Benet Beci : Fillon punën me tendera propagande, për fushata informacioni, mbajtëse çelësash, stilolapsa dhe kartolina

49
Sigal

Zgjedhjet e 14 majit sollën rokadën për herë të parë në krye të Bashkisë së Shkodrës, ku gjatë 4 viteve të ardhshme do të drejtohet nga socialisti Benet Beci. Ky i fundit me origjinë shkodrane, teksa ka drejtuar disa nga institucionet me më shumë lekë në Shqipëri, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe KESH-in. Gjatë drejtimit, Beci ka vepruar me dy standarde, duke bërë disa punë të vogla, por që i ka promovuar shumë. Ose më saktë ka bërë shumë propagandë. Po në Bashkinë e Shkodrës, si do të veprojë?! Sërish me të njëjtën qasje, ku punët e pista i bën pa zhurmë dhe shërbimet utilitare, për ato që paguajnë taksa e shërbime vetë banorët, do t’i propagandojë. Në fakt, propaganda ka filluar prej disa javësh, ku në rrjete sociale janë publikuar bërja e disa punëve të pastrimit të zonave të vogla, apo edhe heqja e tezgave nga rrugët. Janë punë rutinë, që bëhen rëndom, por për Becin “janë punë të mëdha”. Ose më saktë bëhen për t’i rënë në sy vetë Ramës, që e kërcënoi se “nëse nuk e pastron qytetin, do ta fusë në kazan”. Dhe, çfarë pune apo shërbimi do të bëjë Beci? Natyrisht, do të bëjë propagandë! Dokumenti i mësipërm është një tender i shpallur ditët e fundit nga Bashkia e Shkodrës, i firmosur në fund nga Benet Beci. Kërkohen të blihen “produkte informacioni dhe promocioni” si dhe “shërbime promocionale”. Objekti i kontratës është “prodhim, publikim dhe botim i materialeve për fushata promocionale”. Fondi limit i kësaj procedure është 1.684.360 lekë pa TVSH, teksa kohëzgjatja e kontratës për zbatimin e saj është nga nënshkrimi i kontratës deri më 31 dhjetor 2023. Në dokumentet shoqëruese kërkohen çanta kartoni, çanta copë. Mbajtëse çelësash, stilolapsa me logo apo edhe flamuj promocional. Kërkohen broshura për t’u vendosur për reklamë për punët, postera apo edhe kartolina. Më tej kërkohen guida turistike, e cila duhet të ketë foto profesionale për ilustrim të informacionit. Kërkohen kopertina apo edhe shërbime të tjera promocionale. Dhe pas tenderit 1 milionë euro të pastrimit, Beci po synon edhe propagandën.