Meta në Lezhë: Në dy vite cilësia e transformimit do jetë e prekshme

471
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka inspektuar punimet që po kryhen në urën e lumit Drin si dhe projektet e tjera të realizuara apo që janë në proces, të cilat kanë të bëjnë me rikualifikimin e lulishteve, mjediseve publikeve, sheshit kryesor të qytetit dhe ndërtimin e ujësjellësit të ri të Lezhës.
I shoqëruar nga Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, për Bashkinë e re të Lezhës, Viktor Tushaj dhe nga deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli, Lideri i LSI-së në një prononcim për median vlerësoi këto investime për Lezhën si transormuese që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e turzimit.
“Investimet që po realizohen në qytetin e Lezhës në të gjithë bashkinë e re të madhe të Lezhës janë mjaft cilësore dhe mjaft premtuese për një transformim rrënjësor të gjithë infrastrukturës, jo vetëm të qytetit të Lezhës, por të gjithë Bashkisë së re të Lezhës, për të gjitha njësitë administrative. Jam i sigurte se në dy vite, cilësia e transformimit do të jetë jo vetëm spektakolare, por e prekshme për të gjithë qytetarët. Kjo nuk ka të bëjë thjesht me një pamje të re dhe të merituar të Lezhës si qytet dhe gjithë Bashkisë së madhe të Lezhës, por kjo ka të bëjë me vetë rritjen e standardit të mirëqenies për çdo familje lezhjane dhe me zgjidhjen e disa problemeve kardinale do të thoja, ku në mënyrë të veçantë më duhet të theksoj zgjidhjen një herë e përgjithmonë të problemit të ujit të pijshëm për Lezhën, Balldrenin dhe për të gjithë zonat e tjera që kanë vuajtur tmerrësisht nga ky problem jetik dhe i përditshëm”,-theksoi Meta.
Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, për Bashkinë e re të Lezhës, Viktor Tushaj shprehu besimin se me mbështetjen e qeverisë shqiptare këto investime që po realizohen në qytetin e Lezhës do të pasohet në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë së madhe të Lezhës.
“Ne sapo vizituam me Metën fillimin e punës së urës për zgjerimin e saj, për kthimin e saj nga një urë e cila nuk kishte imazhin e duhur për një qytet historik si Lezha, në një urë mikpritëse për vizitorët, për turistët, për qytetarët lezhjanë, por edhe me standard tjetër. Investimet që po bëhen në qytetin e Lezhës do të pasohen nga investime të mëdha në të gjithë bashkinë e madhe të Lezhës në njësitë e reja administrative”. – tha Tushaj. 
Sigal