Kandidatët për lokalet-2019/ PS konfirmon 21 emrat për kryetar bashkie. Sondazhet negative dhe dosjet për lidhjet me krimin mbajnë pezull qytetet e mëdha. Brenda 10 ditëve merr fund lista me 61 emrat

2277
Sigal

Lokalet 2019/ Sondazhet dhe dosjet që mbajnë peng qytetet e mëdha. Brenda 10 ditëve merr fund lista përfundimtare

Zgjedhjet lokale, 21 kandidatët e konfirmuar dhe emrat pezull të PS

Partia Socialiste është në proces e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar bashki në të 61 njësitë e qeverisjes vendore. Ndryshe nga herët e tjera kryesocialisti Edi Rama ka preferuar që të mos i besojë drejtuesve të qarqeve politikë, por të realizojë më tepër sondazhe për kandidatë të ndryshëm për bashkitë. Pikërisht sondazhi i vlerësimit që realizojnë për çdo bashki është edhe një ndër treguesit të vlerësimit final, përpara marrjes së një vendimi nga PS-ja. Kështu për shkak të këtyre sondazheve kanë mbetur pezull disa prej bashkive të vendit si Durrësi, Shkodra, Gjirokastra, Saranda apo dhe Dibra. Vangjush Dako kryebashkiaku aktual është në prag të mos rikandidimit. Ai u shmang edhe nga diskutimet në Kongresin Elektoral të PS-së. Për Durrësin përflitet disa emra, por emri i Ardian Çelës, drejtorit të OSHEE-së, si dhe të nënkryetarit aktual të bashkisë së qytetit bregdetar, Arbër Braho janë kryesorët. Mos rikandidimi i Dakos, i cili ka disa mandate që drejton bashkinë e Durrësit ka detyruar PS-në të mendohet mirë për emrin që do të vendosë për të kandiduar në zgjedhjet e 30 qershorit. Situata politike në qytetin bregdetar, pas refuzimit të dorëzimit mandatit të deputetit të Lefter Kokës të LSI-së po ndiqet me interes nga socialistët. Ndërkohë për bashkinë e Krujës më i vlerësuar është Artur Bushi, kryebashkiaku aktual i këtij qyteti. Shkodra, e cilësuar si bastioni i demokratëve është një nga qytetet që PS-ja nuk ka vendosur akoma për emrin që do të konkurrojë në votimet e ardhshme. Emri i ish-zv.kryeministres Senida Mesi, është në “pole position”, por nuk përjashtohet ndonjë surprizë në momentet e fundit. Drejtuesi politik i këtij qarku është ish-ministri Ditmir Bushati, i cili që pas largimit nga qeveria është zhvendosur në Shkodër, duke punuar me strukturat për përgatitjen e zgjedhjeve lokale. Vetë Bushati e ka përjashtuar mundësinë që ai të jetë kandidati i PS-së për Bashkinë e Shkodrës. Në Malësinë e Madhe, PS-ja pritet të rikandidojë Tonin Marinajn. Ndërsa për Pukën është drejt rikonfirmimit kryebashkiaku aktual Gjon Gjonaj. Në Gjirokastër përfliten disa emra. I pari është ai i deputetit të PS-së, Flamur Golemit. Emra të tjerë janë Artemisa Dralos, zv.ministre e Jashtme, e cila më parë ka qenë kandidate për deputete në listën e PS-së për qarkun e Gjirokastrës, por në garë është edhe Armand Hila, aktualisht kryetari i këshillit bashkiak. Kjo bashki drejtohet nga Zamira Rami, e zgjedhur nga LSI-ja, por që u zgjodh nga votat e PS-së. Për Sarandën, PS-ja po vlerëson disa kandidatë ku ndërmjet tyre janë Stefan Çipa, Alket Qendro, Adrian Guma. Socialistët po vlerësojnë me anë të sondazheve edhe kryebashkiaken aktuale Florjana Koka. Për Bashkinë e Maliqit, Gëzim Topçiu është emri më i mundshëm, por socialistët duket se do të vendosin një rregull për të mos kandiduar ata që kanë shumë mandate në postin e kryebashkiakut, pavarësisht se vetë ai ka shprehur dëshirën për të kandiduar për një mandat tjetër. Vetë Topçiu i referohet ndarjes territoriale, ku për të duhet të vlerësohet si kandidim për herë të dytë, e jo për herë të pestë. Për Bashkinë e Dibrës, socialistët mund të dalin me një emër tjetër, edhe pse kryebashkiaku aktual Muharrem Rama është pjesë e sondazheve. Ndërsa në Lushnjë, PS mund të dalë sërish me Fatos Tushen, por sondazhet po kryhen edhe për emrin e Lindita Buxhelit, kryetare e PS-së së këtij qyteti.

21 të përcaktuar si kandidatë

Deri më tani janë 21 emra të përcaktuar si kandidatë të PS-së për bashkitë. Erjon Veliaj është emri që rikonfirmohet si kandidat dhe që synon që të marrë një mandat të dytë në Tiranë. Gjithashtu Rama ka dhënë besimin edhe për kryebashkiakët aktuale si Dritan Leli në Vlorë, Armando Subashi në Fier, Majlinda Bufi në Roskovec, si dhe Sotiraq Filo në Korçë. Të gjithë këta folën edhe në Kongresin Elektoral të PS-së që u mbajt të shtunën e kaluar. Por socialistët kanë vendosur për kandidatin e Elbasanit, Gledian Llatjan, i emëruar së fundmi si prefekt i qarkut. Gjithashtu është caktuar edhe deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu si kandidat për bashkinë e Lezhës. Që të dy folën edhe në kongresin Elektoral të PS-së. Për Beratin, ish-zv.ministri i Arsimit, Ervin Demo ka nisur prej kohësh fushatën dhe takimet me bazën, duke u shpallur zyrtarisht si kandidati i PS-së për zgjedhjet e 30 qershorit. Ai po pret përballë ndonjë kandidat nga opozita, që më shumë gjasa mund të propozohet nga ana e LSI-së. Safet Gjici për në Kukës dhe deputeti i PS-së, Rakip Suli për bashkinë e Kamzës janë tashmë të përcaktuar. Gjithashtu PS-ja është pro rikandidimit të Ndrec Dedajt për bashkinë e Mirditës. Deputeti i PS-së, Nuri Belba është kandidati që PS-ja mendon të dalë në zgjedhje e ardhshme për bashkinë e Prrenjasit. Kastriot Gurra dhe Tërmet Peçi janë kryebashkiakët që do të rikandidojnë për bashkinë e Librazhdit dhe të Tepelenës. Në Pogradec, socialistët do të dalin me deputetin Ilir Xhakolli, ndërsa Rexhe Byberi është për bashkinë e Bajram Currit. Fredi Kokoneshi është rikonfirmuar si kandidat për bashkinë e Divjakës, ndërsa Sybi Shehu për Kuçovën dhe Jorgo Goro për Himarën. Për Kavajën, një tjetër bastion i demokratëve, PS-ja ka menduar që të kandidojë me mjekun Arben Rrugia.

KANDIDATËT E KONFIRMUAR

Erion Veliaj- Tiranë
Gledian Llatja- Elbasan
Armando Subashi- Fier
Dritan Leli- Vlorë
Sotiraq Filo- Korçë
Ervin Demo- Berat
Pjerin Ndreu- Lezhë
Ndrec Dedaj- Mirditë
Safet Gjici- Kukës
Ilir Xhakolli- Pogradec
Nuri Belba- Përrenjas
Arif Tafani- Belsh
Kastriot Gurra- Librazhd
Tërmet Peçi- Tepelenë
Rexhë Byberi- Tropojë
Rakip Suli- Kamëz
Arben Rrugia- Kavajë
Sybi Shehu- Kuçovë
Jorgo Goro- Himarë
Fredi Kokoneshi- Divjakë
Majlinda Bufi-Roskovec