Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar nga burgu lidhur me dënimin e tij me 10 ditë pa aktivistet sportiv pas një interviste live me gazetaren Beti Njuma.
Meta paralajmëron se kryeministri Edi Rama po tenton të uzurpojë Gjykatën Kushtetuese, ndërsa shton se nuk është penduar që kandidoi në listën e hapur për deputet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Z. Meta, përsëri shtyrje të hetimit për ju.*Si e shpjegoni?
Në regjimin e inceneratorit që nuk ekziston, por që vetëm Altini nuk e kupton, kjo është “normale”.
Sidomos kur ndodh vetëm një ditë pas përfundimit të hetimeve zyrtare, të cilat po ashtu ishin shtyrë 6 muaj vetëm në interes të izolimit tim ekstrem, me qëllim rrëmbimin e 83 mandateve në 11 Maj nga Kreu i Narkoregjimit.
Kështu që nuk jam fare i zhgënjyer nga SPAK, se ata kurrë s’më kanë zhgënjyer në partishmërinë e tyre të lartë.
Si mund të siguronin edhe ata vetë mandate të përjetshme në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin?
Duhet t’i mirëkuptojmë edhe ata.
Mos jeni i penduar tani që nuk hytë në listë të mbyllur për deputet?
Nuk pendohem kurrë për vendimet që i marr me bindje të plotë.
Fakti që ndodhem në një izolim ekstrem, ku as deputetët dhe eurodeputetë apo gazetarë nuk janë lejuar të më takojnë, nuk mund të më detyrojë t’i marr vendimet si një lider që ka bërë më të mirën për demokracinë e pluralizmin politik që nga Dhjetori ’90 me Lëvizjen Studentore e deri tani.
Unë kam bërë grevë urie kundër ndryshimeve kushtetuese të nxituara në vitin 2008, që pollën listat e mbyllura dhe vranë shpirtin e parlamentarizmit për të arritur deri këtu ku jemi sot.
Këto pasoja nuk u ndjenë shumë deri në vitin 2019 kur edhe LSI dogji mandatet apo edhe thërrisja popullin në mitingun historik të 2 Marsit për të ndalur ligjin e betimeve te Lana të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Shikoni ç’po ndodh aktualisht!
Duan të zerojnë çdo mendim pakice edhe në Gjykatën Kushtetuese, ndaj po e shkelin shumë rëndë Kushtetutën për të hequr edhe të vetmen gjyqtare të pavarur.
Jo se ajo mund ti pengojë në Vendimet e Gjykatës Kushtetuese në shërbim të regjimit, por se i tmerron e vërteta, argumenti, logjika, objektiviteti dhe integriteti se i nxjerr zbuluar të besuarit e “Rilindjes”.
Si e shihni të ardhmen e Partisë së Lirisë në këto kushte?
Të ardhmen e Partisë së Lirisë e shoh të shkëlqyer, sepse këtë e garantojnë kauzat e saj madhore.
Rrëmbimi im kriminal synonte edhe rrëmbimin e PL-së dhe vulës të saj përmes shkarkimit të Tedi Blushit si përfaqësuesi më kurajoz i PL në betejat e saj kundër Narkoregjimit.
Ndërkohë ju keni kërkuar rinumërim në Kavajë. Përse kjo?
Ka qenë një kërkesë e imja vetëm për një arsye, për të kuptuar se çka ndodhur në një bashki ku kam dërguar më shumë letra se sa kam dalë me vota.
Por edhe për të ditur se ku i kam marrë, pra në cilat qendra votimi.
Analiza e detajuar e 11 Majit do na ndihmojë për rindërtimin organizativ efikas (e jo fiktiv) të PL- së kudo.
Sepse zgjedhjet vendore po afrojnë dhe ato janë shumë të rëndësishme për ne pasi na rezultuan shumë këshilltarë fiktivë, që nuk e ushtruan mandatin me përkushtim dhe përgjegjësi.
Në përfaqësim nuk është e rëndësishme vetëm sasia, por sidomos cilësia, se ajo bën diferencën dhe të fuqizon në të ardhmen. Ndaj Edi Rama ka tmerr edhe nga një gjykatëse e vetme dinjitoze në Gjykatën Kushtetuese e kërkon ta heqi dhunshëm me çdo kusht. Ndaj Erion Veliaj inskenoi atentatin fizik kundër Tedi Blushit në Këshillin Bashkiak me shërbëtorët e tij. Sepse cilësia shumë shpejt të shndërron në shumicë.