Suplementi Pena Shqiptare/ Shefik Arifi: Ti ishe e vogël

Kur të pyetën për babain se ç’punë ka bërë
Ti ule kokën, se të erdhi turp
Doemos, ai punëtor i nderuar ka qenë
Nga fillimi e gjer në fund.

Mos e ul kokën, por në qiell ngrije
Se babai s’e uli kokën një jetë
Ti ishe e vogël, babain s’e njihje
Në shoqëri ish i madh, ish planet.

Sigal

Unë, Për Yll, Ty Të Zgjodha

Sonte qiellin e lashë bosh
Të gjithë yjet me dorë i mblodha
Kot lodhesh t’i kërkosh
Unë, për yll, ty të zgjodha.

U fikën yjet të gjithë një nga një
Prandaj qielli e ka humbur ngjyrën blu
Tok u mblodhën së bashku tek ti
Të shkëlqenin te sytë e tu.

Ma Mbush Gotën!

Sonte ma mbush gotën plot me raki!
Mbushe, të lutem, se e kam shpirtin vrerë!
Në copa qelqi u thye e imja dashuri
Dhe jeta e humbi tani çdo vlerë.

Gotën mos e ler për gjysmë, si herë të tjera!
Se do ta pi për dashurinë e saj
Pastaj më nxirr për krahu deri te dera!
Dhe më le aty, me denesë të qaj!

Më ler të qaj për dashurinë e jetës!
Që më rrëshqiti nga duart dhe ketë herë
Për fajin tim, për hir të së vërtetës
Ndaj shpirti më është bërë vrerë.

Sonte ma mbush gotën plot me raki!
Mbushe të shkretën, mbushe plot!
Në copa qelqi u thye e imja dashuri
Dhe thellë në shpirt m‘u hap një gropë.