Agron Kaja: Me dy barazime, kuqezinjtë nuk kanë timonier të aftë!

74
Sigal

VËZHGIM/ Refleksion mbi paraqitjen e kuqezinjve në dy ndeshjet e fundit për  “Botërori 2026”

A mund ta themi se në sfidat me Serbinë dhe me Letoninë, Kombëtarja tregoi se nuk ka një timonier të saktë profesionalisht, që nuk di të përshtasë mirë në fushë vlerat reale të çdo futbollisti? Natyrisht që çdo përfundim e ka edhe spjegimin, por në këtë rast ka disa arsye që vijnë në logjikën e përgjigjes, të cilat duke i parë para dhe prapa, majtas e djathtas, me kokë poshtë apo me kokë lart, të gjitha të çojnë te trajneri Silvinjo. Pas ndeshjes me Letoninë e barazuar 1-1, në rrjetet sociale, por edhe në shtypin e kronikat televizive, pyetja “Hamletiane” e ditës është: Të jetë ose jo Silvinjo trajner i Kombëtares?! Dhe këtu le ti referohemi vetëm dy ndeshjeve të fundit në Grupin K kualifikues të Botërori 2026, me Serbinë dhe me Letoninë. Gjithmonë në këndvështrimin gazetaresk (aq sa mundemi), dhe pa asnjë kompleks, edhe pse këtë temë e kanë bërë “telef” specialistë futbolli dhe gazetarë të tjerë.

Ndeshja Shqipëri-Serbi 0-0

Që në nisje të sfidës, treguam se do luanim me grintë, me harmonizim të reparteve dhe me një kundërsulm që shtatlartët serbë do t’i zinte në befasi. Në fakt nuk ndodhi ashtu, edhe pse mund ta mbyllnim pjesën e parë në avantazh. Sepse Manaj nuk u çlirua dot nga emocioni i ndeshjes, një psikologji e dobët që kishte përfshirë gjithë skuadrën. Edhe në pjesën e dytë më shumë loja përqëndrohej për të ruajtur rezultatin se sa për të shënuar, çka u tregua edhe nga katër zëvendësimet me karakter mesfushor-sulmues që nuk prodhuan asgjë, kundrejt pesë zëvendësimeve të Serbisë që 0-0 sikur e kishin në xhep. Kështu, ndaj Serbisë qartazi reflektohej frika e humbjes, që midis të tjerave tregoi se aktivizimi i lojtarëve nuk ishte në përzgjedhje plotësisht të merituar, sepse më shumë se gjysma e ekipit “dridhej” kur serbët derdheshin në gjysmëfushën tonë. Kishte edhe të tjerë faktorë, që treguan më së shumti se këtu çaloi bankina dhe jo fusha e lojës.

Ndeshja Letoni-Shqipëri 1-1

E nisëm me formacion ndryshe, kryesisht në mbrojtje, por çuditërisht Hysaj nuk preferohet në formacion! Edhe këtu nuk shënuam, madje na ndihmoi vetë kapiteni letonez me autogolin e tij. Në këtë përballje u reflektua një shkujdesje gjatë veprimeve në fushë të të gjithë lojtarëve, përjashto portierin Strakosha, por që nga bankina nuk u ndërhy për ndryshim taktike, apo edhe për zëvendësime të dedikuara. Në shumë raste lojtarët e Letonisë gjëndeshin të lirë në zonën tonë, dhe çuditërisht nuk mbuloheshin nga mbrojtja jonë! Edhe në shënimin e golit të barazimit qartazi u pa se mbulimi i numrit 5 Çernomordijs nuk ishte në kohë dhe në lartësi duke e lënë të lirë dhe të pa mbuluar në zonën tonë. Ndoshta në këtë ndeshje trajneri Silvinjo nuk e kishtë studiuar mirë kundërshtarin në të gjitha repartet. Sepse skuadra jonë hyri në fushë me besim te fitorja, por gjatë lojës u mbrojtëm nga frika se mos humbisnim.

Bilanci në gjysmën e garës

Me 5 pikë në katër ndeshje, kështu duket mision i pamundur, i cili në dy ndeshjet që analizuam ishte më shumë se i mundur. Në gjysmën e garës janë grumbulluar pikë që në raport me katër ndeshjet e tjera, kështu duken të pamundura për tu marrë. Nisur nga loja e kundërshtarëve dhe mundësitë në aftësitë e lojtarëve tanë, të cilët nga fusha nuk dhanë produktin e tyre të zakonshëm, që do të thotë se përshtatja nga trajneri nuk ishte në shkallën e duhur në raport me kundërshtarët. Me këto dhe të tjera dukuri në 180 minutat e luajtura, Emrat e lojtarëve tanë u sfumuan me vendosjen e përshtatjen e tyre në fushë. Kësisoj, shkojmë përsëri tek pyetja: Të jetë ose jo Silvinjo trajner i Kombëtares? Sa më sipër, gjithçka do të thotë JO!

ABISSNET SUPERIORE

Elbasani në vendnumëro me merkaton, faza përgatitore në Greqi

Edhe pse duhen dy muaj deri në nisjen e sezonit të ri, merkatoja e Elbasanit mbetet në fazën e pritjes, pasi ende nuk ka asnjë afrim të ri. Deri më tani, nga klubi verdheblu nuk ka pasur asnjë zyrtarizim , ndërkohë që mediatikisht janë përfolur disa emra lojtarësh nga Superiorja, por edhe jashtë Shqipërisë. Gjithsesi, asnjë prej tyre nuk është konfirmuar zyrtarisht, edhe pse përfliten emra lojtarësh për sulmin nga Superiorja, por edhe futbollistë nga tregu kosovar e maqedonas. Drejtuesit e klubit kanë zgjedhur të veprojnë me kujdes dhe në heshtje, duke mos u nxituar, sepse i druhet ndërhrjes nga ekipe të tjera për lojtarët që ata. Skuadra do të nisë fazën përgatitore në 30 qershor 2025, ndërsa do të luajë edhe një miqësore me ekipin grek Athlitiki Enosi Larissa F.C, takim që do të zhvillohet në Ptolemaida.

Bajrami e Mensah “blindojnë” rradhët e Vllaznisë

Mendohej se do ishin të larguarit e radhës nga Vllaznia, por Melos Bajrami dhe Alfred Mensah i janë bashkuar stërvitjeve të Vllaznisë nën drejtimin e Edi Martinit. Si mbrojtësi, ashtu edhe sulmuesi, do vijojnë edhe një sezon tjetër në Shkodër. Gjatë kësaj jave pritet të konfrimohet gjithçka, ku me zhvillimin edhe të 2-3 seancave të tjera stërvitore duhet ta bindin Martinin. Pavarësisht se tashmë gjithçka duket e përfunduar, si Bajrami dhe Mensah do të mbeten te Vllaznia. Kështu, me konfirmimin e Bajramit, Vllaznia “blindon” mbrojtjen, për t’ja lënë radhën përforcimeve në mesfushë dhe në sulm, ku Mensah pritet të jetë alternativë e parë për Balajn. Me rinovimet, Vllaznia po merr formë për sezonin 2025-2026, ku objektivi i parë është kalimi i turit të parë të Ligës së Konferencës.

Paradokset e përzgjedhjeve të Silvinjos!

Uzuni shënonte gola te Granada dhe mbeti jashtë Europianit, tashmë aktivizohet me pikatore, ndërsa në MLS është protagonist në skuadër. Muçi luan dhe shënon te Beshiktashi, Silvinjo e mendon alternativë në sulm! Po kështu Bajrami që luan në Skoci periodikisht, apo edhe Medon Berisha që nuk morri asnjë minutë kundër Andorrës, Serbisë e Letonisë. Këto janë paradokse të përzgjedhjeve nga Silvinjo!

“BOTËRORI 2026”

Kualifikueset-Grupi K

Ndeshjet e Shqipërisë

Angli-Shqipëri                                     2-0

Shqipëri-Andorrë                    3-0

Shqipëri-Serbi                         0-0

Letoni- Shqipëri                      1-1

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       P         

1.Anglia                      3          9

2.Shqipëria                  4          5

3.Serbia                       2          4

4.Letonia                     3          4

5.Andorra                    4          0

Datë 9 shtator 2025

Shqipëri-Letoni                       20:45

Datë 11 tetor 2025

Serbi-Shqipëri                         20:45

Datë 13 nëntor 2025

Andorrë-Shqipëri                    20:45

Datë 16 nëntor 2025

Shqipëri-Angli                                     20:45

 

Hysaj, futbollisti më i besuar i Sarrit te Lacio

Kthimi i Mauricio Sarrit në pankinën e Lacios ka ndryshuar plotësisht dinamikat në klubin bardhekaltër. Trajneri ka kërkesa specifike për vijimësinë e punës së tij në këtë klub dhe bardhekaltrit janë të gatshëm t’i pranojnë ato. Sipas mediave italiane, kjo ndryshon edhe situatën e Elseid Hysajt. Mbrojtësi ishte në vitin e fundit të kontratës së tij me Lacion dhe për shumëkënd, ishte pranë lamtumirës mundësisht që në këtë verë, po të mos ndodhte ndryshimi në pankinë me largimin e Baronit dhe kthimin e Sarrit. Tani, bëhet e ditur se qëndrimi i tij është i sigurt, të paktën për këtë vit, por nuk përjashtohet mundësia edhe për rinovimin e kontratës.

Hysaj është futbollisti më i besuar i Sarrit, me diferencë të thellë nga çdo lojtar tjetër. Hysaj ka luajtur 346 ndeshje nën drejtimin e Sarrit, te Empoli, Napoli e Lacio.