas spektaklit në fushat e futbollit, Vasillaq Zëri  bëhet pjesë e “Dinamos”. Trajneri, Skënder Jareci e vuri në rolin e sulmuesit të avancuar, ku sëbashku me Ilir Përnaskën dhe Shyqiri Ballgjinin formojnë një treshe të “frikshme” për  çdo skuadër. Shtatshkurti i bluve Vasillaq Zëri, tashmë së bashku me Përnaskën e Ballgjinin, bëhen tmerri i ekipeve. Zëri fiton me ekipin e tij të ri kampionatet e vitit 1975, 1976, 1977, 1980 si dhe tre kupa Republike në vitet 1974, 1978, 1982 dhe ai është një protagonist i madh në shënimin e shumë golave me aksione vetjake. Ata kanë qenë të papërmbajtshëm duke ndëshkuar çdo mbrojtje që kanë pasur përballë dhe askush nuk ka mundur t’i frenojë. Fillimisht te “Dinamo” e Skënder Jarecit gjejmë vetëm Përnaskën. Zëri dhe, pas një viti, Ballgjini do të kompletojnë “Dinamon”, që ka trajner Durim Shehun (nuk jeton më). Tre vjet nën drejtimin e tij u fitua gjithçka: kampionate e kupa. Pastaj skuadra u drejtua nga Peqini e Lubonja, por cikli trevjeçar i Durim Shehut është i papërsëritshëm. Katër herë kampionë së bashku dhe tri herë fitues të Kupës së Shqipërisë. Gjatë një dekade, të tre në fushë, kanë regjistruar mbi 400 ndeshje,(aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare), duke shënuar mbi 300 gola në total. Nuk patën fatin të tregonin aftësitë e tyre jashtë Shqipërisë në vitet ‘73-‘76 me klube e kombëtare. Me kombëtaren vetëm një herë kanë luajtur bashkë: miqësore në Tiranë, 10 tetor 1976, në të parën ndeshje që luante përfaqësuesja pas pezullimit, “Shqipëri”-“Algjeri” 3-0. Të tre në fushë, Zëri, Ballgjini, Përnaska, madje dy të fundit janë edhe autorët e golave. “Dinamo” bazohej te loja e kësaj  tresheje, ku tipar kryesor ishte shpejtësia e kundërsulmit (larg akademizmit tradicional dinamovit),me shpërthimet e Ballgjinit dhe fantazinë e driblimet spektakolare të Zërit, për të konkluduar te Përnaska, i aftë të realizonte në tokë dhe në ajër.

E njihnin deri në detaje lojën midis tyre, lëviznin, pasonin pa e parë njëri-tjetrin dhe të gjithë shënonin në mënyrë sistematike. Treshja dinamovite e atyre viteve e kthyen  shpejt “Dinamon” si një  skuadër e pamposhtur të atyre viteve, ku  gjithçka zgjidhej nga veprimet e manovrimet e Zërit, Ballgjinit e Përnaskës. “Dinamo” e fillonte lojën thuajse 1-0, fitonte me shifra të thella dhe skuadrat dorëzoheshin lehtësisht para saj. Lojë e vrullshme e treshes, një kundërsulm vrasës, gola nga të gjitha mënyrat. Vasillaq  Zëri është vlerësuar si një ndër futbollistët me një arsenal unik, shumë të madh teknik, aftësi të rralla dribluese, me veprime magjike në zona të ngushta. I paparashikueshëm, një lojë plot art e fantazi. Përdorues i mirë i të dyja këmbëve, me një vizion periferik të admirueshëm, nuk ka lënë asnjë kundërshtar pa e dribluar. Një “Mesi” i vërtetë për kohën. Me numrin 9 në fanellë, në ndeshjen  ndaj “Ajaksit” në “Qemal Stafa”, ishte i pakapshëm duke i habitur holandezët, që në Amsterdam e pritën si një yll i ardhshëm i tyre. Në Shkodër, ndaj “Vllaznisë” në një ndeshje kupe, takimi i dytë, ka shënuar golin më spektakolar në minutën e 119-të, kur dribloi disa kundërshtarë. Gjashtë takime luajti me Kombëtaren: të parin në Tiranë, në miqësoren me Algjerinë në vitin 1976 (3-0), me trajner Boriçin dhe dy të fundit ndaj Bullgarisë, në “Qemal Stafa” (0-2) me 14 tetor 1981 dhe në Vjenë, në sfidën e 22 shtatorit 1982, Austri-Shqipëri 5-0, kur trajneri Rreli e hodhi në fushë për të zëvendësuar Agustin Kolën. Me Kolën, Muçën e Mingën ka qenë në ekipin kombëtar për shumë vite. Janë  vetëm  6 ndeshje  me fanellën kuqezi dhe 36 ndeshje ndërkombëtare zyrtare dhe miqësore brenda dhe jashtë vendit me ekipin e “Dinamos”, për këtë lojtar kalibri që pak kush beson se do vijë përsëri për futbollin tonë një futbollist i këtij niveli.

                                            SKEDA E VASILLAQ  ZËRIT

Lindur: Në Tiranë  më,  04.08.1952,  dhe ndarë nga jeta më, 25. 01. 2019.

Skuadrat ku është aktivizuar: “Shkëndija” 1970-1973; “Dinamo” 1973-1984.

Ndeshje ndërkombëtare:  40 ndeshje, ku  6 ndeshje janë  me ekipin kombëtar.

Trofetë të fituara: Katër herë titullin kampion: 1975, 1976, 1977, 1980; tri herë fitues i kupës së Republikës 1974, 1978, 1980  me “Dinamon”.

Vlerësimet: “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, në vitin 2005;  “Medalje e Artë në futboll” në vitin 1974; fitues  i Anketës “10 sportistët më të mirë të Shqipërisë”,“Mjeshtër i Madh” 2020.