Ali Beqiri, patriot dhe figurë kryesore në Lumin e Vlorës

1244
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Pjesëmarrës në të gjitha lëvizjet patriotike
Ali Beqiri ishte një figurë e rëndësishme politike në Velçë e në krahinën e Mesaplikut. Ai vinte nga një fis patriot që në të gjitha fazat historike ka përfaqësuar fshatin Velçë dhe ka qenë me influencë e ndikim në krahinën e Lumit të Vlorës. Ka lindur në fshatin Velçë të Vlorës në vitin 1868. Aliu mbaroi shkollën turke në Vlorë dhe në Satmboll, por dinte dhe shqip për të shkruar, e mësuar me forcat dhe vullnetin e tij. Nga natyra ishte i zgjuar, nuk i gjeje dot shokun, ishte trim e patriot. Me këtë formim ai ka qenë pjesëmarrës në të gjitha lëvizjet patriotike të organizuara në Lumin e Vlorës dhe në Vlorë në fillimet e shek. XX. Kështu ai i shpëtoi dënimit me vdekje në Stamboll në vitin 1908, pasi aktivizohej me lëvizjen patriotike shqiptare. Në Satmboll u njoh me rrethet atdhetare dhe patriotike që luftonin për Shqipërinë. Në fshatin Velçë ai i bëri të gjitha zanatet, u bë dhe hoxhë për disa kohë, dhe me tej edhe kryeplak etj. Ngriti dhe zgjeroi çiflign në Velçë, kështu falë dhe njohjes, si dhe shkollimit të tij, u bë i dëgjuar në krahinën e Vlorës, në shtresat e pasura e të burrave më në zë. Këto të gjitha i arriti me përpjekje dhe me aftësitë e tij. Çdo veprim a mënyrë, që ka kryer Aliu gjatë jetës, vetë koha, shoqëria dhe regjimet e kanë justifikuar, madje edhe çdo bëmë të tij.

Ndërmjetës për rregullim konfliktesh
Ali Beqiri për pavarësinë dhe lirinë e Atdheut kishte punuar dhe kishte dhënë e bërë shumë, aq sa qeveritarët turq e kishin ndjekur, burgosur dhe internuar disa herë. Për këtë flasin dokumentet e shkruara në gazetat e kohës. Megjithëse qeveria turke e kishte kundërshtuar e burgosur Aliun, ky me zotësinë e tij e kishte detyruar qeverinë turke, jo vetëm të tërhiqej, por edhe ta caktonte si ndërmjetës për rregullim konfliktesh. Në një rast ai caktohet në një komision, së bashku me Xhemil bej Vlorën, për të shkuar në Tepelenë, si dhe në krahinat jugore për të ndrequr mosmarrëveshjet, midis shqiptarëve dhe grekëve, midis myslimanëve e të krishterëve. Mirëpo, Aliu dhe anëtarët e komisionit, përpara se të ndërmerrnin misionin në jug të Shqipërisë, ju kërkuan autoriteteve turke të plotësonin disa kushte. Këto kushte ishin: kërkesa për dhënie të armëve, të ushqimeve, gjithashtu të drejtën për të pasur alfabetin dhe shkollën shqipe. Të gjitha këto kërkesa i vërteton shtypi i kohës.
Në përkrahje të qeverisë së Vlorës
Ali Beqiri ka qenë në krye të velçotëve për të ndihmuar Ismai Qemalin në shpalljen e pavarësisë dhe mbrojtjen e kufijëve jugorë, sidomos gjatë viteve 1912-1914. Me shpalljen e Pavarësisë, në nëntor të vitit 1912, për të cilën Aliu ka dhënë ndihmesën e tij, më tepër se çdo fshatar i krahinës apo më tej, Qeveria e Përkohshme e Vlorës e caktoi bashkë me të tjerë, për të ndrequr konfliktin që ishte midis Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe disa çetave rebele në Mallakastër, veprim ky që nuk ja arriti qëllimit. Në vijimësi përkrahu qeverinë e Vlorës dhe luftoi për mbrojtjen e trojeve shqiptare në luftimet kundër andartëve grekë gjatë viteve 1913-1914. Gajtë kësaj periudhe Aliu u caktua krahinar dhe nënprefekt, detyra në të cilat qëndroi për një kohë të shkurtër.

Kontribut për zhvillimin e fshatit Velçë
Për një kohë të gjatë në Luftën e Parë Botërore, si aga dhe kryeplak, ka dhënë kontribut për zhvillimin e fshatit Velçë. Ai ka qenë inisiator për hapjes së shkollës së parë në fshat, si dhe për çeljen e rrugës nga Qafë Varri i Tavës deri në Velçë. Si kryeplak ka dhënë kontribut në zhvillimin e bujqsisë të fshatit Velçë, duke prurë për herë të parë farëra të reja si dhe traktorin e parë. Ai ishte dhe një nga anëtarët e krijimit të “Partisë Fshatare” e cila ishte anti-italiane. Aktivitet i tij patriotik dhe atdhetarë në zonën e Mesaplikut kishte rënë në sy të pushtuesit italian. Në fshat dha një kontribut edhe në sistemimin dhe rregullimin e fshatit si dhe të shtëpive, ku vet ngriti një shtëpi me 3 kate dhe me disa dhoma, me të gjitha kushtet e kohës. Soli dhe mbolli mjaft pemë frutorë që rriten dhe kultivohen në fshatin Velçë, duke i mbjellë në oborret e shtëpive. Ishti i pari që hapi dhe pus uji në shtëpinë e tij etj.

Krahu i djathtë i Osman Haxhisë
Gjatë viteve 1916-1920 Aliu ka qenë krahu i djathtë i Osman Haxhisë, anëtar i dymbëdhjetëshes në Komitetin e “Mbrojtjes Kombëtare”. Në mbledhjen e bërë në Bahçallah, u caktua në komisionin e të 30-ve dhe ky komision e zgjodhi në Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare, që përbëhej nga 12 veta. Në ultimatumin që iu dërgua komandës italiane, Aliu Beqiri ishte një nga 4 personat që firmosi këtë dokument. Velçotë me në krye Ali Beqirin në Beun u bënë mbështetja politike, ekonomike dhe organizative e Luftës së Vlorës më 1920. Në këtë luftë ai dha kontribut të madh si në anën politike, por dhe ekonomike, ku vuri në dispozicion të luftës mall dhe gjënë e gjallë. Si anëtar i Komitetit dhe luftëtar i çetës së Shullërit, ku bënte pjesë dhe fshati Velçë, luftoi me trimëri kundër pushtuesit italianë, në Kotë dhe në Drashovicë. Aliu mori pjesë me të gjitha luftimet dhe mbledhjet e zhvilluara për të luftuar dhe përzën nga toka shqiptare ushtrinë italiane në vitin 1920. Pas kësaj lufte dhe fitoreje, Ali Beqiri nuk kërkoi ndonjë post, por u kthye në Velçë pranë familjes dhe bashkëfshatarëve të tij.

Organizator në mbështetje të ideve përparimtare
Në kryengritjen e Revolucionit të Qershorit të vitit 1924, Ali Beqiri mbajti krahun e Fan Nolit. Edhe gjatë viteve 1925-1929 velçotët me në krye Ali Beqirin ishin të organizuar në mbështetje të ideve përparimtare të kohës dhe bënin pjesë në opozitën shqiptare antizogiste, në krahinën e Mesaplikut. Ali Beqiri nuk përfaqësonte vetëm fshatin Velçë, por dhe krahinën. Ai ishte për një regjim republikan dhe kundër ndërhyrjes së huaj në vendin tonë. Kundër tij u organizua dhe një gjyqi si element trubullues dhe prishës i rendit publik, ku dhe burgoset në vitin 1932, por për mungesë provash lërohet pas gjashtë muajsh. Këti burri trim dhe atdhetar, por dhe një nga më të pasurit e krahinës, ju organizua një atentat te Shkalla e Mavrovës, ku u plagos. Por, përsëri ai së bashku me patriotë të tjerë të Lumit të Vlorës, të Mesaplikut dhe të Smokthinës vazhdoi punën për mobilizimin, përgatitjen dhe armatimin e luftëtarëve. Pushtimin e Shqipërisë, më 7 prill të vitit 1939, Aliu 70 vjeçar e priti me shumë dëshpërim, por mosha nuk e la të lëvizte dhe të rrëmbente armët si dikut, në luftërat me turkun, grekun dhe italianët etj. Në operacionin e bërë, më 15 prill të vitit 1943, nga ushtria fashiste italiane, në Velçë, u dogjën mbi 70 shtëpi e qendra banimi, u dogj gjithashtu edhe shtëpia e Ali Beqirit në fshat, si dhe shtëpitë e tij në Murrëz me gjithfarë patën brenda, përfshirë edhe qindra kuintalë grurë. Vdiq në vitin 1943 në qytetin e Vlorës.

Vlerësim i paktë për figurën e tij
Pak është folur për kontributin e tij ndaj Atdheut, si në kohën e monizmit, por dhe në kohën e demokracisë. Lumi i Vlorës dhe Vlora nuk e vlerësuan këtë figurë me rastin e 50-vjetorit të Luftës së Vlorës të vitit 1920, pavarësisht nga kontributi i tij i madh. Ali Beqiri nuk u përmend dhe nuk u dekorua si shumë trima të tjerë të kësaj lufte epope, por dhe të kontributit të tij të dhënë si patriot, atdhetar, por edhe si familje me gjendje të mirë ekonomike. Bëmat e tij nuk mund të humbasin dhe koha do të shkruaj dhe flasë për të. Vitet e fundit është shkruar, por ende studiues nuk kanë shfletuar në dokumente, në arkiva, për një kërkim më të hollësishëm me siguri do të bëhet dhe brezat që do të vinë, do të mësojnë më shmë për figurën e këtij patrioti dhe luftëtari.
Sigal