Raporti i ISP: Milionat mujore të deputetëve në kontrast të thellë me jetën e qytetarëve me pensione 100 mijë lekë dhe rënien e besimit tek parlamenti. Ja lista e deputetëve që vegjetojnë në Kuvend ,, edhe pse “gllabërojnë” 55 mln lekë në vit shpërblime; si karburant, fjetje në hotel, bileta udhëtimi, dieta ushqimore, pagesë telefoni, pagesa qira banese etj.,.
Agallarët e Kuvendit, të vetmit që shkojnë “Përpara – Për Para”
Babëzia për Para dhe justifikimi për punën e madhe, që bëjnë deputetët kulmoi me miratimin në maj 2023 nga ana e Kuvendit e rritjes së pagave për veten e tyre dhe ministrant.
Shtetarët dhe politikanët shqiptarë, prej 23 vitesh po vazhdojnë të krijojnë privilegje shërbimesh dhe pagesash për veten e tyre. Kur është fjala për ato që kanë lidhje me kërkesat jetike të popullit si rritje pagash, ndarje banesash sociale, rritje ndihme ekonomike, rritje pensionesh invaliditeti, për ulje çmimi energjie, uji, ushqimesh, transporti, librash, shkollimi, ilaçesh etj., ata bëjnë premtime butaforike, por vendimet për to i zvarritin me vite… pa i votuar, duke i futur nëpër amendime e projektligje pa fund, me debate të qëllimshme fiktive. Ndërsa ligjet që “rregullojnë” pagat dhe privilegjet e tyre të majme, i hartojnë në unison e në heshtje në komisione parlamentare, i votojnë në parlament dhe i zbatojnë “brenda ditës”. Si të mos mjaftonin pagat e larta mujore, ata deputetë, që mbushin moshën 60 vjeç, marrin edhe 400 mijë lekë trajtim suplementar mbi pagën kur janë në punë dhe mbi pensionin e pleqërisë deri sa të jenë gjallë; madje pas mbarimit të mandatit, përveç pagës 50% për 3 vite, po kaq vite mbajnë dhe pasaportat diplomatike për vete e bashkëshortët.
Sipas të dhënave kostoja totale që shpenzon shteti për 1 deputet me sistemin e pagave të reja, shkon në 74 milionë lekë të vjetra në vit. Nga kjo vlerë, 55 milionë lekë në vit janë paga e shpërblime; si karburant, fjetje në hotel, bileta udhëtimi, dieta ushqimore, pagesë telefoni, pagesa për çdo mbledhje komisionesh parlamentare, qira banese etj.,.
Por cilët janë deputetët më të paguar të kuvendit?
Deputetët vendosën unanimisht të dyfishojnë rrogën e tyre mujore në kuadër të rritjeve që u bënë për piramidën e lartë shtetërore dhe punonjësit e administratës publike. Vendimi erdhi menjëherë pas zgjedhjeve vendore, ku u shënua numër rekord qytetarësh që refuzuan pjesëmarrjen, pra refuzuan edhe ofertat politike të diktuara nga partitë tradicionale politike. Për ISP mbetet e qartë se rroga e mëparshme, sidomos për deputetët, që nuk përfitonin benefite të tjera mbështetjeje, ishte e vogël në raport me parlamentet e rajonit dhe në angazhimin që mbart aktiviteti parlamentar, por vendimi për të rritur ndjeshëm rrogën vjen në kontrast të thellë me trendin rajonal e më gjerë, si dhe me rënien ekonomike në vend, sidomos më rënien e standardeve ekonomike dhe të jetesës së qytetarëve .
Gjithsesi, raportet periodike të Institutit të Studimeve Politike (ISP) kanë treguar se një pakicë deputetësh janë shumë aktivë, shfrytëzojnë të drejtat dhe përgjegjësitë parlamentare në mënyrën më maksimale, kanë produkt parlamentar, iniciojnë ligje dhe ndërmarrin akte serioze dhe të denja për pozitën që kanë. Por, paralelisht, ekziston një pjesë tjetër deputetësh që nuk kanë lënë gjurmë parlamentare përveç në raste skandalesh ose incidentesh, nuk flasin, nuk propozojnë, nuk kanë mendim, nuk kanë ide politike dhe nuk dëshmojnë dhe as përmbushin pothuajse asnjë prej kritereve thelbësore të të qenit parlamentar. Ata janë aty kryesisht për shkak të lidhjeve personale me liderit politikë, ndikimit klienteliste në zonën zgjedhore, aftësinë ne menaxhimin e votës lokale apo për shkak të sistemit të shkëmbimit të ndereve dhe privilegjeve me oligarkë apo politikanë të lartë.
Sa përfitojnë deputetët?
Tabela ilustron pagën e deputetëve më të paguar për muajin maj 2023, pra në muajin kur Shqipëria ishte në fushatë elektorale dhe supozohet se nuk do të kishte aktivitet normal parlamentar (siç edhe nuk pati). Ndonëse muaj thuajse pushim për parlamentin, pagesat e kryera drejt tyre janë ndër më të lartat në historinë e parlamentarizmit prej vitit 1991. Kolona e parë paraqet rrogën mujore standarde të deputetëve, kolona e dytë pagesat shtesë që deputetët përfitojnë (bonusi i karburantit, i telefonit, dietat brenda dhe jashtë vendit, honorarët për pjesëmarrje në komisione, bonus strehimi, etj).Tek kategoria e dytë përfitues kryesorë janë kryesisht deputetët e zonave të largëta, ndryshe nga ata të Tiranës, të cilët kanë kuota më të ulta bonusi dhe përfitimi. Ndaj tek tabela dominojnë deputetët e zonave të largëta, Shkodër, Korçë apo Vlorë. Siç shihet nga tabela, ndër deputetët më të paguar për muajin maj 2023 nga taksat tona bëjnë pjesë vetëm disa nga deputetët aktivë në vlerësimet periodike të ISP, dhe në shumicë kryesojnë deputetët, që nuk kanë “gjurmë” legjislative dhe parlamentarizmi. I njihni? Nuk ka rëndësi, ata ju njohin juve, sepse vijnë tek ju kur ka fushata elektorale.
Për simbolikë, dy deputetët e heshtur të PSD janë në 5 vendet e para, deputeti që bëri ligj për mikun e tij dhe deputeti që i thuri lavde diktatorit Hoxha janë gjithashtu në 10 vendet më të paguara. Po ashtu tabelës i janë shtuar deputeti, që dha dorëheqjen për skandalin e dhunës në Krujë me “vetëm” 4.5 milionë ALL në muaj (të vjetra) ashtu si edhe deputeti, që është në kërkim nga Policia e SPAK me “vetëm” 3.5 milionë ALL në muaj (të vjetra)!
Vlen të theksohet se parlamenti tashmë aplikon një standard pozitiv transparencë duke bërë publike të dhënat financiare të përfitimeve nga deputetët. Kjo përvojë duhet të shoqërohet me transparencë më të madhe edhe në aspektet e tjera të aktivitetit parlamentar, përfshirë hetime administrative në rastet e abuzimit me detyrën dhe krijimin e mekanizmave matës të lidhjes midis përfitimit, produktit dhe pritshmërive ndaj deputetëve. Imagjinoni një deputet, që përfiton rrogë e bonuse mujore 5 milionë lekë pa pasur asnjë angazhim parlamentar, përveçse pjesëmarrjen formale në mbledhje, ku voton gjithnjë sipas vendimit politik të parties, që i përket! Imagjinoni standardet e jetesës që kanë zgjedhësit e tyre atje në zonë, ku sipas INSTAT treguesit e varfërisë janë në rritje dhe pamundësia ekonomike për të përballuar kostot e larta të jetesës është bërë edhe më kritike!
Ekspertët e Institutit të Studimeve Politike (ISP), që monitorojnë aktivitetin parlamentar prej vitit 2016 dhe në vijim, vlerësojnë se rritja e dukshme e rrogës dhe përfitimeve financiare të deputetëve do të duhej të kthehej në të mirë publike përmes rritjes së dukshme të aftësisë, integritetit dhe profesionalizmit të parlamentit, gjë që nuk ka ndodhur, përkundrazi. Në sondazhin e fundit mbi besimin mbi qeverisjen, parlamenti renditet nga fundi, rreth dy herë më poshtë sesa institucionet fetare, ushtria, sistemi arsimor, shoqëria civile, etj, duke qenë prej vitesh institucioni politik me besimin më të ulët publik. Po ashtu, ISP vlerëson se ky kontrast i thellë midis trajtimit financiar dhe produktit parlamentar do të duhet të nxisë debate për sistemin aktual përfaqësues, numrin e deputetëve, mënyrën e organizimit të grupeve parlamentare, hetime shteruese dhe të vazhdueshme për konfliktet e interesit dhe mënyrës sesi deputetët e përdorin mandatin e tyre në raport me Kodin e Etikës dhe legjislacionin mbi transparencën e llogaridhënien, si dhe elementë të tjera që mund të ndikojnë ta bëjnë parlamentin më të pranueshëm dhe ta largojnë nga lista fundore e institucioneve me besim publik minimal në Shqipëri.
Babëzia për para
Babëzia për Para dhe justifikimi për punën e madhe që bëjnë deputetët kulmoi me miratimin në maj 2023 nga ana e kuvendit e rritjes së pagave për veten e tyre dhe ministrat. Pavarësisht debateve dhe zërave kundër nga radhët e opozitës, por edhe të vetë kryeministrit Edi Rama, projektligji u votua me shumicë të thjeshtë votash nga 95 deputetë.
Ja të ardhurat mujore të deputetëve, që kanë bërë ligjin për pensione mbi 1500 USD për veten dhe shtetarët
Paga e deputetit: Nga 156 mijë e 750 lekë , bëhet 310 250 lekë (22 ditë).
Paga ditore e deputetit: Nga 71250 lekë në ditë dëhet 142 500 lekë në ditë.
Deputeti i grupit parlamentar me 10 deputetë: 15% shtesë page.
Kryetari i grupit parlamentar me më pak se 10 deputetë: 5% shtesë page.
Kryetarët e komisioneve parlamentare: 5% shtesë page.
Për 1 mbledhje komisioni: 20 mijë lekë të vjetra x 12 mbledhje në muaj = 240.000 lekë.
Deputeti përfiton: 20 shpërblime mujore, me nga 20 mijë lekë të vjetra.
Kryetari i komisionit paralamentar: 25 mijë lekë të vjetra për çdo mbledhje.
N/kryetari komisionit parlamentar: 22 mijë lekë të vjetra për çdo mbledhje.
Deputeti përfiton: 240 mijë lekë të vjetra në muaj, për pjesëmarrje në sesionet normale.
Deputeti përfiton: 400 mijë lekë të vjetra në muaj për mbledhjet në komisione të veçanta.
Për çdo mbledhje të konferencës së kryetarëve: 25 mijë lekë të vjetra pagesë.
Për dietat brenda vendit: 4% e pagës. Nga 62710 lekë për çdo ditë shërbim në zonën ku është deputet me pagën e re bëhet 125 420 lekë të vjetra.
Deputeti përfitonte: 6 dieta në muaj me nga 62710 lekë të vjetra, ose 380 mijë lekë të reja në muaj x dyfishi me rrogat e reja = 760 mijë lekë.
Deputeti që nuk është banor i Tiranës, përfiton: 12 dieta mujore në muaj me 62710 lekë të vjetra, ose 75 mijë e 252 lekë të vjetra në muaj.
Deputeti kur del nga Tirana: 30 mijë lekë të vjetra për çdo natë fjetje në hotel, deri në 12 netë fjetje.
Pagesë telefoni për kryetarët e komisioneve dhe grupeve parlamentare: 200 mijë lekë të vjetra në muaj.
Pagesë telefoni për deputetin: 170 mijë lekë të vjetra në muaj.
Deputeti përfiton: 350 mijë lekë të vjetra në muaj, për transport publik.
Kredi strehimi: me 0% interes.
Sipas të dhënave që ka nxjerrë Ministria e Financave, kostoja totale që shpenzon shteti për 1 deputet me sistemin e pagave të reja, shkon në 74 milionë lekë të vjetra në vit, ku është përfshirë i gjithë trajtimi që përcakton ligji për deputetët. Nga kjo vlerë, 55 milionë lekë në vit janë paga e shpërblime; si karburant, fjetje në hotel, bileta udhëtimi, dieta ushqimore, pagesë telefoni, pagesa për çdo mbledhje komisionesh parlamentare, qira banese etj. Rishikimi i kërkuar nga Këshilli i Europës dhe OSBE-ODIHR, është projekti që Parlamenti i Shqipërisë, të jetë maksimalisht me 80 deputetë për 2.8 milionë banorë që janë sipas Censusit, me këtë përfaqësim: 1 deputet për 35 mijë banorë; ndërkohë që Italia ka 1 deputet për 150 mijë banorë dhe 1 senator për 192 mijë banorë. “Ndërsa në Shqipëri, mesatarja e përfaqësimit është 1 deputet për 20 mijë banorë. marrin nga 4.6 milionë lekë paga e shpërblime në muaj; ndërsa nga 1.9 milionë lekë në muaj, janë shpenzime të padukshme, që shteti bën për çdo deputet, si shërbime për zyra, sekretare, makina, kondicioner, udhëtime jashtë vendit, bankete, truproje në parlament.” Ndërsa në Shqipëri, mesatarja e përfaqësimit është 1 deputet për 20 mijë banorë, por për shkak të sistemit kushtetues “Lista e kryetarit”, të instaluar nga Sali Berisha e Edi Rama në vitin 2008, deputetët e partive mandatohen edhe me 10 vota, nëse dikush nuk thyen “Hersin” mbi 10 e 11 mijë vota sipas kuotës së qarqeve. Mesatarisht, për çdo bashki ka nga 2.3 deputetë, shumica të mandatuar me 2000-3000 vota, ndërsa rekord turpi e degradimi parlamentar në këtë legjislaturë. Por marrin nga 4.6 milionë lekë paga e shpërblime në muaj; ndërsa nga 1.9 milionë lekë në muaj, janë shpenzime të padukshme, që shteti bënë për çdo deputet, si shërbime për zyra, sekretare, makina, kondicioner, udhëtime jashtë vendit, bankete, truproje në parlament.