Vizita e delegacionit të Venecias, Meta paralajmëron konferencë me gazetarët në orën 17:00

407
Sigal

Presidenti i vendit Ilir Meta ka paralajmëruar se do të zhvillojë një konferencë me gazetarët ditën e sotme në orën 17:00, rreth vizitës së delegacionit të Komisionit të Venecias në Tiranë.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të japë sot një konferencë shtypi në ora 17:00 në ambientet e institucionit, me rastin e vizitës së një përfaqësie të Komisionit të Venecias të ftuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Presidenti Meta do të jetë i hapur për çdo pyetje dhe i gatshëm për të dhënë çdo përgjigje, në mënyrën më transparente.”- njofton Presidenca.

Kujtojmë se ekipi i Komisionit të Venecias ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me anëtarët e Komisionit Parlamentar që është ngritur për shkarkimin e presidentit Meta.
Në fundin e takimit drejtuesi i delegacionit Kaarlo Tuori, u shpreh se ata e kanë të qartë nëse presidenti ka shkelur apo jo Kushtetutën, po me raportin final do të njihemi në 11 Tetor.

“E kemi një ide të qartë, nëse e ka shkelur Presidenti Kushtetutën. Të gjitha takimet kanë qenë produktive, pasi morëm një informacion për të krijuar opinionin që do të dalë në 11 Tetor”, tha ai.

Për dy ditë me radhë përfaqësia e Komisionit të Venecias në vendin tonë ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit, presidentit Meta, përfaqësuesit e opozitës brenda dhe jashtë parlamentare, ministrin e brendshëm Sandër Lleshaj si dhe me drejtuesit e KQZ-së dhe Policisë së Shtetit.

Anëtarët e Komisionit të Venecias që mbërritën në Shqipëri:

1. Kaarlo Tuori-Drejtues i delegacionit
2. Grainne Mcmorrow- Juriste ndërkombëtare
3. Schnutz Rudolf Dürr- Kreu i divizionit për Çështjet Kushtetuese
4. Thomas Markert- Sekretar i Komisionit.