Kancelari gjerman Scholz turne në Ballkan për të mbështetur “Procesin e Berlinit”. Rama sëbashku me 13 liderët në Greqi

134

Sigal

Kancelari gjerman Olaf Scholz i ka dhënë një ‘shuplakë’ kryeministrit Edi Rama ashtu si edhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Kjo pasi Kancelari vizitoi kryeqytetin e Kosovës, para kryeqytetit serb, Beogradit, ndërsa ka shmangur totalisht një vizitë në Tiranë. Scholz u tregua i qartë në deklaratën e tij se në rajon ishte për të mbështetur Procesin e Berlinit duke dhënë kështu një mesazh të qartë dhe një goditje për ‘Open Balkan’ duke lënë të kuptohet se ky i fundit nuk ishte aspak një ide që Gjermania do ta përkrahte. “Do të udhëtoj për në Kosovë, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Greqi dhe Bullgari. Unë dua të promovoj procesin e anëtarësimit në BE në nivel lokal dhe të mbështes shkëmbimin rajonal (Procesin e Berlinit)” do të shkruante Scholz në rrjetin social Tëitter. Open Balkan është një nismë e krijuar nga Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, me ndihmën e Edi Ramës, paralel ndaj nismës gjermane. Në Greqi do të zhvillohet samiti i liderëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore. Kryeministri Edi Rama udhëton drejt Greqisë për të marrë pjesë në një samit me liderët e 13 shteteve. Në këtë Samit diskutohet rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, politik e shoqëror në rajon. Gjithashtu liderët do të flasin për luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në vendet e rajonit. Të pranishëm në këtë takim janë edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, presidenti i Këshillit europian, Charles Michel dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili ka nisur një tur ballkanik, por që në vendet që do të vizitojë, ka lënë jashtë Shqipërinë.