Në një intervistë për Ora News, ish-deputeti demokrat Klevis Balliu u shpreh se ai e ka mbështetur Bashën deri në momentin që përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar.
Ai tha se Basha me këtë vendim bëri një tradhti të madh ndaj demokratëve dhe theksoi se ai është i marrë peng.
Balliu: Unë e kam mbështetur deri para pak ditësh Bashën, deri kur një ditë në mënyrë të çuditshme ndryshoi ato që kishte besuar në 8 vite. Unë nuk mund të pranoj që kryetari i PD-së nuk merr dot vendime, sepse përndryshe është i marrë peng. Njerëzit që nuk marrin dot zgjedhje janë marrë peng. Ndërkohë sot partia sot është e përçarë. A e ndihmoi ky vendim opozitës? Jo, përkundrazi e goditi shumë opozitën. Berisha ka qenë zëri më i fortë denoncues i opozitës.
Berisha është magnet për demokratët. Nëse thua se nuk mbledh kuvendin, atëherë je peng. Nuk e bën një gjë të tillë sepse ke frikë nga anëtarët. Kjo është një tradhti e madhe, ndaj demokratëve dhe të gjithëve atyre që e kanë mbështetur Bashën. Ai me atë vendim ka tradhtuar gjithë opozitarët në vend. Prandaj ai nuk mund të rrijë aty sepse nuk është më një figurë bashkuese.






















