Tre ambasadorë amerikanë, kritika Edi Ramës

456
Përfaqësuesit e Uashingtonit zyrtar në Beograd, Prishtinë e Tiranë qortojnë kryeministrin për kërcënimet mbi ndryshimin e kufijve Shqipëri-Kosovë

Tre ambasadorë amerikanë në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë patur një reagim të menjëhershëm dhe të ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për ndryshim të kufijve midis Shqipërisë dhe Kosovë. Diplomatët e Uashingtonit në Beograd, Prishtinë e Tiranë i kanë kundërshtuar deklaratat e Ramës, të mbështetura më pas edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në mënyrë të qartë, Shtetet e Bashkuara i kanë cilësuar deklaratat të pakujdesshme dhe kanë konfirmuar mosndryshimin e kufijve në Ballkan. 

Reagimi nga Prishtina
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delauie, i ka cilësuar deklaratat për mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, si të “pakujdesshme”. “Qeveria amerikane e mbështet sovranitetin, edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë. Ne jemi kundër bisedave të pakujdesshme për bashkim dhe të reagimeve të tepruara ndaj deklaratave të tilla, të cilat minojnë qëndrueshmërinë në rajon”, tha Delauie në një deklaratë për Radion “Evropa e Lirë”.

Reagimi u bë pas një interviste të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për portalin “Politico”, në të cilën tha se rruga e hapur drejt integrimeve evropiane dhe perspektiva e qartë janë mënyra e vetme që Ballkani të jetë i qetë “por nëse kjo shpresë, perspektivë, mungon atëherë unionet e vogla mund të ndodhin”. Pas kësaj Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Radios “Evropa e Lirë” se nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, “atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme”.

Ndërkohë, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së për siguri dhe politikë të jashtme, Maja Kocijançiç, i tha Radios “Evropa e Lirë” se “Ballkani Perëndimor ka një perspektivë të qartë dhe për këtë punohet së bashku me partnerët në rajon, mbi parimet e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal”.

Kritika e Lu-së
Ambasadori amerikan në Shqipëri ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për hedhjen e mundësisë për një bashkim të mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, nëse të dyja vendet ndihen të refuzuara nga Bashkimi Europian. “Qeveria Amerikane mbështet sovranitetin e Kosovës dhe Shqipërisë. Jemi kundër çdo diskutimi të pakujdesshëm për bashkim. Ai pengon stabilitetin e rajonit dhe rrugën europiane për të dyja vendet,” tha Lu për BIRN.

Deklaratat e Ramës dhe Thaçit kanë zemëruar disa në Serbi, ku politikanët i dënuan ato si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme. Serbia ende pretendon se Kosova është pjesë e territorit të saj. Ish-provinca shpalli pavarësinë në 2008. Shumica e vendeve të BE-së e kanë njohur këtë, por Serbia, Rusia, Kina dhe disa vende të tjera nuk e kanë përqafuar ende pavarësinë e vendit.

Qortimi nga Beogradi
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shohin si problem disa deklarata jo krejtësisht të kujdesshme gjatë ditëve të fundit për bashkim dhe ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd Kyle Scott, transmetoi Koha.net. “SHBA e përkrah sovranitetin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe beson se për këto vende rruga e vërtetë është anëtarësimi në Bashkimin Europian”, ka theksuar ambasadori Scott, për “FoNet”.

Duke folur për këto deklarata, Scott ka thënë se ato janë për t’u brengosur, sepse nuk i kontribuojnë stabilitetit të rajonit dhe nuk e përkrahin rrugën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai ka thënë se deklaratat e disa politikanëve të të dy palëve vetëm sa “i hedhin benzinë” zjarrit, ndërsa e ka veçuar deklaratën e matur të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. “E vlerësojmë shumë deklaratën e Aleksandër Vuçiçit”, ka thënë Scott.
Çfarë deklaroi Rama
Në një intervistë për “Politico” në Europë të publikuar më 18 prill, Rama tha se nëse dyert e Europës mbylleshin për Ballkanin Perëndimor, do të shfaqeshin bashkime më të vogla, si bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Rama këmbënguli se kjo nuk ishte ajo që ai dëshironte, por shtoi se nëse BE-ja dështonte të integronte Ballkanin, gjithçka mund të ndodhë. “E vetmja mënyrë për të mbajtur Ballkanin në këtë frymë paqësore dhe bashkëpunuese… është të mbahet e hapur rruga e BE-së… Askush nuk do të donte të kthehej nga vetja dhe të kërkonte për bashkime më të vogla, të gjithë do të pëlqenin të bashkoheshin në unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, perspektivë, hapësirë, atëherë sigurisht unione të vogla mund të ndodhin”, tha Rama.

Më 19 prill deklarata e Ramës u pasua nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili shprehu zemërim mbi atë që e quajti “mungesë të vizionit të BE-së ndaj rajonit”. “E kam thënë edhe në vitin 2013 dhe e përsëris tani: nëse BE-ja i mbyll dyert Kosovës, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në të njëjtën hapësirë, që më vonë të integrohen në familjen europiane,” tha Thaçi.
Vuçiç: Jo deklarata në publik
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u ka bërë thirrje, siç i ka cilësuar, përfaqësuesve politikë të shqiptarëve, që të mos dalin në opinion me deklarata për nevojën që të gjithë shqiptarët e rajonit të krijojnë shtetin e përbashkët, nëse ndalet procesi i integrimeve evropiane, ka transmetuar “Beta”. “Ne i lusim, po e përsëris, i lusim që me deklarata të tilla të mos dalin në publik, sepse ato nuk u kontribuojnë marrëdhënieve të mira në rajon dhe as krijimit të atmosferës së bashkëpunimit dhe punës së përbashkët në projekte të rëndësishme”, tha Vuçiç në konferencën me gazetarët në Qeverinë e Serbisë.
Kritika e Lu-së, reagon Manjani
Pas kritikave të bëra nga ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, për kryeministrin Edi Rama ka reaguar ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, ka kritikuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama për mendimin dhe deklaratën për bashkimin e mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, nëse të dy vendet ndjehen të refuzuara nga Bashkimi Evropian.

“Qeveria e SHBA mbështet sovranitetin e Kosovës dhe Shqipërisë, jemi kundër bisedimeve të pakujdesshme për bashkim, që minon stabilitetin e rajonit dhe rrugën evropiane të të dy vendeve”, tha ambasadori Lu. Por Ylli Manjani është shprehur se pas kësaj “kritike” u zgjidh kriza politike në vend. “Rama paska bërë një “Deklaratë e pakujdesshme”! Pas kësaj “kritike” u zgjidh kriza politike në vend! Vetëm i zoti e nxjerr gomarin nga balta!”, shkruan ministri Manjani.

Rama, letër Llallës: Verifiko deputetët e PS-së
Kryeministri Edi Rama ka vendosur të verifikojë figurën e të gjithë deputetëve aktualë të Partisë Socialiste. Për të konkretizuar nismën e tij, në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama i ka dërguar një letër kryeprokurorit Adriatik Llalla, ku i kërkon verifikimin e të gjithë deputetëve aktualë.

Në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, Rama i kërkon që të marrë në konsideratë këtë kërkesë për të kryer verifikimet e të gjitha të dhënave të deklaruara nga deputetët e PS. Afati përfundimtar për përgjigje nga organi i akuzës, është data 29 prill, që përkon me ditën e dorëzimit të listës zyrtare me emrat e deputetëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Rol në këtë nismë do të ketë edhe kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, i cili do të dorëzojë në kryesi një raport me kontributin e secilit deputet, dhe çdo detaj tjetër që lidhet me aktivitetin e tyre në parti. Mësohet se kryetari i Partisë Socialiste ka kërkuar që në listë të jenë sa më shumë gra e të rinj. Po ashtu, Rama u ka ngarkuar listat paraprake e deputetëve 12 drejtuesve PS-së në qarqe.

Gjatë këtij mandati, një numër i konsiderueshëm deputetësh të Partisë Socialiste u detyruan të lënë mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Për rrjedhojë, qarku i Lezhës mbeti i papërfaqësuar nga asnjë deputet i PS-së, për shkak të përfundimit të emrave të mundshëm në listën e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve katër vite më parë. PD e ka akuzuar vazhdimisht Partinë Socialiste për lidhje të deputetëve të saj me krimin dhe përfitim elektoral nga elementët kriminalë. 
Sigal