Kandidati i LSI në Qarkun Elbasan, Vladimir Muka: Klithmat e Gramshiotëve, “DUAM RRUGË”

1368
Sigal

Gjatë zbatimit të projektit të liqenit të Banjës, investitorët e hidrocentraleve mbi lumin Devoll u detyruan “ti dhurojnë” Gramshit një rrugë automobilistike të shumëkërkuar nga qytetarët buzë liqenit. Kjo “dhuratë” e investitorëve mundësoi që të lidheshin me infrastrukturë rrugore të rregullt nëntë fshatra, nga nëntëdhjetë e pesë që ka bashkia Gramsh, ndër to dy qëndra komunash (sot qëndra administrative), nga nëntë të tilla që ka Gramshi. Çuditërisht vetëm kaq investime janë kryer në Gramsh për infrastrukturën rrugore. Po investimet e pastra shtetërore ku janë?

Qeveritë shqiptare e kanë trajtuar Gramshin si të ishte i njerkës dhe jo si një territor në Republikën e Shqipërisë. Sot, shtatë qëndra administrative (ish qëndra komunash) të Bashkisë Gramsh janë pa infrastrukturë të rregullt rrugore falë mungesës së investimeve. Rrugët që të çojnë në këto fshatra është në gjendje të mjerueshme. Në ditë me shi, në varësi të kushteve të këqia atmosferike, ato bëhen të pakalueshme, ose të kalueshme vetëm me traktorë.

Kur i hyn rrugës për në Sult, Tunjë, Kushovë, Skëndërbegas, Lenie, Kukur apo Poroçan, vetvetiu pyet veten: Jemi në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo në një vend të humbur?
Nuk ka në Shqipëri një Bashki tjetër, veç Gramshit, që qendrat e tyre administrative të lidhen me rrugë të pa-asfaltuara.

Vetëm në Gramsh infrastruktura rrugore të krijon ndjesinë e të qënurit në shekullin XIX.

Vetëm në Gramsh, për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore, fshatarët hezitojnë të investojnë në bujqësi apo blegtori nga frika se prodhimet e tyre do të mbeten pa shitur. Edhe në rastet kur prodhojnë të mira blegtorie, bujqësore apo artizanale sfida mbetet gjithnjë transporti, gjë që con në disfavor të zhvillimit ekonomik të këtyre zonave rurale.

Vetëm në Gramsh janë të panumërta vështirësitë për të zhvilluar agroturizëm, megjithëse resurset natyrore dhe gjeografike janë të shumta dhe të pashfrytëzuara plotësisht.

Vetëm në Gramsh ndodh që për shkak të infrastrukturës rrugore, vendet dhe fshatrat turistike ekzistojnë të listuara vetëm në letër. Rrallë vetëm të apasionuarit pas aventurave turistike nuk hezitojnë ti vizitojnë, hera-herës duke e konsideruar si një sport ekstrem. Fenomen që përkthehet në mungesë të përftimit ekonimik dhe rritjes së mirëqenies, nxitjes së investimeve apo zhvillimit në menyrë të qëndrueshme të turizmit në këtë rajon.

Në Gramsh vendet turistike si: “Kalaja e Tunjës”, Ujëvara e Sotirës, Burimet e Kërpicës, Teqeja e Shëmbërdhenjit, Teqeja e Dushkut, Liqeni i Zi Lenie, Rovja e Kukurit, “Kalaja e Tërvolit”, etj, vazhdojnë të qëndrojnë në pritje të vizitorëve vendas dhe të huaj.

Ka ardhur momenti që gramshiotët ta ngrenë zërin dhe të kërkojnë me forcë investime në infrastrukturën rrugore. Investime të cilat ekzistojnë vetëm si premtime elektorale të pambajtura në nivel qëndror dhe vendor. Ka ardhur momenti që t’i themi qeverisë shqiptare “Boll e trajtuat Gramshin si të ishte i njerkës”, duam investime konkrete dhe jo vetëm si premtime në kohëra fushate, apo në letër si këto vite që lamë pas. Faktet flasin vetë!

Është momenti që klithma e Gramshiotëve “DUAM RRUGË”, të dëgjohet furishëm, jo vetëm nëpërmjet kërkesave me zë apo atyre formale institucionale, por tashmë edhe me votën për të sjellë ndryshimin e shumëkërkuar, si një kundërpërgjigje ndaj asaj politike e cila i la si premtime në plane pune të parealizuara apo programe të pazhvilluara. Kjo duke mbështetur programin e LSI-së për zhvillim të infrastrukturës, nxitjes së rritjes ekonomike duke nxitur njëkohësisht dhe investimet në vend. Sepse ku ka rrugë, ka mundësi për arsimimim, punësim, biznes dhe zhvillim të turizmit. Nëse bëjmë këto, atëherë kemi bërë edhe qytetin.

Unë besoj se mençuria e gramshiotëve në Gramsh, dhe e gramshiotëve kudo ku ndodhen në qarkun Elbasan do t’i japë zgjidhje kësaj situate duke votuar programin tonë dhe duke më besuar mua në përfaqësimin e tyre në zgjedhjet e 25 prillit. Së bashku mund të sjellim ndryshimin! Koha është tani! Të sigurt drejt fitores për ndryshimin e Gramshit, për ndryshimin e Shqipërisë!