Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përuroi bllokun në zonën e njohur si ish-Tregu Elektrik, në Njësitë 1 dhe 2, tashmë i transformuar dhe i kthyer në një zonë pedonale për komunitetin. Veliaj tha se ky investim ka sjellë një ndryshim rrënjësor në Njësitë 1 dhe 2 në kryeqytet, duke rritur vlerën e pronës dhe shtuar hapësirën pedonale për banorët.“Kemi fituar një bulevard, i cili ka nxjerrë në dritë, si pjesën e vjetër të Njësisë 1, edhe pjesën e re të Njësisë 2; ka rritur vlerën e pronës, ka dhënë hapësirë për fëmijët, që tani nuk kane pse luajnë mes makinave apo nëpër qoshe. Sot fëmijët kanë një hapësirë që mund të kthehet jo vetëm për xhiro çdo mbrëmje, por në një hapësirë që mund të ketë mundësi për tregun fermer, tregun fshatar në fundjavë, për aktivitete të ndryshme për komunitetin. Ky nuk është vetëm një urbanizim bazik, është në fakt rritje e vlerës së gjithë ekosistemit që jeton në këtë komunitet”, nënvizoi Veliaj.Kryebashkiaku pohoi se, ndjesitë e tij, teksa inauguroi këtë bllok urban janë të përziera për faktin se pati vonesa për shkak të atyre që çdo investim të ri e shohin si rast për të hapur konflikt.Të pranishëm në inaugurimin e bllokut urban ishin edhe dy deputetët e Partisë Socialiste, që mbulojnë zonat ku shtrihet pedonalja e transformuar, Arben Pëllumbi dhe Eduard Shalsi, të cilët vlerësuan punën cilësore të Bashkisë se Tiranës.“Kjo vepër e madhe i shërben të gjithë këtij komunitetit. Falenderimi është minimumi për Bashkinë e Tiranës. Një falënderim shumë i madh për ju që, jo thjesht ndërhyni, por ndërhyni me këtë lloj cilësie dhe këtë lloj vepre, e cila do i shërbejë dekadave të ardhshme. Komuniteti këtu mund të përfitojë prej saj në rritjen e vlerës së pronës, rritjen e aktivitetit tregtar, por edhe në kënde lodrash për fëmijët”, nënvizoi Pëllumbi.