Është e rëndësishme që Partia Socialiste të dalë shumë e fortë dhe të vazhdojë të ushtrojë forcë për të realizuar një objektiv, që është objektiv historik. Edhe populli shqiptar na ka dhënë 83 mandatet për të na thënë: ja ku i keni, çojeni këtë proces deri në fund.
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi një takim me Asamblenë e Partisë Socialiste në Lezhë. Në fjalën e tij, Kryeministri Rama u ndal në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
Kreu i Ekzekutivit tha se Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave në një kohë rekord, që ka ardhur edhe si rezultat i punës, por edhe si rezultat i gatishmërisë së BE-së.
“Ne kemi momentin tonë, sepse ne kemi bërë pjesën tonë, siç e thashë, por janë bashkuar edhe yjet e fatit tonë dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment për aq kohë sa e kemi këtë moment. Nuk duhet të mendojmë që dera e hapur e Bashkimit Europian do të rrijë hapur për gjithë jetën dhe do na presin ne. Dera është e hapur dhe ne duhet të hyjmë brenda. Ato 83 mandate që dolën nga kutitë e zgjedhjeve, nuk na i fal askush që nuk është ne. Kjo është forca jonë, sepse është forca e Partisë Socialiste”, u shpreh Rama.
Sipas tij, “tani, siç ishte ai afat në fund të janarit, janë të gjitha afatet e tjera për punët tona. Unë flas për punët tona, nuk flas për punët e Gjermanisë apo për punët e Francës. Unë flas për punët tona. Ne duhet të bëjmë punët tona. Ne nuk duhet t’u lëmë atyre asnjë sebep, që pastaj gjërat të fillojnë të vonohen. Dhe për këtë na duhet të jemi kompaktë, na duhet të jemi të fortë dhe na duhet patjetër që në zgjedhjet e ardhshme vendore ne ta konfirmojmë forcën tonë me patjetër”, vijoi Rama.
“Është e rëndësishme që Partia Socialiste të dalë shumë e fortë dhe të vazhdojë të ushtrojë forcë për të realizuar një objektiv, që është objektiv historik. Na e ka sjellë ne fati, Zoti, quajeni si të doni, që ta kemi këtë barrë, që ta çojmë deri në fund këtë proces. Edhe populli shqiptar na ka dhënë 83 mandatet për të na thënë: ja ku i keni, çojeni këtë proces deri në fund. Dhe ne nuk mund të lejojmë që ky proces të merret peng për asgjë tjetër që është në dorën e shqiptarëve. Ne na duhet të zotërojmë fushën dhe na duhet të çojmë punët përpara dhe kemi shumë gjëra për të cilat duhet të ndihemi mirë vërtet”, përfundoi Rama.
Rama: Skemë e re për pensionet, do të pasurojë atë aktuale
Kryeministri Edi Rama, deklaroi se Qeveria shqiptare po punon rreth një skeme të re për pensionet, që nuk e zëvendëson aktualen, por e pasuron atë.Në vizitën në kompleksin industrial në Durrës, ku operojnë disa kompani të integruara në transport, riciklim dhe përpunim industrial, Rama tha se “kjo skemë do t’u japë mundësi atyre që duan të kursejnë më shumë për pensionin, të vendosin në një fond të veçantë një përqindje nga paga e tyre, të cilën shteti do ta shoqërojë me të njëjtën shumë”.“Nëse dikush vendos të kursejë 1 euro çdo muaj nga paga për fondin e tij të pensionit, i cili më pas do t’i shtohet pensionit që do të marrë nga skema bazë, shteti do të kontribuojë gjithashtu me 1 euro. Kështu, shuma do të bëhet 2 euro. Ky mekanizëm do të jetë i kombinuar, shteti për punonjësit e sektorit publik dhe sektori privat për punonjësit e vet”, tha Rama.



















