Gjykata Kushtetuese, OFL-në do konstatonte antikushtetuese

441
Sigal

Intervistë me Ledio Braho, konstitucionalist: Iniciativa e parë e Rilindjes në 2015 për përfshirjen e BKH si pjesë e Policisë së Shtetit dështoi sepse Gjykata Kushtetuese e konsideroi antikushtetuese. Për të gjithë personat që janë gjykuar nga OFL-së, gjykata ka marrë vendim. OFL përdoret për shantazh ndaj krimit të organizuar në favor të qeverisë për zgjedhjet e 25 prillit 2021

 

 Gazeta Telegraf

Konstitucionalisti Ledio Braho, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se, nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte sot funksionale, OFL-në, do ta konstatonte si anti- kushtetuese, derisa kemi SPAK dhe më parë Gjykatën e Krimeve të Rënda, ligjin e anti-mafies, etj. Konstitucionalisti Braho argumenton se sot, në Kodin Penal nuk ka asnjë boshllëk ligjor, që të përligjë OFL-në. Edhe siç është, Av. Braho shpjegon se OFL-ja ka dështuar edhe në veprimtarinë e saj, derisa Gjykata po rrëzon shumë vendime të OFL-së për sekuestrimin e pasurive të disa personave. Madje, Av. Braho pohon se të dënuarit janë gjykuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda edhe për pasurinë e paligjshme që kanë përvetësuar, ndaj OFL nuk ka asnjë kompetencë ligjore dhe kushtetuese të rigjykojë çështje për të cilat janë dhënë nga gjykatat e mëparshme vendime të formës së prerë.  Konstitucionalisti Braho thotë se ministri Lleshaj nuk ka asnjë kompetencë kushtetuese që t’i zgjatë me ligj mandatin OFL-së, por, më kryesorja thekson Av. Braho, është se OFL përdoret për shantazh ndaj  krimit të organizuar,  në favor të qeverisë për zgjedhjet e 25  prillit 2021.

Iniciativa e parë e ngjashme e kësaj qeverie për përfshirjen e BKH si pjesë e Policisë së Shtetit dështoi për shkak të faktit se Gjykata Kushtetuese, në vitin 2015, kur ishte ende funksionale, e konsideroi si antikushtetuese

 

-Zoti Braho, Drejtësisë sonë a i mungojnë institucionet për të luftuar krimin e organizuar, për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuritë e vëna nga paratë e krimit, që të justifikohej ngritja e OFL-së nga qeveria?

– Absolutisht që jo. Shqipëria prej kohësh nuk ka pasur vakuum si institucional, ashtu dhe ligjor sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, apo dhe gjurmimit dhe sekuestrimit të pasurive të krijuara si pasojë e aktivitetit kriminal. Në vendin tonë, që në vitin 2002, me ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, u krijua Gjykata e Krimeve të Rënda pikërisht me qëllim luftën ndaj krimit të organizuar. Po ashtu edhe sa i përket posedimit dhe shfrytëzimit të pasurive të përfituara, si pasojë e aktivitetit kriminal, përveç ndryshimeve të herëpashershme që janë bërë në Kodin Penal në lidhje me vepra penale si “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “çelja e llogarive anonime” apo “përvetësimi i parave, ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” ka dhe një ligj specifik në këtë fushë që është ai “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (ligji anti-mafia) që është në fuqi që nga viti 2009. Në vijim, me reformën në drejtësi, duke qenë se një nga qëllimet kryesore të saj ishte dhe lufta kundër krimit të organizuar, u krijua Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) si dy organe që gëzojnë shumë më tepër garanci dhe pavarësi se organet e mëparshme në këtë fushë. Pra, nëse i referohemi legjislacionit dhe strukturave të cituara më sipër, del qartë që nuk ka pasur asnjë nevojë për krijimin e një strukture të re, aq më tepër në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, për të luftuar krimin e organizuar e aq më tepër që të kryhej me akt normativ.

– Nëse e marrim të mirëqenë misionin e OFL- së, a duhej që kjo strukturë të ishte në varësi të Ministrit të Brendshëm, domethënë në varësi të Qeverisë, e shkëputur nga Prokuroria?

– Këtu është me vend për t’u theksuar që iniciativa e parë e ngjashme e kësaj qeverie për përfshirjen e BKH si pjesë e Policisë së Shtetit dështoi për shkak të faktit se Gjykata Kushtetuese, në vitin 2015, kur ishte ende funksionale, e konsideroi si antikushtetuese me arsyetimin se ndonëse ligji krijon një organ të ri me kompetenca në fushën e hetimit të veprave penale, atij i mungojnë tërësisht dispozitat lidhur me pozitën procedurale të këtij subjekti në raport me Prokurorinë, si i vetmi organ përgjegjës për ndjekjen penale, por edhe me subjektet e tjera të procedimit penal, të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese, në të njëjtin vendim, në lidhje me varësinë e një strukture të tillë nga Ministri i Brendshëm apo Policia e shtetit, shprehet se një varësi e tillë krijon premisa varësie të këtij organi nga pushteti ekzekutiv. Kjo varësi, gjithashtu, do të nënkuptonte një influencë/ndërhyrje të pushtetit ekzekutiv në fazën fillestare të ndjekjes penale, atë të hetimeve paraprake, çka do të ndikonte në krijimin e raporteve të pabalancuara ndërmjet pushtetit ekzekutiv, nga njëra anë, dhe organit të Prokurorisë, nga ana tjetër (tagër ekskluzive e të cilit është ndjekja penale). Pikërisht për të shmangur këtë rrezik, në funksion edhe të respektimit të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, ligjvënësi procesin e emërimit dhe të shkarkimit të punonjësve të Policisë Gjyqësore e ka konsideruar si një përgjegjësi të dyanshme, midis Prokurorit të Përgjithshëm, nga njëra anë, dhe ministrit që ka në kompetencë forcën policore, nga ana tjetër (neni 10/a i ligjit organik të Policisë Gjyqësore). Për pasojë, Gjykata ka vlerësuar se një parashikim i tillë bie ndesh me parimin e shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Nëse interpretojmë edhe strukturën OFL nën të njëjtën linjë arsyetimi, është e sigurt që nëse aktualisht do të kishim një Gjykatë Kushtetuese funksionale, ajo do të kishte konstatuar anti-kushtetutshmërinë e kësaj strukture dhe veprimtarisë së saj në tërësi.

 

Gjykata Kushtetuese, në të njëjtin vendim, në lidhje me varësinë e një strukture të tillë nga Ministri i Brendshëm apo Policia e shtetit, shprehet se një varësi e tillë krijon premisa varësie të këtij organi nga pushteti ekzekutiv

– Deri tani veprimtaria e OFL-së është përqëndruar në hetimin dhe sekuestrimin e pasurive të atyre që janë dënuar me vendime të formës së prerë, kur drejtësia ka ligje të posaçme që hetojnë dhe sekuestrojnë pasurinë e fituar nga veprimtaria kriminale. Ku është e veçanta që ka bërë OFL-ja?

– Nuk ka asnjë të veçantë OFL-ja, përveçse bazohet në procedura, që bien ndesh me procesin e rregullt ligjor. Për të gjithë personat që janë gjykuar për veprat penale që janë fushë e OFL, gjykata me kërkesë ta prokurorisë, përveç dënimit të personave të përfshirë në këto vepra penale, ka marrë vendim edhe në lidhje me produktet e këtyre veprave penale dhe këto janë të gjitha procedura me gjykim themeli, pra që është kryer hetim i thelluar, janë garantuar të drejtat procedurale të palëve sipas Kodit të Procedurës Penale dhe është arritur në një vendimmarrje nga ana e gjykatës për konfiskimin e këtyre pasurive.

Shumë herë Gjykata e Posaçme, ka rrëzuar pretendimet e OFL-së për të sekuestruar pasurinë e disa të dënuarve. Çdo të thotë kjo?

– Kjo do të thotë që OFL nuk ka bërë analizën e duhur në lidhje me pasuritë që ka kërkuar sekuestro nëpërmjet SPAK apo që subjektet ndaj të cilëve janë iniciuar këto procedura kanë arritur t’i justifikojnë pasuritë ndaj të cilave janë kërkuar të merren këto masa nga OFL dhe SPAK. Ajo çka është më problematike në këtë procedurë ka të bëjë me faktin që për çdo dështim të  OFL-së, vjen si pasojë justifikimi i pasurisë së subjekteve ndaj të cilave është dërguar formular, kjo bazuar në parimin kushtetues të gjësë së gjykuar. Në momentin që procedurat ndaj këtyre subjekteve dështojnë në vendosjen e sekuestros apo konfiskimit, atëherë nuk mund të iniciohen sërish pasi mbrohen nga neni 34 i Kushtetutës që parashikon se “Askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e lartë, sipas mënyrës së parashikuar me ligj”. Edhe vetë akti normativ, në nenin 25 të tij, ndër të tjera parashikon se “Procedura e shqyrtimit gjyqësor të rishikimit dhe ankimimit të vendimit të gjykatës për rishikimin është sipas rregullave, afateve dhe kushteve, të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile”, – çka do të thotë që bëhet pothuajse e pamundur që të rishqyrtohen këto çështje, edhe në bazë të ligjit anti-mafia.

– Zoti Braho, ditët e fundit ministri i Brendshëm Lleshaj bëri me dije se do të shtyhet mandati i OFL-së.  Si e gjykoni këtë vendim?

– Është një vendim abuziv, pothuajse si çdo vendimmarrje tjetër që ka ndërmarrë kjo qeveri që nga momenti që kontrollon çdo pushtet dhe çdo organ të supozuar të pavarur dhe që bie ndesh edhe me nenin 101 të Kushtetutës që aktet normative me fuqinë e ligjit i lidh me marrjen e masave të përkohshme dhe ndaj është parashikuar një afat që në krye të herës. Një shtyrje afati përveçse nënkupton dështimin e plotë të OFL-së deri tani, cenon dhe nenin 101 të Kushtetutës duke rënë ndesh me qëllimin e tij.  Megjithatë, në çdo rast, Ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit, përpara se të kërkojnë shtyrje të afatit të këtij operacioni, duhet t’i përgjigjen një sërë pyetjeve për këtë operacion si:

– Si përzgjidhen emrat që njoftohen çdo ditë?

– Ka kritere të përcaktuara?

– A ka selektivitet në përzgjedhjen e emrave qoftë dhe për momentin se kush përzgjidhet, kur?

– Sa është numri i njoftimeve që OFL ka dërguar te subjektet e ligjit të OFL?

– Sa është numri total i pranimit të kërkesave nga Policia e Shtetit pas dërgimit të njoftimeve?

– Sa është numri i personave të adresuar nga operacioni OFL pranë SPAK?

– Sa pasuri janë sekuestruar/konfiskuar si të paligjshme nga Gjykata?

Pa u bërë transparencë në lidhje me këto pyetje, çdo iniciativë tjetër për vijimin e OFL-së, do të hedhë më shumë hije dyshimi në lidhje me përdorimin e OFL politikisht për shantazh ndaj subjekteve të krimit të organizuar sipas parimit të “shkopit dhe karotës” me qëllim angazhimin e tyre në favor të qeverisë gjatë zgjedhjeve të prillit 2021. Po ashtu, vijimi i OFL-së edhe tej vitit 2020, do të vijojë mbingarkesën e SPAK me procedura fiktive të OFL-së dhe krimi i vërtetë i organizuar apo “peshqit” e mëdhenj të politikës do të mbeten të paprekur edhe për shkak të pamundësisë objektive në kohë dhe burime njerëzore të SPAK.

Pse OFL-ja nuk ka gjurmuar, hetuar edhe persona që kanë detyra zyrtare, por me korrupsion, shpërdorim detyre, apo bashkëpunim me Krimin, kanë përvetësuar pasuri?

– Vetë qeveria, në draftin e miratuar të aktit normativ me fuqinë e ligjit, i ka përjashtuar subjektet që janë dënuar me vendim penal të formës së prerë, janë nën hetim apo për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara në elemente të faktit për përfshirje në afera korruptive. Normalisht që përjashtimi i këtyre subjekteve ka qenë i qëllimshëm dhe normalisht është e pritshme që kushdo që merr vendime të tilla do të ketë për qëllim ta përjashtojë veten nga iniciativa të tilla antikushtetuese dhe që i vënë në rrezik pasurinë e krijuar më burime të pajustifikuara.

– Faleminderit!