Kontrollet kufitare po dëmtojnë rëndë “Schengen-in”

547
Sigal

Kontrollet kufitare brenda zonës së Schengen pretendohet që të mbeten vetëm një çështje e së kaluarës. Për një gjeneratë, udhëtimi pa pasaporta u mundësua në pjesën më të madhe të Evropës (22 nga 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë pjesë e Schengen, së bashku edhe me katër shtete që nuk janë pjesë e BE-së). Kontrollet kufitare ishin të përkohshme dhe ato zgjasin shumë pak, p.sh., kohën deri sa të përfundonte një samit politik apo një turne futbolli, shkruan “The Economist”. Që nga kriza e refugjatëve e vitit 2015, kontrollet “e përkohshme” në kufi, janë shndërruar thuajse në kontrolle të përhershme kufitare në gjashtë shtete evropiane. Pas njoftimeve të koordinuara këtë muaj nga Franca, Gjermania, Austria, Danimarka, Suedia dhe Norvegjia, kontrollet ekzistuese mund të vazhdojnë edhe për gjashtë muaj. Autoritetet franceze shprehen se ato janë të nevojshme për të parandaluar terrorizimin, duke përmendur dy prej sulmeve fatale të gjatë këtij viti. Shtete të tjera e argumentojnë vendimin e tyre mbi kontrollet kufitare, për të parandaluar hyrjen e njerëzve, të cilët veprojnë në mënyrë të paligjshme në Evropë. Midis janarit dhe gushtit të këtij viti, nga kufiri austriak hynë në Gjermani në mënyrë të paligjshme rreth 7,467 persona. Nga këta, 3,818 u kthyen, ndërsa pjesa tjetër kërkoi azil. Në këtë situatë, ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, tha se në vendin e tij “kërkesat për rritjen e kontrolleve kufitare të Bllokut nuk janë përmbushur aktualisht”. Megjithatë, disa nuk pajtohen me këtë fakt. “Nuk ka asnjë justifikim objektiv për vendosjen e kontrolleve të kufijve të brendshëm”, u shpreh Marie De Somer, analiste në Qendrën e Politikave Evropiane në Bruksel.

Hyrjet e emigrantëve nga të gjitha rrugët e mundshme janë ulur me 95% që nga fillimi i krizës. Edhe numri i lëvizjeve sekondare (kur emigrantët lëvizin nga vendi ku ata shkojnë fillimisht në Evropë drejt një tjetri) është ulur. Fatkeqësisht, për Gjermaninë dhe Austrinë, shifrat mbeten të larta. Edhe vendosja e kontrolleve shoqërohet me një kosto të caktuar. Parlamenti Evropian vlerëson se rivendosja e kontrolleve kufitare në zonën Schengen mund të kushtojë deri në 20 miliardë euro shpenzime fillestare dhe deri në 2 miliardë euro shpenzime vjetore operative. Ka edhe efekte indirekte, pasi kontrollet e identifikimit vonojnë jo vetëm udhëtarët e zakonshëm, por edhe turistët dhe kamionët. Parlamenti Evropian, ndoshta edhe duke e ekzagjeruar pak, i ka kritikuar kontrollet, duke i cilësuar ato si një ndër faktorët e ngadalësimit të ekonomive të shteteve anëtare. Më konkretisht, një zëdhënëse e qeverisë sllovene shpjegon se, si një vend i vogël, biznesi i Sllovenisë u dëmtua shumë nga pasiguria që krijuan kontrollet e kufirit të brendshëm. Sipas saj, vendosja e kontrolleve kufitare të përkohshme, ishte e kuptueshme në rastin e Francës, por aspak e kuptueshme në rastin e Austrisë, kur kjo e fundit vendosi që të kufizojë lëvizjen në kufirin austriako-slloven. Ajo shtoi se duke pasur parasysh se numri i emigrantëve është zvogëluar, ky është thjesht një keqpërdorim i një sistemi që është një nga gurët e themelit të BE-së. Brenda këtij viti, vetëm 14 persona janë kthyer nga kufiri austriak në Slloveni. Këtë ndryshim e vuajnë më shumë kamionët e firmave të ndryshme sllovene. Sipas Marco Digioia nga Shoqata Evropiane e Transportuesve të Rrugëve, kontrollet e kohëve të fundit në tre prej rrugëve kryesore në Belgjikë kanë shkaktuar radhë të gjata dhe me kosto të lartë. Më shumë se 70% e mallrave në Evropë transportohen nëpërmjet rrugëve tokësore.
Duke qenë se shoferët paguhen me orë pune dhe prodhuesit varen nga marrja e furnizimeve në kohë, vonesat si pasojë e kontrolleve dhe radhëve të gjata janë shoqëruar me rritje të shpenzimeve. Qeveria franceze premtoi se kontrollet në vendkalimet kufitare nuk do të jenë kaq të ashpra, ndërkohë që Komisioni Evropian tha se do të vazhdojë të rrisë kontrollet në zonat kufitare por jo në kufi, për të reduktuar në këtë mënyrë krijimin e radhëve të gjata dhe me kosto të lartë. Liderët evropianë dhe kombëtarë kanë një qëllim të përbashkët: një Evropë e sigurt, ku të gjithë njerëzit mund të lëvizin lirisht brenda zonës Schengen. Ata thonë se kufijtë e brendshëm mund të rivendosen plotësisht vetëm kur kufiri i jashtëm i BE-së të jetë më i fortë, gjë që sipas një zyrtari austriak nuk ka gjasa të ndryshojë shumë brenda një periudhe afatmesme. Sipas këndvështrimit të znj. De Somer, vendimi për të rivendosur kontrollet, pavarësisht se shifrat tregojnë se numri i hyrjeve të refugjatëve është ulur, është vetëm një arsyetim politik që liderët evropianë po e përdorin sipas interesave të tyre. Por ata kanë harruar se ndërkohë shpenzimet po rriten.