SUPERIORE/ Në analizën e tij teknike, specialisti i futbollit Stavri Nica tregohet kritik për garën
Agron KAJA

Sezoni i ri në Abissnet Superiore ka nisur vetëm për katër skuadrat që do të luajnë në Europë, ndërsa të gjitha të tjerat janë duke pretenduar për merkato me emra lojtarësh e trajnerësh, por pa një starvitje me program të veçantë për lojtarët. Kjo është një dukuri që specialisti i futbollit Stavri Nica e thekson me shumë forcë në bisedën me gazetën “Telegraf”. Për Nicën, ishte një kampionat që ja arriti qëllimit. “Mendoj se kampionati që u mbyll ja arriti qëllimit, duke veçuar mënyrën e organizimit dhe cilësinë te skuadra e Egnatias, e cila për mua ishte një model që duhet përkrahur. Sepse funksionoi mirë si klub futbolli në Shqipëri, ndërsa në pjesët e tjera të renditjes, skuadrat kanë qënë difektoze në menaxhim, ndaj kishin rezultate pa stabilitet. Këto janë tregues të cilët duhet të mbeten si objekt ndryshimi për kampionatin që kemi në prag”, kështu e nisi dje bisedën Stavri Nica, i cili e quan si një problem që do japë efektet, se pse vetëm skuadrat që do luajnë në Europë kanë nisur nga përgatitjet. “Këtu unë mendoj se është problemi. Sepse skuadrat që do luajnë në Europë treguan oshilacione dhe në ndeshjet e tyre që i kanë shumë afër për ti luajtur në Europë, nuk do kenë cilësi. Problemet janë te përbërjet pa stabilitet dhe me futbollistë jo shumë cilësorë. Përgatitjet e tyre duhet të kishin nisur që gjatë kampionatit të kaluar, sepse nuk mund të përzgjedhësh lojtarë të rinj, sado cilësorë, të cilët do përshtaten shumë shpejt me pjesën tjetër të skuadrës. Kështu që të gjitha janë me vonesë, janë në një përgjumje që edhe mediat e kanë të vështirë se çfarë duhet të flasin për to”. Por ku mundet që të përqëndrohen përgatitjet e tyre? Specialisti Nica jep një recetë profesionale. “Kjo është një kohë e limituar, sepse duhet të fillonin më parë. Këto janë ngërçe që do u sjellin problemem në organizim gjatë gjithë garës, por fillimisht në Europë. Shëmbuj të mirë si modele në Europë i kemi, por këtu skuadrat tona bjenë në vesh të shurdhër. Së pari, nuk krijojnë një bazë financiare që të ketë progres në futboll, ndaj prej tyre nuk ka asnjë lloj programimi për të ruajtur gjëndjen e futbollistëve. Sepse janë pushime të gjata dhe skuadrat po tregohen pasive në këtë periudhë. Gjithsesi, për kampionatin e ri mua vetëm Egnatia më jep siguri, edhe në Europë. Skuadrat e tjera do kenë problematikat e sezonit të kaluar, ndoshta edhe më të thella”, kështu e mbylli bisedën dje Stavri Nica, ish-futbollisti dhe trajneri në disa skuadra elitare të futbollit shqiptar. Superiorja ende nuk e ka përcaktuar kalendarin për sezonin e ri 2025-2026.
Silvinjo: Ndeshja e dytë e vështirë për rikuperimin
Në konferencën e djeshme për mediat në Riga të Letonisë, trajneri Silvinjo dhe mesfushori Asllani, folën për Kombëtaren tonë, dhe synimin e saj në këtë transfertë të vështirë. Por Silvinjo nuk e tregoi formacionin titullar, ndërsa veçoi Manajn përsëri si titullar. “Manaj është një titullar i kësaj skuadre, ndeshja e dytë nuk është e drejtë. Ndeshja e dytë është gjithmonë më e vështirë për rikuperimim dhe për ringjalljen muskulore. Ne kemi një avantazh se pas Serbisë kemi 22, 23, 24 lojtarë në krahë, në qendër, mesfushorë. Kemi më shumë mundësi me emra si Muçi, Uzuni, Berisha, Ramadani, Asani, Hoxha, Broja, Daku. Kjo na jep mundësi të punojmë me lojtarët e të shohim nesër, do ta shohim. Sa i përket Manajt, është me eksperiencë, një titullar i kësaj skuadre. Sa i përket Letonisë, është një skuadër fizikisht shumë e fortë, ka lojtarë që vrapojnë mirë. Ne do luajmë të arrijmë synimin tonë”, kështu theksoi dje Silvinjo, për ndeshjen e sotme me Letoninë.
FORMACIONI I MUNDSHËM
LETONI-SHQIPËRI
Shqipëria: 1-4-3-2-1
Strakosha
Hysaj Ajeti Ismajli Mitaj
Shehu Asllani Laçi
Broja Uzuni
Manaj
Trajner: Silvinjo
Asllani: Kanë trajner italian, të vështirë në fushë
Së bashku me trajnerin Silvinjo, Kristjan Asllani është shfaqur dje në konferencë për shtyp para ndeshjes që Shqipëria do të luajë me Letoninë. “Duhen rikarikuar bateritë se vijmë nga një ndeshje shumë pozitive nga aspekti i lojës. Luajtëm shumë mirë, mungoi goli. E dimë që kemi ndeshje këtu të vështire sigurisht, por na duhen tre pikë për gjërat që kemi në mendjen tonë dhe ëndrrën tonë. Me Zelenkovs kemi kaluar dy vite te Empoli dhe kujtoj se është shumë i mirë teknikisht. Unë do e ndërroj fanelë. Ne ishalla të fitojmë ne këtë ndeshje”, theksoi Asllani dje për mediat.
Egnatia “pazar” në Korçë, merkato me role të dubluara
Egnatia po punon që të ketë të dubluar çdo pozicion në fushë. Strategji është të krijojë një grup të balancuar dhe konkurrues, i cili të mos varet nga asnjë individ dhe të jetë e mbrojtur nga mungesat për shkak dëmtimesh apo pezullimesh. Një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të klubit është mbrojtësi i majtë i Skënderbeut, Klevis Shaqe. Në Rrogozhinë po mendojnë për një alternativë të vlefshme ndaj Edison Ndrecës.
Befasia e portierit Batistas te Bylisi, largohet në Brazil
Portieri Toni Batista është prezantuar dje te skuadra Maringa në Brazil. Sepse 32-vjeçari ka firmosur kontratë të re, ndërsa kujtojmë se ai ishte pjesë e Bylisit në Abissnet Superiore dhe përfitonte 6 mijë euro në muaj. Ai ishte protagonist me Bylisin në pjesën e dytë të sezonit, ku menjëherë pas afrimit të brazilianit, ballshiotët e aktivizuan vetëm si titullar duke i dhënë minuta të plota. Ndërkohë që Bylisi ia doli në qëndrimin në elitë, portieri Toni Baista kthehet në Brazil pas dy vitesh, pasi për herë të fundit ishte pjesë e Guaranit. Tashmë te skuadra ballshiote duhet të mendojnë së parë për gardianin e sezonit të ri, 2025-2026.
Nga Vllaznia te Banja Luka, Stojanoviç e lë Superioren
Pas dy vitesh qëndrimi me Vllazninë në Shodër, klubi Borac Banja Luka në Bosnje & Herzegovinë del në skenë për lojtarin serb Milos Stojanoviç. Tashmë ai është si opsion për Borac Banja Lukën, është emër i njohur për Egnatian. Kujtojmë se ia dolën vjet të eliminonin Egnatian në turin e parë të Ligës së Kampioneve. Klubi i futbollit boshnjak është në bisedime me 28-vjeçarin, i cili largohet nga Vllaznia pas dy sezonesh dhe pasi i ka përfunduar kontrata, ku konsiderohej titullar. Ekipi boshnjak po përgatitet sërish për Europën, që do ta nisë nga turi i parë i Ligës së Konferencës ku ndodhet në vazon e favoritëve, bashkë me skuadra si Vllaznia dhe Partizani.