Fatmir Xhafaj: Vendit i duhet një sistem i ri elektoral, mazhorancës i duhet reflektim i thellë

179
Sigal

Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë Fatmir Xhafaj gjatë një emisioni në Intervistë tha se fundi i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 mund të jetë afër. Për Xhafaj ndryshimet demografike, emigrimi, por edhe faktorë të tjerë të shtyjnë drejt gjykimit se vendi ka nevojë për një sistem të ri elektoral. “Për një pjesë të amendamenteve të 2008 unë kam qenë kundër forcës sime politike. Dhe nuk jam përfshirë në ato amendamente. Por kanë kaluar shumë vite dhe kanë ndryshuar shumë gjëra, ndaj mendoj se vendi ka nevojë për një reformë kushtetuese dhe institucionale në raport me partitë politike. Që do të thotë që ka nevojë për ta riparë sistemin elektoral që kemi edhe për shkak të hartës dhe ndryshimeve demografike që ka pësuar vendi. Ka nevojë për të ndryshuar ligjin për partitë politike dhe parashikimet kushtetuese e ligjore, që lidhen me mandatet politike. Pjesë e kësaj mund të jetë dhe sistemi elektoral”,- tha Xhafaj. Më tej deputeti socialist nënvizoi se çdo ndryshim duhet përshtatur me kohën dhe kontekstin politik ku ndodhet vendi, ndaj palët duhet të jenë shumë të kujdesshme me kodin e ri zgjedhor. “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse një zgjidhje duhet dhënë në kontekstin e momentit kur zbatohet. Nëse do ta bënim një sistem mazhoritar do kishte problematika lidhur me barazinë gjinore, me futjen e të rinjve në politikë etj… Nëse do bënim një sistem të pastër proporcional do t’i jepte më pak mundësi individëve, që vijnë, ose mundësi që të thithësh disa vlera, që janë të nevojshme për shkak të emigrimit. Do kishte pasoja edhe për momentin, sepse disa me anë të fuqisë financiare që kanë mund ta ndikonin votën me sistemin proporcional të pastër. Po të analizojmë me kujdes rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe të mëparshme, kuptojmë se rezultati ka të bëjë me këtë lloj ndikimi”, u shpreh ai. Xhafaj gjithashtu nënvizoi se nuk pajtohet me ata që thonë se po s’pate lekë dhe po s’u lidhe me të fortët nuk bëhesh dot deputet, duke treguar shembullin personal që arriti të thyejë herësin në Tiranë, edhe pse kryeministri Rama e renditi të 23-n në listën e kryeqytetit. “Unë marrë shembullin tim, kurrë në jetën time nuk kam paguar 1 lek për votë. Apo të kem marrë vota në këmbim të  një interesi të caktuar. Apo njerëz të fortë që kanë qenë në krah tim për të më siguruar vota. Edhe në këto zgjedhje, ku edhe vetë ata që më çuan te 23 nuk e besonin që, dhe më bën një nder të madh pasi provova veten se ku isha”,- tha Xhafaj. Por, ish-ministri pranoi se është koha që aktorët politikë të bëjnë një analizë të gjatë për të kuptuar se çfarë është bërë mirë dhe çfarë keq, në mënyrë që sistemi i ri elektoral të jetë i duhuri. Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka deklaruar se për mazhorancën është momenti që të bëjë një reflektim të thellë, në kushtet e një realiteti të ri shoqëror dhe politik! Xhafaj i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të tregojë urtësi në orientimin e pushtetit të madh politik që ka në duar Partia Socialiste. “Ke një realitet politik ku opozita është shumë e dobët, për fatkeqësinë e saj dhe fatkeqësinë e këtij vendi. Edhe për të keqen e kësaj mazhorance,, sepse nuk ka pasqyrën përballë. I ka dhënë një pushtet të madh që është e pamundur ta kontrollosh me një telefon apo me një individ, cilido qoftë ai, sado supermen të jetë. Nevoja për të reflektuar për këtë përgjegjësi është një gjë shumë e drejtë dhe kryeministri ka bërë shumë mirë. E kam ndjekur me kujdes fjalën e tij në 32 vjetorin e PS dhe i pari që duhet të reflektojë është vetë kryeministri pasi ka përgjegjësinë e lidershipit politik për ta orientuar këtë pushtet të kësaj force politike dhe që të mundet ta mbajë këtë barrë pa kosto shumë të mëdha. Se barra kur dobësohet kurrizi të thyen në mes. Dhe mund të na ndodhi ajo që po i ndodh opozitës… Nga artikulimet që ka bërë kryeministri më lë të kuptoj që është i shqetësuar dhe ndoshta po reflekton. Dhe dua ta shoh që të hedhin ë tavolinë reflektime serioze. Në disa raste nuk ka nevojë për të bërë disa make up të makinës por edhe për ta rinovuar plotësisht. Shpresoj që të ketë urtësinë ta realizojë”, theksoi ai. Më tej Xhafaj foli rreth rivalitetit të brendshëm në PS, duke theksuar se është i dobishëm në kushtet kur nuk shndërrohet në konflikt. “Unë mendoj që PS do të vazhdojë të mbetet një forcë e besueshme dhe udhëheqëse në këtë vend sa kohë do ketë harmonizim të mirë të gjeneratave. Sa kohë do t’i integrojë mirë të 3 apo 4 gjeneratat brenda formacionit politik. Dhe rivalitetet dhe konkurrencat e shëndetshme pa u kthyer në konflikt janë të shëndetshme. Edhe ambiciet janë gjëra normale. Brenda PS ka burra e gra që e meritojnë ta kenë këtë ambicie”,- u shpreh ish-ministri i Brendshëm.