Rama flet për deklaratën në Rusi: Në dialogun me Serbinë, duhet të kuptojmë se…

145

Kryeministri Edi Rama ka folur rreth detajeve nga takimi me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov, ndërsa tha në konferencën për shtyp se Serbia duhet ta njohë Kosovën.

I ftuar në emisionin “Real Story”, Rama tha se ishte e vlefshme ta bënte një deklaratë të tillë në Moskë, ndërsa shtoi se  në dialogun me Serbinë, jemi ne më të interesuarit.

“Unë kam zgjedhur të flas për Kosovën. Që kur ne kemi marrë kryesimin e OSBE, është thënë se për Kosovën ne do të qëndrojmë në një pozicion që nuk do na digjte në këtë pozicion që kemi. Është e vlefshme që këtu në Moskë ne ta themi se Serbia duhet ta njohë Kosovën

Mua mu dha mundësia të mbaj një qëndrim të qartë lidhure me këtë çështje, duke shtuar faktin se njohja  e Kosovës nga Serbia është një proces që ka sot më shumë se dje mundësi që vetë Kosova dhe faktori shqiptarë të luaj një rol. Në dialog me Serbinë, duhet të kuptojmë që ne jemi më të interesuarit. Rusia nuk e njeh Kosovën për arsye që nuk janë thjeshtë të lidhura me kontekstet e politikës Ruse në raport me popullsi dhe minoritet, por në raport me një strategji më të gjerë. Nuk ka gabim më të madh nga ne si faktor shqiptarë që t’i ikim dialogut e të vendosim kushte e parakushte për dialogun, këtë e bëjnë humbësat dhe jo fituesit. Shqiptarët e kanë fituar luftën e tani duhet ët fitojnë paqen dhe për këtë duhet zgjidhur kjo.

Ato pozicionet ekstreme, idetë e etiketimit si tradhtar të atyre që shtynë përpara, janë shprehje të frikës. Patjetër është e frikshme lufta, por paqja dhe përpjekjet për paqe janë shumë të frikshme për atë që është mbijetesa në pushtet e politikanëve. Unë kam vetëm keqardhje që pason neverinë që ndjej kur shoh se si personazhe të caktuar të jetës publike në Prishtinë apo Tiranë më lëshohen kundër. Nuk influencohem prej tyre, janë një arsye më shumë për të qëndruar në pozicionin tim. Ne jemi fitues të një lufte që dukej e pamundur dhe sjellja si humbës dhe si derdimenë provincialë që interesohen vetëm për pjesën e tyre në tepsinë e pushtetit të disave në Prishtinë, është një deformim gjë që mbështet nga disa faktorë në Tiranë, që nuk kanë lidhje me asnjë vizion strategjik, por vetëm me disa mbijetesën”, tha Rama.