Në vijim të reagimeve të ashpra pas përfundimit të procesit zgjedhor, kreu i opozitës Sali Berisha deklaroi se të gjitha strukturat dhe qarqet e Partisë Demokratike janë duke hartuar bilancet për atë që ai e cilësoi si “manipulim elektoral masiv”.
Sipas Berishës, pas kësaj “farse elektorale”, deputetët e opozitës janë më të vendosur se kurrë për të qëndruar në krah të qytetarëve dhe për të denoncuar çdo parregullsi.
Ai theksoi se shumë shpejt do të bëhen publike raportet për secilin qark, të mbështetura me dokumentacion dhe prova konkrete, të cilat do të paraqiten për të zbardhur të vërtetën mbi atë që opozita e konsideron një nga proceset më të manipuluara në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri.
Pjesë nga deklarata:
Nuk kam asnjë lloj frike se deputetët e opozitës nuk do i qëndrojnë opozitarizmit.
Pas kësaj farse elektorale ata do jenë dy herë më të motivuar për të denoncuar para shqiptarëve dhe botës të gjithë farsën e shëmtuar elektorale që ndodhi…
…Ky është një moment, sepse të gjitha qarqet po bëjnë bilancin e tyre dhe ata do i denoncojnë të gjitha.
E vërteta do vijë në dritën e diellit në këtë sallë me të gjithë dokumentacionet, në të gjitha qarqet.
Por ndërkohë që ata po punojnë, po mbledhin materiale, po ndjekin numërimet, tani ata po përgatisin raportet për qarqet dhe ato do paraqiten publikisht.