Avokati Marash Logu denoncon vendimin e KAS: Ankimimet e PD-së për Tiranën, Durrësin e Shkodrën u rrëzuan me urdhër politik të PS-së

235
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

KAS po vazhdon të shpërfillë ankimimet e PD-së dhe LSI-së për krimet zgjedhore, edhe kur ato janë të faktuara dhe me prova. Madje, deri tani, KAS ka rrëzuar kërkesën e PD-së dhe LSI-së që të mbledhë provat  që dokumentojnë krimet elektorale, nga institucionet shtetërore, detyrim në bazë të ligjit zgjedhor. Duke përfituar nga klauzola e Kodit Zgjedhor, që vendimmarrja e KAS bazohet në votim, e meqënëse maxhoranca ka 3 anëtarë kundrejt 2 anëtarëve të opozitës, KAS merr çdo vendim në kundërshtim me kërkesat e opozitës.

 Vendimmarrje politike e KAS

Përfaqësuesi ligjori i PD-së, Marash Logu, akuzoi dje tre anëtarët  e KAS se, rrëzuan ankimimet e PD-së për qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës me urdhër politik të Ramës. Ai deklaroi se KAS ka refuzuar 114 herë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për transparencë të plotë mbi zgjedhjet e 25 prillit.

Denoncimi

Ne kemi paraqitur prova të pakundërshtueshme sesi në qarkun e Tiranës, Shkodrës dhe Durrësit, votat u blenë nga drejtues të lartë të PS në bashkëpunim me elementë të krimit të organizuar. Në qarkun e Durrësit kishte një skemë kriminale të mirëfilltë të drejtuar nga drejtuesi politik Adrian Çela, i cili në bashkëpunim me ish-kryetarin e bashkisë Durrës, Vangjush Dako dhe me deputetë të skeduar për lidhjen e tyre me krimin e organizuar, kam parasysh këtu Jyrgys Çyrben, Ilir Ndraxhin apo Rrahman Rrajën, kishin ngritur struktura të mirëfillta për blerjen e votës. Po ashtu blerje masive të votës kishte edhe në qarkun e Shkodrës ku Tom Doshi, nëpërmjet lidhjeve të tij kriminale në zonën e Pukës apo Vaut të Dejës, kam parasysh këtu shtetasin tjetër Mark Frroku, blinin vota masivisht për të pasur mjaftueshëm vota për mandatin e deputetit. Është fakt i provuar se burimet shtetërore në qarkun e Tiranës, Durrësit e Shkodrës u përdorën masivisht në shërbim të PS-së, kam parasysh këtu lejet e legalizimit, lejet e ndërtimit, tenderat dhe kontratat publike si dhe çdo mjet tjetër dhe aset publik që ishte në dispozicion të shtetit.

Individë pranë PS-së në Tiranë kanë dhënë para e përdorur kërcënime për të blerë vota

Individë pranë PS-së kanë dhënë para e kanë përdorur kërcënime për të marrë vota. Aleksandër Lipivjani është i punësuar  në shtet, ndërsa edhe të tjerët kanë interesa. Ardian Davidhi, nëpërmjet një shoqërie që e ka nën pronësi ka përfituar kontrata publike. PD ka kallëzuar Tom Doshin. Parashtruam se me qëllim manipulimin e zgjedhjeve, 125 mln euro u shpërndanë. Pra fondet e rindërtimit u përdorën masivisht. Iu treguam edhe provat e tjera që duhet të merrnit për administrim. Nga ana juaj, ky informacion u refuzua për të bërë transparencë për blerjen e votës. Shteti vendosi në funksion të partisë, tendera dhe PPP. Ne sollëm para këtij komisioni prova sesi drejtori i Bashkisë së Durrësit, Arben Isaku që u thoshte punonjësve që të braktisnin vendin e punës për të siguruar fitoren e PS-së. Krahas 42 provave tona, kërkuam që të merrnin prova edhe nga institucionet e shtetit për numrin e të punësuarve. Kandidatë premtonin dhe më pas shpërndanin leje legalizimi. Ne parashtruam se vetëm në Durrës kishte mbi 7800 vota të pavlefshme. Pasur parasysh faktin se diferenca për mandatin PS-së dhe LSI-së ishte vetëm 136 vota.

Opozita: Në Shkodër 17 persona votuan për 34 zgjedhës!

Pas kërkesës së KAS, administrata e KQZ ka zbardhur përmes kryqëzimit të të dhënave nga pajisja e identifikimit elektronik (PEI) se në zgjedhjet e 25 Prillit, në Qarkun Shkodër, 17 qytetarë dyshohet se kanë votuar 34 herë në Qendra të ndryshme Votimi. Për shembull, bazuar në të dhënat e detajuara që ofrohen në tabelë, një person ka votuar 7 herë. Benet Beci, Tom Doshi, Mark Gjonaj, Fran Tuçi, Mark Babani dhe Mark Frroku në bashkëpunim me drejtues lokalë dhe individë me rekorde kriminale, kanë ngritur një strukturë të blerjes së votave.

Drejtori i KESH-it  dhe kandidat për deputet Benet Beci, me para publike bleu vota

Benet Beci, drejtori i KESH-it, ishte njëkohësisht edhe kandidat i PS-së për deputet dhe bëri fushatë zgjedhore, duke shpërdoruar detyrën shtetërore. Si drejtor i KESH, ka dhënë investime nga KESH, në zonën e tij elektorale, duke shpërdoruar fonde publike. Në një takim të organizuar në Vaun Dejës, Beci ka njoftuar rikonstruksionin e rrugës Qafë Çelë- Koman. Vlera e investimit kalon 2.4 miliardë lekë ose 24 milionë dollarë. Përmes një tenderi me procedurë të hapur, KESH  ka prokuruar furnizim, instalim, ekskavator special, dhe greifer hidraulik. Vlera limit, sipas dokumenteve zyrtare është rreth 1 milion e 450 mijë dollarë. E ndërsa fituesi do të duhej të dilte pa garë, kandidati socialist që pret të marrë mbrojtjen me mandat në 25 prill, ka shpallur fituesin pa garë.

KAS rrëzon kërkesën e PD-së për provat shtesë për qarkun e Tiranës

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka vendosur që të rrëzojë kërkesën ankimore të koalicionit PD-AN për administrimin e 19 provave shtesë për zgjedhjet në qarkun e Tiranës. “KAS pasi u tërhoq për vendimin në lidhje me provat e depozituara për këto kërkesa ankimore dhe për provat që të merren shtesë, vendosi që të administrojë të gjitha provat e depozituara nga palët ankimore se bashku me kërkesat ankimore dhe ato që u depozituan nga përfaqësuesi i PD-AN. Të rrëzojë kërkesën e kandidatit Bojken Abazi për të kryer ekspertizë për një sërë fletësh votimi për qarkun Tiranë. Të rrëzojë me shumicë votash kërkesën e PD AN për kërkimin e 19 provave shtesë. Të rrëzoje më shumicë votash kërkesën e Bojken Abazit për administrimin e kamerave në shkollën ‘Arben Broci’ dhe të qendrës së votimit në këtë shkollë.

KAS vendos: Nuk do të mbledhim prova shtesë, për akuzat për parregullsi në Qarkun e Durrësit

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, dje shqyrtoi ankimimet e PD-së dhe LSI-së për Qarkun e Durrësit, gjatë zgjedhjeve të 25 prillit. Gjatë kësaj mbledhje, duke iu referuar pajisjes së identifikimit elektronik PEI, u vërtetua, se 4 persona kanë vendosur shenjën e gishtin në më shumë se një herë në këtë qark. KAS, dëgjoi të gjitha pretendimet e ngritura nga PD dhe LSI, por vendosi që të mos marrë prova shtesë, kërkesë kjo e bërë nga dy subjektet politike në fjalë.

Avokati i opozitës: Nga kryqëzimi i pajisjeve elektronike PEI, shohim 4 raste të cilat ata kanë votuar në 8 qendra votimi të ndryshme. Kjo krijon dyshimin e arsyeshëm që këto persona kanë votuar 71 herë. Duam të ndalemi më gjatë në listën e vendosur në dispozicion, e verifikuar që këta shtetas, kishin votuar apo jo. Pyetja ime për administratën do të ishte se ka 33 shtetas që s’kanë votuar. Pyetja ime do të ishte, a është kryer verifikimi që në këto qendra ka pasur ndërprerje?