Ministrja Evis Kushi: “Optimiste për rikthimin e maturantëve në shkolla. Jemi të përgatitur sipas të gjitha protokolleve!”

204
Sigal

Ditën e sotme, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ka reaguar pozitivisht në rrjetet e saj sociale në lidhje me sugjerimin më të fundit të Komitetit të Ekspertëve për rikthimin në bankat e shkollës të maturantëve nga shkollat e 10 bashkive të konsideruara “zona të kuqe” nga Komiteti i Ekspertëve.

“Jam optimiste për sugjerimin e fundit të Komitetit të Ekspertëve për rikthimin në bankat e shkollës të gjimnazistëve nga 10 bashkitë që deri më sot konsideroheshin zona me rrezikshmëri të lartë infeksioni”, shprehet në publikimin e saj Ministrja Kushi, ndërsa nënvizon gjithashtu se “Shkollat e mesme pranë këtyre bashkive janë plotësisht të përgatitura për të mirëpritur nxënësit sipas të gjithave protokolleve anti-COVID”.

Ndërkohë, ajo bën edhe një apel për respektimin e rregullave anti-COVID:

“Duke falënderuar çdo nxënës, mësues e prind për mirëkuptimin e reflektuar deri më tani, apeloj fort që të jemi shumë të kujdesshëm në respektimin e rregullave me qëllim mbrojtjen e shëndetit të gjithsecilit dhe vijimin me një proces të rregullt mësimor. Faleminderit dhe suksese të gjithëve!”