Monika Kryemadhi: Qytetarët në shumicë përballë së keqes që ka marrë peng të ardhmen e vendit

548
Sigal

Prononcimi i Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi

Qytetarët e Shqipërisë protestojnë, sidomos qytetarët e Tiranës, përballë një njeriu që ka ikur tashmë. Dhe çdo ditë më shumë që zvarritet dhe që qëndron është ditë më e zezë për të dhe ditë më e bardhë për shqiptarët. Sepse çdo ditë e më shumë shqiptarët kuptojnë që një njeri nuk mund të marrë dot peng të ardhmen e fëmijëve të tyre, ashtu sikurse çdo ditë dhe më shumë shqiptarët e kuptojnë që e keqja më e madhe e këtij vendit  është përfaqësuesi i krimit të organizuar, i cili ka kapur pushtetin, ka kapur ekonominë shqiptare, ka kapur shëndetësinë, ka kapur çdo gjë për të cilën shqiptarët duan të jetojnë të lumtur në vendin e tyre si qytetarë Europianë.

Do të qëndroni 48 orë përpara Kryeministrisë sot?

Ajo nuk është në dorën tonë, është në dorën e qytetarëve. Janë ata të cilët do ta vendosin. Ish-deputetët e opozitës janë qytetarë të lirë, të cilët protestojnë si çdo qytetar. Sot asnjëri nga ne nuk përfaqëson flamuj politik. Sot të gjithë përfaqësojmë familjet tona, njerëzit tanë edhe ata të cilët nuk kanë mundësi për të ardhur  për shumë arsye në protestë. Edhe të gjithë ata anëtarë të administratës publike të cilët i kanë kërcënuar për të mos qenë sot në protestë. Edhe të gjithë ato biznese të cilët kërcënohen dhe shantazhohen për të mos qenë sot në protestë. Sot të gjithë ne jemi përfaqësues të gjithë atyre njerëzve të cilët duan taksa më të ulëta, duan naftën më të lirë, duan energji elektrike më të lirë, duan arsim me standarde evropiane për fëmijët e tyre, duan shëndetësi me standarde evropiane për familjarët e tyre. Duan një shtet dhe një qeveri që iu shërben qytetarëve të vetë dhe mbi të gjitha duan atë sistem vlerash për të cilin shqiptarët kanë aspiruar. Për atë sistem vlerash, për demokracinë e vërtetë, për fjalën e lirë, për ekonominë e lirë, për lëvizjen e lirë të 30 viteve më përpara ashtu siç u ngritën studentët shqiptarë. Sot nuk mund të them që nuk janë ngritur studentët, por sot mund të them që janë ngritur që te gjithë për ta ndryshuar këtë sistem të kapur, që ishte sistem i tranzicionit qe e ndaloi integrimin e Shqipërisë në BE. E ktheu Shqipërinë në një vatër të krimit të organizuar. Prandaj tashmë protesta e shqiptarëve dhe protestat e opozitës janë protesta për ta rrëzuar njëherë e mirë këtë sistem të kalbur të tranzicionit dhe për të hapur etapën e re të integrimit evropian, sepse Shqipëria e ka vendin vetëm në BE. Shqipëria nuk e ka vendin në asnjë vend tjetër. Sot në këtë ditë me diell hapet një faqe e re për historinë e Shqipërisë, hapet faqja e fillimit të negociatave. Sepse negociatat në Shqipëri nuk hapen nga një njeri që nuk lufton krimin e  organizuar, negociatat nuk hapen nga një njeri që shantazhon dhe blen votat me paratë e krimit të organizuar, negociatat nuk hapen nga një njeri që nuk sulmon dhe nuk lufton korrupsionin dhe kriminalitetin, por përkundrazi i stimulon dhe i zhvillon ato, negociatat nuk hapen duke kërcënuar dhe duke shantazhuar popullin tënd. Sot unë them që një ditë e bukur do të çelet dhe një etapë e re do të hapet për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë.

Znj. Kryemadhi, dje kryeministri Rama tha se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, madje tha që shfaqjet e opozitës dëmtojnë vetëm interesat kombëtare të  Shqipërisë dhe jo qeverinë.

Ky kryeministër ka një problem shumë të madh me shqiptarët, me veten e tij, me besimin e tij në vetvete sepse normal që besimi do ti mungojë në vetvete sepse një njeri që nuk beson në Zot dhe tallet me Zotin, normal që nuk ka se si të kuptojë se çfarë ndodh. Unë mund të them vetëm këtë gjë, që në momentin që Edi Rama flet për zgjedhje të parakohshme, po përgatitet për zgjedhje të parakohshme, madje po përgatitet edhe për kandidatin për kryeministër të qeverisë tjetër, por ky nuk është problemi ynë, është problemi i z. Rama. Problemi ynë është hapja e negociatave që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian, ky është problemi ynë, ne aspirojmë për këtë, mjaft më me tranzicionin, mjaft me këtë qeveri dhe shtet të kapur, mendojmë që shqiptarët meritojnë më shumë se kushdo për të qenë anëtarë të BE-së, meritojnë më shumë se kroatët, meritojnë më shumë se sllovenët sepse e kemi filluar procesin e integrimit në Bashkimin Europian me Kroacinë dhe sot Kroacia është anëtare e Bashkimit Europian, ndërsa ne akoma diskutojmë hapjen e negociatave.

Znj. Kryemadhi, ambasada amerikane tha se nuk do të ketë protesta të dhunshme pasi janë të paligjshme, gjithashtu ai tha se opozita ka lënë mandatet dhe duhet të lënë Parlamentin të vazhdojë punë, i cili është legjitim sipas tyre.

Unë lexoj raportin e Departamentit të Shtetit sepse besoj se raporti i DASH dhe jo vetëm raporti i DASH, por i shumë kancelarive të tjera evropiane bëjnë shumë të qartë që zgjedhjet e 2017 janë blerë dhe janë marrë ndërmjet kërcënimit të votuesve, jo vetëm që janë blerë dhe deformuar, por di të them që në raportin e DASH është shumë e qartë, lufta kundër korrupsionit e cila nuk zhvillohet, kundër krimit të organizuar dhe problematika të tjera të cilat jo vetëm që nuk i krijojnë mundësi dhe hapësira Shqipërisë, por përkundrazi ja mbyllin dyert e integrimit, ajo që dua të them është që dëshmitarët më të mirë dhe viktimat më të mëdha të këtij sistemi që ka instaluar Edi Rama janë shqiptarët, nuk janë njerëz të tjerë të cilët e kanë tranzitore jetesën në Shqipëri.

Zonja Kryemadhi ju keni thënë që nuk jeni përgjegjëse për listën e 2017,të cilët disa nga kandidatët kanë marrë dhe mandatet e deputetit,fajësoni zotin Meta për këtë?

Nuk është as zoti Meta as kushdo tjetër që ka bërë listën,një nga arsyet që Levizja Socialiste për Integrim vendosi Vettingun e kandidatëve është sepse që këtej e tutje kandidatët e LSI nuk do të jene kurrë peng i të kaluarës të tyre,nëpërmjet të cilës ata të kërcënohen për të marrë pastaj vendime jashtë dëshirave të tyre dhe jashtë po themi dhe vendime që janë në kundërshtim me të mirën e popullit të tyre,kështu është shumë e qartë vendosja dhe marrja e vendimit për të bërë Vetingun e kandidatëve,të cilën e gjithë opozita po shkon drejt kësaj pra këtë Vetting në politikë qe ne e kërkuam, mendojmë që është shumë e rëndësishme sepse duhet ndarë njëherë e përgjithmonë , ashtu siç themi ti japim fund tranzicionit në politik, duhet ti japim fund edhe lidhjes politike me krimin. Vetëm një politik e çliruar nga krimi, vetëm një politik e lirë, mund të sjelli dhe mund të çojë përpara Shqipërinë dhe shqiptarët dhe mund të garantojë të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve.

Si e shikoni deklaratën e z. Koka i cila tha se ndihet sërish sikur është pjesë e LSI dhe ka një marrëdhënie shumë të mirë me ju, znj. Kryemadhi?

Unë ajo që mendoj është se sot nuk ka më kohë për të folur për emra të përveçëm, sot është koha të flasin shqiptarët dhe sot më shumë se çdo gjë tjetër janë shqiptarët të cilët kanë vendosur për çdo vendim politik të çdo partie politike. Çdo njeri bën zgjedhjen e tij. Ka njerëz që bëjnë zgjedhje të gabuara, ka njerëz që bëjnë zgjedhje të mira,ka dhe njerëz që nuk bëjnë zgjedhje fare. Kështu që kjo është zgjedhja e tij dhe nuk më shqetëson dhe as nuk më intereson të them të drejtën sepse mendoj se sot ka gjëra më të rëndësishme për të folur dhe më të bukura për të folur për shqiptarët.

Znj. Kryemadhi, nëse nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, LSI do të marrë pjesë në zgjedhje vendore të 30 qershorit?

Nuk mund të ketë zgjedhje në Shqipëri pa dalë përpara drejtësisë shkaktarët e blerjes së votës nëpërmjet parave të krimit dhe të drogës. Nuk është thjesht shit blerje vote, po është blerja e votës, intimidimi i votës, kërcënimi i votës nëpërmjet parave të krimit të organizuar që është shumë më e rëndë  sesa thjesht një veprim rutinë që kërkon ta kaloj z. Rama.