Suplementi Pena Shqiptare/ Akademik Vasil Tole: “Luan Omari”, një emër, një epokë!

I dashur dhe i nderuar akademik Omari!

Të nderuar familjarë, akademikë, profesorë, miq e pjesëmarrës në veprimtarinë kushtuar akademikut Luan Omarit në 100 vjetorin e lindjes. Në çdo epokë, ka njerëz që janë më shumë se vetja e tyre. Ata bëhen vetë kohë, shndërrohen në institucion, bëhen themeli i sigurt i tyre. I tillë është akademiku Luan Omari. Jemi mbledhur jo thjesht për të thënë “Gëzuar përvjetorin”, por për të bërë një akt nderimi ndaj Jush. Prandaj jemi së bashku, institucione, përfaqësues e personalitete nga Akademia e Shkencave, Gjykata Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë, Universiteti i Tiranë, Fakulteti i Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, shokë, miq e kolegë Tuaj të jetës. Sot mbushen 100 vjet nga dita kur Ai erdhi në këtë botë në gjirin e familjes gjirokastrite Omari, dhe bashkë me të, siç ndodh rrallëherë në fakt, nisi të ndërtohej një nga kapitujt më të rëndësishëm të dijes shqiptare. Në këtë përvjetor që është i pari i një akademiku në Shqipëri që feston 100 vjetorin mes nesh, e njëherazi i fundit nga akademikët që themeluan Akademinë tonë të Shkencave në vitin 1972, nuk nderojmë thjesht një jetë të gjatë, por një jetë të shkrirë me shkencën, me mendimin shkencor, vlerësojmë një jetë të tërë të lidhur me sistemin universitar dhe me ndërgjegjen juridike të këtij vendi. Me qetësinë e njerëzve të mëdhenj dhe me forcën e atyre që nuk kanë pasur nevojë të ngrihen zëshëm për t’u dëgjuar, akademik Omari mbetet model i rrallë – i pandryshueshëm, i paharruar nga koha, nga brezat dhe sistemet. Te figura e tij janë bashkuar, në mënyrë thuajse mitike, morali dhe mendimi, përkushtimi qytetar dhe forca e karakterit, qytetari dhe familjari model. Ai që në rininë e hershme e kuptoi se Shqipëria kërkonte jo vetëm trima për luftë, por edhe mendje për të bërë shtet e institucione, por edhe moral e ligj. Dhe ai dha gjithshka që ju kërkua. Ai nuk është vetëm një emër në listën e anëtarëve të Akademisë. Ai është gurthemel i saj dhe njëherazi arkitekt i ndërtesës së shkencës, e cila u ndërtua me vizion, mendim, përkushtim, dhe me rezultate të prekshme. Nga lartësia e këtyre 100 viteve, Ai është edhe kronikani i akademizmit shqiptar, që ka folur jo me zë-por me vepër, jo me shfaqje-por me thelb. Sot ne shohim qartë se si akademik Omari nuk shfaqet si zë i arkivuar i së shkuarës, por si një prani e vazhdueshme dhe e qendrueshme që i flet çdo brezi: i flet për ligjin dhe angazhimin, për dijen dhe qytetarinë, për vlerat që mbeten kur gjithçka tjetër ndryshon ose humbet. Ju keni qenë dhe mbeteni model për brezat e rinj, një shembull i rrallë, i vështirë për t’u ndjekur, por i domosdoshëm për t’u pasur përpara. Gjeneratat pas jush mund edhe të mos e arrijnë lartësinë tuaj, por ata mund të ecin drejt saj – dhe kjo është ajo që u duhet. Akademia si institucion ka pasur disa etapa, disa më të ndritura, disa më të vështira. Por ka mbijetuar dhe është përtërirë falë njerëzve si Ju, që nuk e kanë braktisur kurrë, që nuk kanë kursyer as dijen, as kohën, as shpirtin. Shembulli i fundit ishte ligji dhe reforma institucionale e saj, për të cilën Ju dhatë gjithë mbështetjen e domosdoshme. Prandaj emri Juaj renditet pranë Budës, Çabejt, Shuteriqit, Kostallarit, Domit, Pollos, Kadaresë, Agollit  jo si pasues, por si bashkudhëtar. Jurist i lartë, themelues i ligjshmërisë së re shqiptare, zë i respektuar në tribunat evropiane, Ju jini një ndër mendjet më të kthjellëta të së drejtës shqiptare dhe ndër më të përkushtuarat në ndërtimin e një shteti që e meriton emrin e vet. Në dhjetra vite pune e angazhimi të gjithanshëm, Ju nuk kërkuat asnjëherë lavdi – dhe prandaj e gjetët; nuk kërkuat të përjetësoheshit  dhe prandaj u përjetësuat. Katedrat dhe fakultetet ku Ju ligjëruat, akademia që Ju drejtuat, studentët që Ju frymëzuat, janë gurët e mozaikut Tuaj të pashlyeshëm. Ndaj çdo fjalë nderimi për Ju, është në fakt një provë e angazhim për ne. Një detyrim për të kuptuar se kur themi “akademik”, duhet të kemi parasysh figurën tuaj dhe kolegëve të tjerë themelues. Kur themi “dije”, duhet të masim peshën që ajo merr në trashëgiminë tuaj të madhe akademike dhe institucionale. Prandaj shteti dhe shoqëria shqiptare ju ka vlerësuar në vijimësi me titujt më të lartë të nderit, ashtu si Akademia e Shkencave ju ka vlerësuar me “Çmimin e karrierës akademike” në vitin 2016 me motivacionin: si antar bashkëthemelues i Akademisë së Shkencave, dhe përurues dhe drejtues i suksesshëm institucional i saj. Përfaqësues i denjë i botës akademike, europiane dhe rajonale që ka dhënë që kontribut shkencor mbi 6 dekada”! I dashur akademik Omari. Gëzuar këtë përvjetor të artë mes familjes së vogël dhe familjes së madhe akademike mbarëshqiptare që të ka në krye të vendit.

NOA